GJUHA E KULLËS SË BABELIT
Kodi i gjuhës dhe kodi i ngjyrës / Gjuha e fëmijës në fëmijërinë e njerëzimit.
DENISA KONA BISEDON ME PIKTORIN GAZMEND LEKA
Pikturën e përdor për të komunikuar me Gjithësinë, për të kapur mesazhet e saj e për t’i zbërthyer mbi telajo. Prof. Gazmend Leka ka ndërtuar prej kohësh një filozofi të vetën, të cilën për ditë e nga pak ua përcjell studentëve të tij të Arteve, jo thjesht si mjeshtëri, por si mision. Duke pasur kontakt me pikëpamjet e tij, duhet ta pranoj se ndërsa punoja për këtë temë, diçka më provokonte vazhdimisht mendimin. Dhe thashë: “ Gazmend Leka nuk është linguist, por edhe si artist, si njeri që operon me Kodin e Ngjyrës, me një gjuhë tjetër, si ai që interesohet vazhdimisht për “ PSE –të ” e koshiencës dhe subkoshiencës, për etimologjinë e kodeve të fshehta, me siguri do të ketë diçka për të thënë edhe për Kodin e Fjalës “. Unë tentova të provokoj intuitën e tij me përsiatje rreth pyetjeve të mëdha se Ç’është gjuha, si lind ajo dhe çfarë e bën të ndryshme nga i rrituri tek fëmija. Prof. Leka u bë krahu tjetër i balancës që po kërkoja për pyetjet e mia kureshtare, të cilat nuk arrinin të merrnin përgjigje bindëse deri në fund nga shkollat e mendimit që njihja. Brenda tezës së tij do të shihni se ka irracionalitet artisti dhe frymë teologu, intuitë filozofike e nativiste, një kërkim prej metafiziku dhe etimologu. Papritur brenda saj zbulon një “ Aventurier ” që vendos shqipen në qendër të rrethit, si gjuhën simbolike. Meqenëse ai guxoi, vendosa të guxoj edhe unë, duke e sjellë në këtë punim si një mendim alternativ krahas të tjerëve, si një mendim që i jep shtysë vazhdimësisë së mendimit, pse jo, me një shpresë se disa gjëra të thëna këtu, do të mund të thuhen sërish një kohë tjetër, në një tjetër hapësirë, me një tjetër peshë, duke gjetur një shteg që vetë shkenca e ka lënë hapur, sepse duke iu referuar fjalëve të piktorit, “ Shkenca ngrihet mbi dyshimin. Duke qenë se ngrihet mbi dualizmin, ajo pranon edhe simbolizmin, edhe intuitën. Shkenca është e tillë pikërisht sepse pranon këndshikimet e ndryshme të një problemi.”
…
D – Mes pikturës dhe gjuhës historikisht ka pasur lidhje, janë të dyja gjuhë. Në pikturën tuaj duket se kërkohet kjo lloj “ krushqie ” mes ngjyrës dhe shenjave, në interpretim të një gjuhe të fshehtë. Çfarë e shtyn një piktor të interesohet për një KOD GJUHËSOR?
G – Ne e përdorim gjuhën por nuk e njohim. E përdorim si sonambul. Për pasojë, nuk njohim thellë edhe botën. Kjo bën të mendosh se gjuha nuk është thjesht një marrëveshje. Gjuha u jepet të gjithëve ta përdorin. Të merresh me gjuhë nuk është profesion, siç është profesioni i marangozit, hidraulikut, ndërtuesit etj. Sekreti i profesionit në gjuhë pushon së qeni. Të gjithë e ushtrojnë pa dallim. Njeriu është Gjuha vetë. Si mundem unë të jem indiferent për më të rëndësishmen e qenies sime!? Vetëm piktura nuk më mjafton.
…
D – Ç’do të thotë për ju ta “ përdorësh “?
G – Ta “ përdorësh ” gjuhën do të thotë që ta vendosësh atë në pozicionin e një skllavi, të një shërbëtori. Ajo këtë funksion e kryen, por është vetëm një nga aftësitë e saj. Kuptimi i vërtetë nuk është kjo që duket, sepse është i thellë dhe në thellësi ka errësirë dhe monstra që të frikësojnë. Nëse dikush tenton të na zgjojë nga përgjumja, do të frikësohemi kur të shohim thellësinë nga buza e humnerës ku ndodhemi. Gjuha është arketipi më i lashtë.
…
D – Ju tani po flisni për disa nivele të gjuhës
G – Po. Ajo ka disa pamje, disa nivele. Eshtë niveli më i poshtëm ta përdorësh gjuhën tërësisht për marrëeveshje. I poshtëm si gradë. Gjuha është dhuratë që i është dhënë njeriut. Një dhuratë pa interes. Prandaj edhe në shqip, /fjalë/ dhe /falë/ rinë si për revelate. Dhe më tej… Fjal, fal, fall, fell, falit, falus…
…
D – C’hyn Shqipja ketu?
G – Po, hyn. Sepse Shqipja e ka ruajtur si në frigorifer kuptimin origjinal të fjalës. Njerëzit sot kanë filluar që ta marrin nga frigoriferi, ta përdorin, por akoma e kanë në gjendje të ngrirë. Ajo, duke qenë e falë, është e vetmja pronë që ka në trashëgim njeriu, që nuk mund t’ia heqësh më. Dikujt mund t’i marrësh lirinë apo pasurinë që është më e shtrenjta në botën materiale, vetëm gjuhën nuk ia heq dot, më e shtrenjta në boten jo-materiale. Është i vetmi rast kur me gjuhën dhe jetën brenda qenies kuptohet një gjë e vetme. Gjuha është e përjetshme.
…
D – Aftësia gjuhësore edhe mund të humbasë nga një aksident
G – Humbet gjuha praktike për të komunikuar, por njeriu ka një gjuhë të tijën, të brendshme. Por ndodh edhe e kundërta. Ka njerëz që pas një goditjeje që pësojnë, kanë nisur të flasin një gjuhë që nuk e kanë ditur kurrë më parë. Kjo është e jashtëzakonshme dhe domethënëse. Ky është fakt që njihet dhe nga shkenca më skeptike. Nëse një njeri ka pësuar traumë dhe ka nisur të flasë një gjuhë antike, të humbur, kjo na dëshmon se ka dalë në shtresa shumë të vjetra gjuhësore. E rëndësishme është që ato janë të dhëna dikur dhe flenë deri sa një ditë aksidenti mund t’i ekspozojë. Preket qendra. Të gjitha gjuhët janë në qendër. Kur them të gjitha, dua të them se është NJË. VETËM NJË GJUHE. Si dikur në Kullë.
Gjuha nuk zhduket. Esenca e gjuhës është heshtja. Normalisht, gjuhë dhe heshtje janë ekuivalente në esencë. Në botën e dukshme janë komplet të ndryshme.
