HUMBIN TAPITË E BOTËS
“Kapet vëllai i Sadamit”, “Pauell do të vizitojë Sirinë”, “Paslufta”, “Shirak: O.K.B. rol kyç”, “Shtëpia e bardhë. Kard: Sadami ka vdekur”, “B.E. Miratohet rezoluta”, “Edi Rama inaguron rrugën e Kombinatit”, “Irak, përfitime nga rindërtimi”, ”Armët”… ”Jo inspektimeve”…
“NEWS 24” transmeton pa ndërprerje. Dhe në këtë çorbë lajmesh, zëri përkëdhelës i spikeres komunikon së është vjedhur muzeu i Bagdadit. U vodhën plot 170.000 eksponate nga vetë irakenët, u dogjën disa shkrime të vjetra sa vetë bota dhe se disa shoqata ndërkombëtare po marrin masa që të gjenden gjatë shitjeve klandestine… etj, etj…
Tmerr! Kryelajmi transmetohet si të ishte lajmi më i parëndësishëm. Asnjë muze nuk proteston, asnjë Akademi, asnjë historian, arkeolog, shkencëtar, artist, intelektual, politikan. Askush!
Gjithë muzetë e botës duhet të mbylleshin si për ditë zije dhe ta shpallnin 11 prillin si një nga ngjarjet më të zeza që i ka rënë njeriut në kokë. Kjo humbje është përtej krimit, përtej turpit, përtej luftës dhe paqes, përtej diktatures së Sadamit. Kjo është diktatura më e poshtër, më e egër. Është diktatura e njeriut.
Nuk di kujt t’ja hedh këtë vrer! Ta hedh ty president Bush, apo ty Bler?! Ty marins apo iraken profan?! Të gjithë jeni pjesëmarës në krim. Dikur, shumë dikur, njerëzimi pësoi të njejtën humbje, të njejtën kataklizëm në Aleksandri. Pothuaj e gjithë biblioteka më e madhe e botës u shkrumbua në flake. Të jeni të sigurtë se bota sot do të ishte ndryshe. Ndoshta pa armë të sofistikuara. Ndoshta pa Bush dhe pa Sadam. Do të njihej Sekreti, thelbi i diturisë, “ arma ” e vetme dhe e ndershme.
Ndoshta njeriu sot do të kishte mbërritur tek NJERIU.
Nuk kam qënë kurrë në Bagdad. Nuk e kam parë Muzeun dhe nuk di e as nuk i njoh konkretisht objektet e zhdukura, 170.000 objektet. Të zhdukura në një çast të vetëm, sa hap e mbyll sytë, i denjë për “hajdutin e Bagdadit”. Por di me siguri, se në ato pllaka argjile ishin inçizuar belbëzimet e para të njerëzimit. Ishte fiksuar hapi i parë në memorien tonë sklerotike. Ishte koduar njohuria e parë për planetin tonë të panjohur. Ishin hapa më të rëndë se hapi i Neil Amstrong në Henë. Ishin dëshmitë e stërgjyshëve tanë arkaik.
Aty u ngrit kulla e Babelit, aty kishim vetëm një gjuhë, po aty na u ngatërruan. Prej andej u larguam të tërë dhe u shpërndamë si zogjtë e korbit nëpër dhera. Morëm nga një ngastër tokë dhe e quajtëm Shqipëri, Izrael, Egjipt, Greqi, Kinë, Itali, Francë, Rusi, Gjermani, Angli dhe Amerikë. Por lamë pas tapitë, pronësinë, shtëpinë e stërbabës.Këto tapi sot nuk janë më.
Humbën.
Në një ditë të vetme humbën mijëra vjet mesazhe, vizatime, imazhe, shenja, simbole, një botë e tërë e mbushur me emocione, ndenja dhe mendime.
Ishte një tapi e gjatë dhe komplekse, nuk mund të rindertohet pothuajse më. Historia njeriut kishte faqe mangut. Tashme ajo nuk është më. Filloi midis Tigrit dhe Eufratit, në Mesopotami, në Bagdad, tek vendi i Sumerëve dhe Akadëve. Ua lamë atyre t’i ruanin që t’i gjenim përsëri, sot në shekullin e XXI. Tapitë e botës ranë në duar të profanëve.
I humbëm.
Humbëm llogaritë e vjetra të grurit, numrin e bagëtive, kodet juridike, korespondencat, traktatet shkencore, veprat letrare, shkrimet fetare, formulat hyjnizuese. Champollion e Schliemann do të ishin çmëndur , por drejtori i Luvrit dhe i Metropolitanës, jo.
Të drejtohem ty o njeri i thjeshtë, që je krrusur nga hallet e përditshme: Është njësoj sikur të humbi Iliada, Odiseja. Dhe më keq akoma, sikur të humbi Bibla dhe Kurani. Nuk di kujt t’ja hedh këtë tmerr, këtë vrer. Ja hodha spikeres së TV, që nuk i levizte asnjë muskul i fytyrës e që komunikonte se si do të jetë koha nesër.
E shava: -Idiote! dhe u ktheva në krahun tjetër duke thënë me zë kafshe:
– Në djall tapitë e botës!
Ndërsa më zuri gjumi, pashë në ëndërr biblotekën e fshatit që digjej dhe bashkefshatarët e mij, që turreshin në zjarr të shpëtonin librat e poetëve të fshatit tonë.
GAZMEND LEKA
Ky shkrim është botuar në gazetën “ Dita ” në prill / 2003, si reagim ndaj vjedhjes Muzeut te Bagdatit, si një ndër muzetë më të pasur e më të çmuar në botë.