Po të kërkosh në mitologjitë e vjetra, do të gjesh hipotezen se bota është ndërtuar me britmën e një zogu, sepse zogjtë ruajnë gjuhën e Ditës së Parë të Krijimit. Klith zogu, çahet veza dhe bota shfaqet. Mirëpo, ajo klithmë e padeshifrueshme, ishte gjuha. Gjuha që krijon botë.
Murgjërit e Tibetit kur përdorin formulën e tyre magjike, MANTRËN, (A.U.M.), përdorin një gjuhë simbolike, sepse A.U.M. është maksimumi i gjuhës simbolike dhe minimumi i gjuhës së folur. A.U.M. është gur kufiri, është një lojë frymëmarrjeje ku goja hapet, gjysmë-mbyllet dhe mbyllet fare, duke përmbledhur gjithë alfabetin. Dhe kjo është Mantra – formula magjike e racës ariane, një gjë e cila krijon të gjithë stabilitetin e Qenies, lidhjen e Qenies me Universin. Ajo komunikon në botën e e Esencës. Vlera e saj qëndron në faktin se lidh mikrokozmosin me makrokozmosin. Eshtë një shkak-pasojë e një tjetër pamjeje.
Egjiptianët kanë pasur tri lloje shkrimesh për gjuhën e tyre; shkrimin për botën banale; shkrimin për gjërat e larta, por kanë pasur edhe një shkrim tjetër, që quhej Shkrim i Shenjtë. Shkrimi i Shenjtë ishte ekuivalent me sanctum sanctorum. Të gjitha vendet e shenjta kanë të njëjtën strukturë…një vend për të gjithë, një vend për shërbyesit e fesë dhe një vend për Kryeshërbëtorin. Ky i fundit është i kuptueshëm vetëm për të paktit dhe hermetik për të shumtit. Shkrimi pasqyronte tre nivelet e të kuptuarit. Sipërfaqësorin, të mesmin dhe të thellin. GJUHA e vërtetë është tek i thelli. Thellë është burgosur LUCIFERO. Prurësi i dritës. GJUHA e burgosur bën Dritë. Dritë prej errësire.
…
D – Shpesh, të rriturit përpiqen ta bëjnë gjuhën e tyre të pakapshme për shumicën, duke e rafinuar, duke e bërë sa më hermetike
G – Jo çdo gjë që nuk kuptohet është hermetike. Mund të jetë paqartësi, mungesë artikulimi, fshehje e së vërtetës për hatër të një gënjeshtre etj. Bota nëpërmjet gjuhës hermetike është krijuar, por hermetizimi konsiderohet si një gjë e mbyllur. Është hermetike për profanët që janë gati ta përdorin, ta manipulojne për interesa të ulëta. Ndërkohë, gjuha në vetvete duke qenë dhuratë, është perfekte në esencë nga fillimi deri në fund, ku fillimi dhe fundi janë e njëjta gjë. Nuk ke çfarë i shton, nuk ke çfarë i heq. Mos harrojmë se të 7 gërmat, ende nuk i kemi gjetur.Ato janë ende të fshehura…
…
D – Po kjo gjuha e perfeksionimit?…
G – Perfektja dhe perfeksionimi jane dy gjera te ndryshme ose me mire te themi te kunderta. Perfekte është vetëm gjuha e parë, gjuha e esencës. Gjuha e formës, ajo që ne përdorim përditë është gjuha e botës së ndarë, se ndyrë, materiale, gravitacionale, e zezë, e mëkatuar. Perfeksionimi atë e largon më shumë nga origjina. Gënjeshtra perfeksionohet që të shitet si e vërtetë sepse e vërteta është vetëvetiu e tillë. Esenca e një gjuhe nuk jane qindra – mijëra fjalë, që mbushin fjalorët e trashë. Esenca mund të jetë shumë pak. Esenca është e formatuar në qelizën e gjuhës. Një bashkëtingëllore dhe një zanore mundet të përbëjë esencën. Po të bashkosh një zanore dhe një bashkëtingëllore, në shqip do të kesh një fjalë si p.sh: la, pa, sa, di, pi, ha, dha, ka, da, ra, ba, ca, ça, dy, dhe, ja, jo, ly, shi, ze, zi, za,…etj. Shqipja është ndërtuar e tillë që një bashkëtingëllore dhe një zanore formojnë fjalë, si në popujt më të vjetër. Kjo është strukturë shumë, shumë e thjeshtë. Por ka edhe një strukturë akoma më të thjeshtë, ku edhe vete zanorja është një fjalë. Ky është niveli i shenjtë i të shenjtës. Gërma A... Në Veriun e Shqipërisë gërma A është folje, është folja “ me qenë “, të shfaqurit, është QENIA vetë. Ështa epifanike. Me A fillojnë pothuajse gjithë alfabetet e rruzullit. Fillojnë me sakrificën e kafshës. Me demin e përmbysur. Gërma A është piktograma e demit të përmbysur. DEM = DËM. Është një jehonë e gjuhës simbolike. Si mund të perfeksionohet kjo gërmë – fjale? Ajo është perfekte.
…
D – Fëmija tenton ta përdorë gjuhën në mënyrë simbolike, apo i rrituri?
G – Automatikisht, pa e ditur këtë gjë shkencërisht, fëmija është më afer perceptimit të gjuhës simbolike. Fëmijës i është dhënë gjuha simbolike, vetvetiu. Kur them i është dhënë fëmijës, dua të them se i është dhënë njeriut, i cili pak e nga pak e humb.
…
D – Qenkeni Çomskian doemëthënë…
G – Nuk e di. Petro Zheji e di më mirë sesa Çomski këtë gjë. Ai ka një armë që është gjuha shqipe, të cilën Çomski nuk e ka. Dhe gjuha shqipe është e shumë afër gjuhës simbolike, fakt që Çomski nuk e di. Çomski nuk asiston big-bengun, nuk asiston nisjen e parë.
…
D – Pse mendoni kështu?
G – Sepse ai nuk ka dijeni për shqipen. Dikush duhet t’ia thotë.
…
D – Ai mendon se gjuha e parë më e vjetër është gjuha e hebrenjve, pra ai e ka Big-Bengun.
G – Aty ai gabon. Po të njihte shqipen, besoj se do ta rishihte pak atë që ka thënë. Gjuha e hebrenjve është vërtetë një nga gjuhët më të vjetra, por nuk është më e lashtë sesa shqipja. Nëse do të kuptosh vërtet të vërtetën, duhet të lexosh librin e Petro Zhejit “ SHQIPJA DHE SANSKRITISHTJA “ në dy vëllime.
Ka shume fjalë hebraike që edhe kur çmontohen, pjesëzat e mbetura kanë kuptim vetëm në shqip. Ne hebraisht, pjesëzat nga çmontimi nuk motivohen. Ka dhe fjalë të tilla që nuk kanë nevojë për përkthin si: NEFILIM…është emri i njerëzve të parë që zbritën në tokë në fillim. NAFAL, EDIN, JUDHA, LITHA, KUM, SABATHANI…etj
…
D – Kur flisni për gjuhën si dhuratë, vini nga një rrugë e ndryshme në të njëjtën pikë me Çomskin, por ai flet për një gramatikë të dhënë, jo për një leksik të dhënë.
G – Çomski është një burrë i madh, por nuk ka prekur sinorin e fundit. Ka prekur tavanin e gjuhës së formës që është vetë dyshemeja e gjuhës së esencës.
…
D – Duket se ju gjithë kohën flisni si për dy gjuhë të ndryshme: një gjuhë të dukshme, komunikative dhe një gjuhë të padukshme, esenciale, mistike, hyjnore. Çfarë ju shtyn ta bëni këtë ndarje?
G – Nuk flas për dy gjuhë. Flas për të njëjtën, por që shfaqet në dy pamje. E thashë më sipër se të shumtit njohin gjuhën e marrëveshjes, të përdorimit të përditshëm dhe të paktit atë të esencës.
…
D – Gjuha hyjnore, i ka pasur fjalët e rëndomta brenda?
G – Gjuha hyjnore i ka të tëra. Ajo është një gjë e tëra. Është e pandarë. Totale. Pohimi dhe Mohimi tek gjuha hyjnore janë e njëjta gjë, ndërsa tek gjuha tokësore janë të kundërta. Gjuha e koncepteve nuk e pranon dot pohimin dhe mohimin si ekuivalente, ndërsa gjuha simbolike, po.
…
D – E keni fjalën që gjuha na është dhënë si strukturë gramatikore apo si godinë leksikore?
G – Gramatika është si puna e gremit, që u vjen rrotull bimëve pak për të mirë dhe shume për të keq. Kur gremi rritet shumë, e mbyt bimën. Kështu ndodh dhe me gramatikën. E tepruar, e mbyt gjuhën.
…
D – Pse njerëz të ndryshëm flasin gjuhë të ndryshme? Ka për ju një domethënie?
G – Një gjuhë ka qenë në fillim. Flitet për Kullën e Babelit, qoftë edhe si metaforë, kur njerëzit komunikonin me një gjuhë deri në një fare momenti. Pastaj u shpërndanë. Secili mori farëzat e gjuhës së parë me vete dhe i mbolli atje ku shkoi. Nëse ju me dymbëdhjetë të tjerë, merrni një farë gruri dhe e mbillni në dymbëdhjetë vende të ndryshme të globit, ju mendoni se gruri që mbin në Veri, do të jetë njëlloj me atë që rritet në Ekuador? Jo, nuk do të jetë njëlloj. Është e njëjta farë, por prodhimi do të jetë i ndryshëm në shumë parametra. Edhe gjuha kështu ka qenë, e njëjta farë e cila është mbjellë në Shqipëri, Amerikë, Kinë etj. Problemi është se kush e ka ruajtur në gjendje frigoriferike farën e parë.
…
D – Gjuha e Babelit është pranuar si gjuha e parë që flasin të gjithë fëmijët para se të fillojnë të përvetësojnë elementet e para të gjuhës amëtare. A do ta konsideroje si mallkim apo si bekim këtë ndarje të gjuhëve?
G – Ndryshimi në mes gjuhëve është një mallkim i madh dhe një mall i madh. Është mallkim, sepse pengon komunikimin midis njerëzve dhe është mall, sepse të gjithë tentojmë të kujtojmë kohën kur ishte vetëm një gjuhë dhe komunikimi ishte shumë i drejtpërdrejtë. Tentuan ta zëvendësonin GJUHËN E PARË me Esperanton por nuk pati sukses. Me bykun nuk mund të krijosh dot farë. Byku digjet, fara ruhet. Sot, hë për hë konsiderohet Anglishtja si gjuhë komunikimi. Janë faktorë të tjerë prepotentë që kanë zgjedhur atë si gjuhë të botës komunikuese dhe jo faktori linguistik.
…
D – Dhe duhet që të “ vdesë ” kjo farë, “ Gjuha e Babelit ”, që të fillojë të zhvillohet gjuha tjetër?
G – Çdo gjë fillon me një sakrificë, me një kurban, me ndarje. Themelet e një ndërtese, rrënja e pemës, fara në barkun e gruas. Gjuha është e para që duhet ta japë këtë shembull. Nëse është e vërtetë, se pas belbëzimeve, ka një periudhë “ memecërie ” në gjuhën e fëmijëve, fakt të cilin më duhet ta interpretoj duke e marrë si të mirëqënë, atëherë aty ndodh një kolaps. Është si një periudhë tranzicioni. Kjo është një periudhë kur do të kalohet nga ajo që është hyjnore, tek ajo gjuhë që është tokësore, ose nga niveli i rrënjës, në nivelin e trungut deri në nivelin e frutit. Fruti është i prekshëm, i bukur, i dobishëm, i përdorshëm. Rrënja rri në lagështi e sakrifikuar dhe është e padukshme, erërëndë, jo e bukur, jo e përdorshme. Ka afshin e sakrificës. Edhe gjuha simbol rri në nënshtresat e gjuhëve. Është arketip. Prodhon ngjarje. Prodhon koncepte.
…
D – Dhe me sa duket, kjo gjuhë hyjnore nuk u është mohuar as atyre që nuk dëgjojnë. Gjuhën e Babelit e dinë edhe fëmijët pa dëgjim e pa gojë.
G – Sepse kanë atë gjuhën e brendshme që nuk i merret dot askujt.
…
D – Pse gjuhës simbolike i vishni mbivalenca, mbi gjuhën e folur?
G – Gjuha simbolike është multivalente. Gjuha simbolike është një bërthamë me shumë valenca rrezatuese. Nga ajo rrezatojnë infinit konceptesh. Ajo rri në qendër, ndërsa gjuha e folur rri në periferi. Fëmija nuk lind “ tabula rasa ”, por e ka të gjithë informacionin gjenetik të dhënë. Gjuhën e ka të mbjellë, të falur. Unë mendoj se ka të dhënë kodin e Gjuhës së Vjetër, kodin e gjuhës simbolike. Gjatë rrugës, ai fshihet, fshehet. Babeli shëmbet.
…
D – Fshihet nga kujtesa si një shenja e lapsit mbi fletë, apo fshihet në kuptimin që bëhet i padukshëm? I fshirë apo i fshehur?
G – Në fakt Kodi nuk humbet. Fshirja dhe fshehja në shqip është e njëjta gjë. Por, kjo gjuhë fshihet për t’u fshehur. Ajo rri e mbuluar, e nënshtresëzuar.
…
D– Fshesa në simbolikën e ëndrrave në popuj të ndryshëm ka të njëjtin kuptim; sjell humbje. Por ju thoni se KODI ruhet…
G – Po me katapultoni në botën e supersticioneve. Edhe kodi është kapsuluar në botën e supersticioneve. Kjo botë e madhe është abandonuar edhe nga shkenca edhe nga feja. E dini ku ka mbeturina të Gjuhës së Parë? Tek Numerologjia, tek Kiromancia, tek Astrologjia, tek Alkimia, Magjia etj. Ato janë ” shkenca – jo shkenca “ që ruajnë në kujtesë gjuhën e parë dhe prandaj, ato janë shumë të fuqishme, nuk kanë një strukturë shkak – pasojë të dukshme për syrin dhe për veshin, por JANË. Nëse hyn në Numerologji, përdorimi i numrit nuk është si në arithmetikën e shkollës. Ai është si puna e fjalës. Gjuha komunikative është ajo lloj gjuhe, siç është edhe arithmetika e shkollës. Por ky nuk është qëllimi i madh fillestar dhe final as i fjalës, as i numrit. Ka një qëllim edhe më të madh. Sot mund të flitet për disa sinjale të Gjuhës së Parë në Genetikë dhe Fizikën Kuantike. Edhe shkenca vetë po fillon të arsyetojë ndryshe, të flasë ndryshe, me tjetër gjuhë. Por ende është në fazën e belbëzimeve.
…
D – Shumë studiues përqendrohen tek akti i përvetësimit të gjuhës nga fëmija, të zbulojnë etapat e saj. Mendoni se kjo hedh dritë për të kuptuar misteret e kësaj dukurie që merr emra të ndryshëm në varësi të këndshikimit?
G – Nuk e konsideroj të rëndësishëm diskutimin në rrafshin se çfarë rrokjesh mësojnë më parë fëmijët. Fëmijët e mësojnë gjuhën nga të rriturit në familje dhe nga ambjenti përreth. Atë e mësojnë të flasë me gramatikë. Atij i diktohet të flasë pastër gramatikisht, por nuk i mësohet fuqia e thellë e gërmës, e fjalës. Ja mësojnë gjuhën si një marrëveshje që e kanë vendosur njerëzit mes tyre. Për mua, kur flitet për fëmijërinë e një njeriu, flitet për fëmijërinë e Njerëzimit. Kjo është Prehistoria. Prehistoria është më e rëndësishmja edhe për faktin se historia nuk e mpiks dot me ligjësi. Prehistorija fëminore shihet për të rriturin, si një fazë ku nga gabimi shkohet tek e vërteta, nga pasaktësia tek saktësia. Në të vërtetë, të rriturit fillojnë dhe ujisin gremin, gramën, gramatikën dhe jo farën.
…
D – Ngjyrat e ndryshme a kanë tinguj të ndryshëm? Pra, tek e fundit, a ka ngjyra Gjuha?
G – Dikur i shkruanin notat muzikore me ngjyra. Për lidhjen e ngjyrës dhe tingujve kanë folur shumë njerëz të ndritur. Kandinski ka shkruar libër për këtë, ka shkruar drama.
Ngjyra e verdhë në simbolikë është trekëndësh, në zë është tenor (soprano).
Ngjyra e kuqe është kuadrat, në zë është bariton (mexosoprano);
Ngjyra blu është rreth; në zë është bass ( alto ).
Trekëndëshi është simboli i dritës, kuadrati është i tokës dhe rrethi është i qiellit. Me këto të trija ndërtohet e gjithë bota. Burri ka tri nivele zëri: tenorin, baritonin dhe basin. Ka një zë që i shpëton këtij kategorizimi, është zëri kastrat. Zëri i bardhë, domethënë zëri përtej. Ai është zëri i burrit që këndon me zë gruaje.
E bardha absolute dhe e zeza absolute janë heshtja absolute, mungesa e ngjyrave ose përqëndrimi i ngjyrave që është e njëjta gjë. Në gjuhën simbolike, e bardha dhe e zëza janë NJË. Njerëzit e konsiderojë të bardhën të mirë, të bukur, të virgjër, të pastër, diell dritë, të ëmbël kurse të zezën e konsiderojnë të keqe, mëkat, të pistë, vdekja, i ligu etj.
…
D – Gjuha e madhe dhe e vërtetë midis njerëzve është besimi. Ku e kemi garancinë se kjo gjuhë që të tjerët përdorin me ne, është komunikative?
G – Është e vërtetë se tek njeriu, gjuha duhet të jetë e ekuivalente me besimin. Është dhënia e FJALËS. Besa e madhe. Por besa e madhe u shkel dhe kjo duhet restauruar. Për këtë po flas. Me gjuhën fillon Restaurimi. Prandaj dhe për mua është e rëndësishme të fus hundët tek gjuhësia, sepse dua të shkoj sa mund drejt Restaurimit. Jam koshient që kam rënë dhe jam ndarë nga qendra, nga e vërteta.
…
D – Çfarë CV-je ka Gjuha e Njerëzimit?
G – C.V. e njerëzimit është Vestalike.Vestalet kishin vetëm një detyrë, të mos fikej zjarri i shenjtë. Ato rrinin në gjendje të ngrirë, frigoriferike. As dashuronin, as martoheshin, as lindnin femijë, ndërkohë që të tjerët i bënin të gjitha nga dashuria deri tek orgjia. Shqiptarët janë në gjendjen e Vestaleve. Ruajnë zjarrin e shenjtë -gjuhën e shenjtë, ndërkohë që të tjerët e përdorin gjuhën me elokuencë dhe ia shohin frutin konkretisht.
Kjo është esenca e gjuhës origjinale dhe esenca e gjuhës komunikative. Çdo njeri nëpërmjet gjuhës do që të zbulojë “ Trojën ” e vet të humbur nga kurthi i fjalës, nga dredhia.
…
D – Fëmijëria, Troja…Çfarë mund të ketë përtej saj që nuk na lejon të shquajmë qytetërimet e lashta, rrënjën e gjuhës? Dhe si mund të ketë shpëtuar Ajo gjallë, kur këto qytetërime kanë vdekur?
G – Është e vërtetë që shumë qytetërime janë shëmbur, por nga gërmadhat e tyre dikush ka shpëtuar dhe mjafton vetëm DIKUSHI që të shërbejë si Arka e Noes dhe të mbartë farën e gjuhës që flitej aty. U shembën gurët, por Fjalën e mbartën. Troja u shemb por mbeti “ Iliada “ dhe “ Odiseja “. Mbeti fjala. Dhe nga fjala u rigjet guri, Troja. Gjuha nuk vdes me qytetërimet. Është Koha vetë, është e përjetshme, ndërsa qyteterimet fshihen, fshehen dhe flenë të gjitha brenda nesh.
…
D – A të bën të qëndrosh fakti, se fëmija mëson ta përdorë gjuhën në një kohë shumë më përpara sesa kur fillon kujtesa, apo kur aktivizohet kujtesa? A ka diçka që me sa duket duhet të fshihej në këtë fillim të Gjuhës?
G – Memorja e ka shtrirjen e vet që me krijimin e fëmijës. Nuk mund ta barazosh memorjen praktike me memorjen e gjuhës. Memorja nuk është e kufizuar, ajo është aty, edhe pse ne nuk kemi mundësi ta përdorim. Një traumë mund ta shërthejë memorien, ato janë porta të mbyllura…Oqeani nuk është ajo sipërfaqe ku ndonjëherë peshqit kërcëjnë, varkat kalërojnë, dallgët lëvizin…Oqeani është edhe 11 mijë metra thellë ku fshihen përbindësha. Memorja dhe Gjuha e Babelit, gjuha bazë, kanë një pikë – fillimi të përbashkët. Për të hyrë në memorie, gjuha luan rolin e fillit të Arianës, Fillit të Artë, Rrezes së dritës që quhet RRUGA MBRETËRORE.
…
D – Si e shikoni skolarizimin e gjuhës, konformizmin që i jep folësve të rinj shkolla?
G – Shkolla jep strukturën, arkitekturën e mendimit, si të thuash u bën një shëtitje nëpër qytet si nxënësit gjeni dhe atij mediokër. Shkolla është një hartë globaliste. Duke qenë kështu, ndihmon deri në një fare kufiri, kurse atë që kërkon ta kapërcejë, e pengon. Sepse është e globalizuar, që do të thotë se është e mesatarizuar për një shumicë. Nxënësit tremben nga lënda e gjuhës, është e pakëndshme për ta dhe kjo është shumë e çuditshme. Si ka mundësi që ai ka frikë nga gjuha, kur ai atë dinte ta flasë që më parë?! Sepse ajo ngrihet si një godinë e frikshme me shumë rregulla mbytëse…
…
D – Është një lloj gjuhe ajo që pikurojnë fëmijët. A ka nevojë një gjuhë sistemike për një gjuhë të dytë simbolike (si piktura)? A mos do të thotë kjo prirje e mbidukshme e parashkollorëve për të pikturuar, se me gjuhën tjetër që rritet përditë, diçka nuk shkon, se ajo është e pamjaftueshme?
G – Kjo pyetje gjithnjë do të na kujtojë se përse njeriu kthehet tek fëmijëria e Njerëzimit, tek gjuha piktografike. Pse Pikaso u kthye tek maskat e Afrikës? Sepse atje, figura ishte simbol, ishte fe, ishte supersticion dhe se gjuha nuk ishte thjesht një marrëveshje si një pikturë që vetëm ornamenton muret. Gjithë diskutimi niset mbi një bazë që duhet fiksuar; ose duhet të pranojmë që fëmija lind si një tabelë e bardhë (tabula rasa), ose do pranojmë që ka një sistem që e ka të gjithë informacionin të shkruar dhe ky informacion vetëm sa çlirohet.
…
D – Kjo që thoni është një mosbesim për gjuhën si mjet komunikimi, pra për gjuhën si prodhim shoqëror. Një insuficencë që ju besoni se çon fëmijën drejt gjuhës piktorike. Pse befas, aty nga mosha 7-vjeçare shumica e fëmijëve pushojnë së pikturuari vullnetarisht?
G – Ne nuk na duhet vlera më e ulët e gjuhës, komunikimi. Fëmijës nuk i duhet. Ai merret vesh fare mirë edhe pa të. Vlera e komunikimit është diçka ordinere. Por kur fëmija nis të mësojë gramatikën tokësore, humbet gjuhën simbolike dhe prandaj pushon së pikturuari. Megjithatë, disa njerëz do ta ruajnë përgjithmonë. Artistët dhe shkrimtarët janë sjellë në botë pikërisht për të ruajtur Gjuhën Simbolike, për ta vazhduar KODIN. Kanë një mision shumë të lartë.
…
D – Nëse gjuha e dhuruar, gjuha esenciale, gjuha bazë nuk është gramatika, çfarë mendoni se është?
G – Gramatika është shumë e nevojshme në rafshin e komunikimit të përditshëm. Por ajo u dhurua për të krijuar botë të tjera paralele.
…
D – Ju flisi si për një gjuhë pa gramatikë, për një gjuhë pa kohë, ndërkohë që koha është e rëndësishme sepse nuk kuptohet a u krye një veprim a jo (e bleve bukën, apo do vesh ta blesh?) Bashkë me eptimin zhvillohen edhe parafjalët që tregojnë drejtim. Fjalitë e përbëra janë edhe më të padeshifrueshme pa gramatikë.
G – Ka dy kohë. Kohë për qendrën dhe kohë për periferinë. Koha e qendrës është totale ndërsa ajo periferike është e ndarë nga totaliteti dhe lëviz në mënyrë lineare. Gjuha është e mbarsur me kohën. Gjuha dhe koha janë e njëjta gjë. Janë arketipe. Janë të dhëna. Nuk kanë as fillim dhe as fund në esencë. Në botën e formës kanë drejtim, kah,etj. Por, Gjuha qëndrore është një heshtje e madhe që nuk lëviz, por shtrihet kudo. Qendra është kudo dhe Periferia nuk ekziston. Zgjedhimet, lakimet, nyjet etj nuk janë gjë tjetër, veç emërimet e rrugëve për të orientuar kalimtarin nëpër qytet. Por kur kalimtari të ngrihet lart, kjo hartë e gramatikuar nuk i hyn në punë se e sheh të gjithë planimetrinë nga sipër dhe ka tjetër mënyrë orientimi. Për kalimtarin, KUQ dhe KEQ jane dy fjalë te ndryshme, ndërsa për atë që sheh nga sipër KUQ = KEQ, janë e ekuivalente. Në shkrimet e shenjta egjiptiane me ngjyrë të kuqe shkruhej emri i perëndisë SETH që për ta ishte vetë djalli kristjan. Mbretërit pretendojnë se kanë linjë gjaku Blu dhe jo të KUQ, të KEQ për rrjedhojë.
…
D – Ju flisni për një gjuhë të falur (dhuruar) dhe nga ana tjetër, për një gramatikë ordinere. Por ajo që është dhuruar, nuk mendoni se është Gramatika Universale? (një gjuhë e strukturuar paraprakisht në tru)? Mbase leksiku mund të ishte pjesa ordinere e gjuhës…
G – Fjalen gramatike ordinere nuk e përdorëm me sens përbuzës. Ajo thjesht nuk duhet të jetë mendjemadhe, por të kryejë detyrën që ka dhe kaq. Por ajo shpesh ka hyrë si elefanti në dyqanin e farfurinave dhe ka bërë dëm duke thyer e bërë copë, që të lëvizë në një vend ku nuk e nxë vendi.
…
D – Mbase do të ishte mirë të pranonit që për të komunikuar na mjafton ajo gramatika bazale, universale që thotë Comski se është e lindur, por nuk kemi nevojë për atë gramatikën e mësuar që çdo fëmijë e mëson përmes imitimit dhe më vonë përmes shkollës. Pra, kjo gramatika shtesë, kjo zbukuruesja, ky ornamenti mund të jetë gremi që thoni ju. Kudo ku ka raport fjalësh, raport tingujsh, raport morfemash, fjalë që krijohen njëra pas tjetrës, kudo ka gramatikë.
…
G – Gramatika është njerëzore, ndërkohë që GJUHA është hyjnore.
D – Eksperimentet e psikologëve flasin për disa premisa të lindura tek bebet. Një i porsalindur të cilit i vendosen përpara objekte, shikon më shumë tek format, sidomos një rreth si fytyrë njeriu sesa tek ngjyrat. Nga ngjyrat tërhiqet nga e bardha e zeza, nga tingujt, tërhiqet nga zëri njerëzor. I bashkoni të gjitha këto në ndonjë domethënie gjenetike, diçka të gatshme, të kryer?
G – Nuk di se çfarë shikon fëmija më parë. Këto fakte duhet të saktësohen dhe nëse provohen, atëherë edhe vlen përpjekja për t’i interpretuar. Por natyrisht, që kanë të bëjnë me ndërtimin e njeriut. Fillimisht, fillojnë kufijtë tonalë, që janë e bardha dhe e zeza që rrinë në aksin e globit të ngjyrave. Dhe grija në mes. Pastaj, dalngadalë, ky tonalitet ngjyroset, bëhet e verdhë, bëhet e kuqe, bëhet blu. Një pikë është gri, ndërsa kur hapen si rrathë si guri në ujë, ato fitojnë ngjyrë. Është tjetër pamja e realitetit me ngjyrën. Në fakt kur u krijua bota, Ai tha: “ Le të bëhet Drita ” dhe Drita u bë. U nda e zeza nga e bardha. Drita u bë, por njeriu nuk mund ta shohë drejtpërdrejt si dikur në Kopshtin e Parajsës përpara rënies. Prandaj, ai mund të shohë vetëm ylberin që është një projeksion i dritës. Sheh Epifaninë e Dritës.
…
D – A është e para fjala apo figura, imazhi akustik apo imazhi pamor? Kujtesa njerëzore nuk mund të na ndihmojë dot as për të njohur se çfarë kemi kujtimin e parë në jetë, Pamja (tridimensionalja e dukshme) apo thënia (tridimensionalja e padukshme?) Apo kanë qenë të njëkohshme? Cila prej të dyjave e shkroi mendimin e parë të zezë mbi të bardhë?
G – Librat e CV-së së Njerëzimit (Mitet, Vedat, Popol Vu, Bibla, Kurani, etj) kështu kanë thënë: që e para ishte Fjala. Të gjithë flasin me Fjalën, meqenëse fjala ishte e falur. Por sot FJALA nuk ka me fuqinë e parë. Por në C.V. e njerëzimit bën pjesë dhe shkenca. Por ajo ende nuk e ka thënë mendimin e saj të fundëm.Të jesh e sigurt se në fund edhe shkenca do të bjerë tek FJALA.
…
D – Me ngjyrat apo me tingujt komunikon fëmija më përpara?
G – Unë nuk e mbaj mend këtë nga fëmijëria ime. Tingulli dhe ngjyra puthen. Po të shohësh filmin e Disneit “ FANTAZIA“ do shohësh se ai tenton që ta veshë tingullin me ngjyrë dhe ngjyrën me tingull. Ka një korrespondencë të madhe dhe thelbësore midis tingullit dhe ngjyrës. Por besoj se ka një hierarki në perceptimin e botës. Tingulli hyn i pari. Marr parasysh që fëmija dëgjon në barkun e nënës atë që ndodh jashtë. Shikimi i vjen më vonë.
…
D – Pra, fjala është e para. Ju i qëndroni tezës së Krijimit, se me anë të Fjalës u bënë të tëra. Nuk u bënë me mendimin?
G – Shkenca nuk e konfirmon këtë gjë. E thonë librat e shenjtë. Por shkenca për Krijimin, atë që tha pardje e kundërshtoi dje dhe do ta kundërshtojë nesër, por nuk do të ketë më kohë besoj, sepse vetë ajo po arrin në shumë konkluzione që në lashtësi njiheshin mirë, por kishin deri më sot letërnjoftimin e një fantazie apo gënjeshtre vulgare. Shpejt do të jete ajo vetë që do ta shpallë se vërtetë Fjala ishte e para dhe se me anë të saj u bënë të gjitha. Shkenca ka instrumenta për t’i mbushur mendjen edhe më skeptikut.
Dhe ka edhe një argument tjetër: Në Fillim të gjitha kanë qenë Një: Fjalë dhe ide; zë dhe figurë; e bardhë dhe e zezë; e mirë dhe e keqe. Në botë nuk kishte dualitet. Edhe njeriu ishte një me natyrën.
…
D – Pse Gjuha është një çështje kaq kureshtare, kaq enigmatike dhe e vështirë për shkencëtarët, me të cilën vazhdojnë të merren që nga lashtësia?
G – Nje copëzë nga afresku i madh i mendimit arab e shpjegon këtë: Ata thonë, se bota nuk mund të njihet, se poshtë tavolinës kanë rënë 7 gërma nga alfabeti. Kanë rënë dhe askush nuk i njeh, por e dinë se janë aty poshtë të fshehura dhe për momentin, të humbura. Për pasojë, frazat janë të mangëta, të çala dhe nuk lexohen qartë. Ditën kur këto gërma do të gjenden, atëherë çdo gjë do të bëhet e qartë. Mungesa e gërmave i bën frazat e mbetura hermetike dhe për pasojë, të pakuptueshme. Lind nevoja e zëvendësimit. Piktori, shtatë gërmat i zëvendëson me shtatë ngjyra dhe e plotëson frazën. Muzikanti po ashtu, i zëvendëson me shtatë notat muzikore dhe po ashtu e plotëson, etj. Të gjithë i zëvendësojne sipas “ profesionit “ të tyre.
Ditën kur gërmat do të gjenden, ato do të zënë vendin që u takon dhe në do të heqim ZEVENDESUESIT dhe do të flasim vetë, pa ndërmjetës. Moisiu nuk do të belbëzojë dhe nuk do të ketë më nevojë për Aronin. Do fshimë ngjyrat dhe notat. Të gjitha do të zëvendësohen me 7 gërmat e gjetura. Atëherë çdo gjë do të jetë e qartë si Drita e Diellit dhe shkencëtarët nuk do të kenë më kureshti.
…
D – Thuhet se njeriu më parë vizatoi. Si u shndërua figura në shkrim dhe pse përsëri ndjehet nevoja që shkrimi të kthehet në figurë? Për të komunikuar?
G – Shkrimi është epifanik për gjuhën. Gjurmët që janë lënë nga “ prehistoria ”, nuk janë fonetike, na janë lënë imazhe, figura. Shpellat më të vjetra në botë si shpella e Altamires dhe Lascaux apo vizatime të tjera në Shqipëri apo në shkëmbenjtë e Austrialisë etj, janë figura kafshësh, piktograma gjuetarësh, piktograma labirinthesh, piktogramat e diellit, kryqe…Këto ishin simbolet e para siç e dëshmon arkeologjia. Ka një histori të tërë që përshkruan rrugën nga këto simbole deri në shkrimin që njohim sot… Por shkrimi nuk mjafton.
Për shembull…në hapësirë është hedhur një raketë ndërgalaktike pa asnjë lloj shkrimi. Atje janë vendosur vetëm shenja për të treguar që ne jemi një planet, që bëjmë pjesë në nje sistem diellor dhe qe është vendosur njeriu…Pra, janë dhënë disa shenja ose esenca e asaj që ndodh. Eshtë nisur pa shkrim, pasi dikush që e kap në galaktikë, nuk e deshifron dot shkrimin. Një lloj kthimi sidoqoftë ka filluar të ndodhur.
…
D – Kjo do të thotë, që ne nuk e dimë se cila ka qenë gjuha e parë, ngaqë nuk na është lënë gjurma fonetike
G – Nuk është gjurma fonetike më e rëndësishmja, është gjuha simbolike. Dhe tek popujt primitivë, vizatimet nëpër shpella kanë qenë gjuhë për ta. Ne ato i konsiderojmë piktura primitive. Në fakt, nuk janë vetem piktura primitive. Janë edhe piktura, por janë së pari gjuhë. Tek egjiptianët u shfaqen hieroglifet, që janë më afër fonemave. Tek Asiret u shfaq shkrimi kuneiform. Në Kinë u shfaq hieroglifi kinez që ka mbetur në stadin e tij të vjetër edhe sot.
Egjiptianet tregojnë se Perëndia THOT, heroi i tyre civilizues hoqi nga fytyra e Perëndisë shkrimin dhe ua dhuroi njerëzve. Kjo e shpjegon faktin se gjuha ka një burim hynor. Qendra është prekur dhe është renditur në rrathët periferikë. Përjetësia u shtri në sensin linear. Lëviz me kahje.
…
D – Zakonisht, rreth moshës 5 vjeç është përvetësuar struktura gjuhësore e një të rrituri. Sidoqoftë, njëfarë ” adoleshence gjuhësore “, (termi im ky), ka midis moshës 6-10 vjeç. A shikoni ndonjë paralelizim mes mënyrës se si një fëmijë flet dhe mënyrës se si pikturon? Deri në cilën moshë pikturohet si fëmijë dhe a ka një moshë tranzicioni mes pikturës fëminore dhe pikturës për të rritur? Pra, të themi, një moshë adoleshence në pikturë?
G – Përderisa tek njeriu ekziston periudha e adoleshencës si periudhë fiziologjike, kuptohet që adoleshenca shfaqet në të gjitha veprimet që ai bën, në të gjitha raportet qe ka me vetveten dhe me të tjerët. Në fëmijëri të gjithë vizatojnë por me kohë, një pjesë e madhe nuk i kthehet më vizatimit dhe, kur e kalojnë femijërinë, thonë: “ Nuk di të vizatoj ”, edhe pse në fëmijëri kanë vizatuar po aq mirë sa edhe piktori. Por vetëm se piktori këtë periudhë të rrezikshme si adoleshenca nuk e kalon, por e bën mënyrë jete. Piktori është adoleshent i përjetshëm.
…
D – Pse piktura e të rriturve ndryshon thelbësisht nga piktura e fëmijëve dhe pse njeriu e braktis këndvështrimin fëminor, pikturën e vogëlisë ashtu si gjuhën e fëmijërisë? E pastaj rreket ta ribëjë dhe nuk e bën dot më.
G – Këtu kemi dy qenie përballë njëra-tjetrës; fëmijën dhe të rriturin. Fëmija asnjëherë nuk e quajtur gabim atë që mendon, shkruan apo pikturon i rrituri. Ndërsa i rrituri gjithmonë e ka konsideruar si të pamjaftueshme, të pasaktë ose gabim atë që bën fëmija. I rrituri ka qenë një herë fëmijë dhe çfarë ka ndodhur? Ka humbur kujtesën e çmuar. Sepse i rrituri është koshient dhe koshienca nuk është gjë tjetër, veçse burg, që mban nën të të gjithë subkoshiencën. Nëse për fëmijën, rrethi është edhe dielli, edhe rrota e biçikletetës, për të rriturin ka dallim shumë të madh mes tyre, sepse i rrituri flet me koncepte. Për ta, dielli dhe rrota e biçikletës janë gjëra krejt të ndryshme. Nëse u thua se janë e njëjta, të marrin për të marrë.
Por, ka piktorë që në një moment të caktuar të krijimtarisë së tyre i kanë drejtuar sytë qoftë nga modelet e pikturave të fëmijëve, qoftë nga fëmijëria e njerëzimit, arti primitiv.
…
D – Çfarë i shtyn që i kthehen kësaj pikture, kur në një moshë të tillë, përvoja u ka dhënë shumë mjete realizimi?
G – Është pikërisht përvoja që thërret t’i kthejnë sytë tek burimi. Tamam-tamam, duan të rikujtojnë gjuhën e harruar. Domethënë, civilizimi sofistikon, me dashje e pa dashje humb “ parfumin ‘‘që ka patur tek popujt e vjetër, kur piktura nuk ishte thjesht mjet luksi, por ishte magji për të shëruar, për të mallkuar siç përdornin edhe muzikën, siç përdornin dhe vallen, edhe fjalën. Pra e kishin mjet të shumëfishtë, pikërisht sepse të gjitha gjuhët janë si operatorë të lirë tek ata. Kurse në shoqerinë moderne, operatorët janë të ndarë dhe të ngrirë. As fjala dhe as piktura nuk e kanë atë fuqi. Ka popuj që nuk e përdorin fare ngjyrën blu. Blunë e shohin tek e zeza, sepse flasin me gjuhen simbolike. Gjithçka varet edhe nga struktura shpirtërore e popujve.
…
D – Mugesa e përvojës, si në gjuhë dhe në pikturë duhet parë si një element zhvillues apo defiçitar? Fëmijët krijojnë me fjalën “ mizë ” gjininë mashkullore të saj që nuk ekziston në gjuhë, krijojnë pikërisht nga një kërkesë për ta bërë këtë gjë, duke përdorur rregullat e gjuhës.
G – Dhe e gjejnë rrugën pa mëdyshje. Pikturën jo e jo që nuk e dëmton kjo lloj lirie që lind nga nevoja të brendshme, por as gjuhën. Vetëm e zhvillon këtë intuitë. Nëse na mungon një mjet, një shenjë, një simbol, me siguri që do të vihemi në kërkim qe ta gjejmë atë. Kujto abatin Fari në errësirën e kështjellës së Ifit. Kujto Schliemann etj.
…
D – E shikoni të diferencuar rëndësinë e fjalës nga fëmija tek i rrituri?
G – Fëmija nuk ka kohë ta keqpërdorë fjalën, sepse jeta e fjalës është e lidhur me jetën e njeriut dhe shoqëron të gjitha deformimet e saj. Gënjeshtra të vogla fëmijët bëjnë, por ky “ infeksion‘‘ nuk e ka dëmtuar fjalën ende në aks, në kollonën vertebrale. Ndërsa i rrituri, duke e keqpërdorur ka goditur strukturën e të vërtetës, e ka goditur edhe thelbin e fjalës. Nuk është më fjala e parë. Shih tek fiset indigjene, fjala është ekuivalente me të vërtetën. Nëse dikush pagëzohet me emrin ‘‘ dreri këmbëshpejtë ‘‘ dihej mirë, që ky ishte i tillë, ishte më i shpejti i fisit. Po kështu, ata vërtetë që flasin shkurt, flasin gati me rrokje, por fjalët janë të peshuara.
…
D – Piazhe thotë se fëmija mendon me imazhe dhe pastaj me fjalë…, pra kalon nga stadi i të menduarit simbolik, në të menduarit verbal. Si ndodh që ky proces bllokohet tek artisti i cili vazhdon të operojë në planin simbolik?
G – Në kokë kemi FJALEN që përkthehet në IMAZH, i cili përkthehet në fjalë. Trupi i njeriut ka shumë porta dhe i gjithë ambienti i jashtëm hyn në trupin e njeriut nëpërmjet këtyre portave; diku përcillet imazhi, diku përcillet shija, diku aroma, diku tingulli dhe i gjithë realiteti që është një gjë, copëtohet, njeriu e merr të copëtuar dhe prapë e bashkon brenda qenies së vet. Dikush e ka më të fortë imazhin vizual, tjetri ka më të fortë tingullin, dikush tjetër aromën. Fjalën e kanë të gjithë. Kjo është bota e përkthyer.
Përshembull, në kamera bota pasqyrohet mbrapsht. Pra bota u përkthyeka; nuk hyn drejt nga jashtë-brenda. Pastaj, ky është fluksi horizontal i futjes së botës (makrobotës në mikrobotë). Por është edhe një fluks tjetër, fluksi vertikal që ndodh nëpërmjet shakrave (shtatë pikat e trupit të njeriut të renditura në kolonën vertebrale, të gjitha me ngjyra ku bëhet lidhja e energjisë kozmike me trupin e njeriut sipas niveleve; niveli i kuq i pari, e me radhë). Artisti këto porta i mban të hapura qoftë dhe në mënyrë inkoshiente. Këto janë ekuivalente me 7 gërmat e alfabetit arab që kanë humbur.
…
D – Na duket që pikërisht, ngaqë piktori nuk operon me anë të fjalës, prandaj edhe nuk e përkthen dot në fjalë atë që ka bërë. Ka humbje kur kthen një simbol në një tjetër. Ndoshta ngaqë vepra buron shpesh nga subkoshienca, ndërkohë që fjala qëndron në koshiencë.
G – Fjala nuk rri vetëm në koshiencë. Por normalisht, piktori me veprën e tij, i ka thënë të tëra çfarë ka dashur të thotë. Por mund të jetë i detyruar ta përkthejë. Dhe e përkthen. Ngaqë nuk e punon pikturën me fjalë, prandaj edhe quhet “ përkthim ”.
…
D – Nuancat e ngjyrave janë të pafundme. Ato vazhdojnë në mënyrë të pandashme, kurse gjuha bën ndarje, vë kufij. Si mund të përkthehet pafundësia? A vëreni ju këtu një shkëputje, një pamundësi që na limiton?
G – Në thelb gjuha është e pafundme si edhe pafundësia edhe pse vetë fjala pafundësi është e fundme.
…
D – E pafundme por në kombinim, kurse në njësi leksikore është e fundme, sepse përndryshe nuk do t’i mbante dot memorja
G – Kjo është si tabela e shahut. Ka një numër gërmash të përcaktuara, siç ka edhe në lojen e shahut figura, fushë të përcaktuar, por kombinimet janë të pafundme. Edhe Universi kështu lëviz, me forma arketipale, të thjeshta për nivelin e perceptimit që jemi ne sot; (Ne jemi në nivelin e tretë, tredimensional. Por ka edhe nivele të tjera që njeriu tenton t’i kapë). Rreth, kuadrat, trekëndësh, sferë, kub, kon etj. Kjo është gramatika që strukturon botën.
Ngjyrat janë vërtetë të pafundme, por ngjyra – fenomen janë vetëm 5; e kuqe, e verdhë, blu, e bardhë dhe e zezë. Po të kesh këto 5 ngjyra krijon gjithë botën (e ngjyrave).
Themelore është se nga të fundmet strukturohet e pafundmja. Numrat përshembull janë të pafundëm. Ne përdorim disa numra, aq sa na duhen.
…
D – Gjithësia është e mbushur me kode që nuk kanë arritur të zbërthehen dhe ndoshta nuk do të zbërthehen kurrë. (Zakonisht mendojmë, që në mes ka një kod, kur nuk vendosim dot marrëdhënien shkak – pasojë). Një kod i vështirë është edhe kodi i ëndrrave.) A mendoni se kodi gjuhësor është kodi më i zhvilluar nga të gjitha kodet, për arsye se është i vetmi që është zbërthyer dhe kuptuar më mirë nga njeriu? A ka ende zona të errëta në këtë kod? (të mendosh që me një gjuhë flasim dhe jo rrallë keqkuptohemi e po me këtë gjuhë fshehim e themi të pavërta.) A nuk bëhet në këtë moment ky kod krejt i papërkryer, sepse ndoshta është i vetmi që mund të manipulohet nga njeriu?
G – Gjuha i ka të dyja. Sepse edhe këto kodet e tjera deshifrohen në kokë me anë të gjuhës. Edhe supersticionet, pasi ato janë kode, ku shkaku me pasojën nuk kanë lidhje. Edhe arti në një farë kuptimi është një supersticion. Sepse edhe në art, shkak – pasoja nuk është direkte. Njeriu të tëra këto do që t’i zbërthejë me anë të fjalës dhe në themel të shkencës hyjnore qëndron Fjala. Kodi i Gjuhës është themeli. Është Kodi bazë , por bëhet i vështirë sepse fjalët që themi, edhe pse e kanë kuptimin, tek ne nuk tingëllon kuptimi. Ne përdorim nivelin më të ulët të fjalës, shkallaren e parë. Ndërsa në nivelin e lartë do të ishte një mrekulli shumë e madhe të ndodhte. Kodi nuk ka sesi të bëhet i papërkryer, siç po thua. Ai është ligj që duhet zbatuar pasi është edhe maksimumi i lirisë.
…
D– E pësoi piktura mallkimin e gjuhës? A filloi bota të fliste përçart në pikturë sikurse në gjuhë, apo piktura mbeti një shpirt, një gjuhë?
G – Piktura plotëson pikërisht boshllëkun. Kur fjala bën zbaticën, e mbushin të tjerat, Piktura, Shkrimi, Muzika, Gjesti etj. Kur të vijë batica e fjalës, të gjitha do të treten. Nuk do të ketë nevojë njeriu më për to. Për asgjë tjetër. Do jetë vetë FJALA.