NE E KEMI FLAMURIN TOTEM
… Tjetërsohet flamuri shqiptar. Nga Amerika ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Metropol” një atlas, ku në një nga faqet e saj janë publikuar flamujt e shteteve…
… Me vija jeshile, me një katërkëndësh në qoshe, të mbushur me sfond me ngjyrë të kuqe dhe një dorë e shtrirë e rrethuar me yje, paraqitet sipas këtij botimi flamuri ynë…
… “ky botim është i vitit 2003, i publikuar nga “American Education Publishing” dhe e shtypur në Mc Graë-Hill Children’s Publishing. Duke shërbyer si guidë për njohuri gjeografike nga gjithë bota, ky atlas është përgatitur për fëmijët e shkollave”…
Janë copëza të një lajmi-shok të botuar në gazetën “Metropol”.
Lajmësi nuk ka faj. Një ditë më parë, kur gazetarja Violeta Murati ma tha në telefon, nuk doja ta besoja derisa mora gazetën në dorë të nesërmen. Dhe për më tepër, poshtë “flamurit shqiptar” nënvizohej se gjua zyrtare e Shqipërisë është shqip dhe greqisht.
Ta quaja pakujdesi?! Ta quaja injoranë?! Ta quaja dashakeqësi?!
Një shpirt që tronditet thellë çorodit dhe errëson mendjen. Ndërsa përpiqesha ta klasifikoja faktin , mërmërita nëpër dhëmbë:
-Atlas muti!
…
Ditë më parë, në “Panairin e Artit 2004” në Montechiari, dikush u drejtua në tryezën tonë dhe pa e zgjatur tha:
-Flamuri shqiptar është më i bukuri ndër të tjerët!
Nuk dinte të shpjegonte më shumë. Ishte thjesht një akt dashurie i trashëguar nga fëmijëria. Na tregonte se kur ishte i vockël qëndronte me orë të tëra mbi kapitullin “Flamujt e botës”. Qe me profesion arkitekt.
Botuesi i “American Education Publishing” pretendon të ndërtojë një ngrehinë arkitekturore informative e kulturore në shpirtin e fëmijëve amerikanë e më tej, por ndoshta lë pa dashje një grope në themele dhe me një gropë në themele dihet se ç’fatkeqsi të kanoset. Këtë e dinë më mirë arkitektët dhe për më mirë akoma KRYEARKITEKTI.
…
Ju zotërinj që keni botuar këtë Atlas, mbani vesh!
-Flamuri kombëtar është kryeshenja e një Kombi. Kur ai digjet, griset, dhe shkelet me këmbë të duket me të drejtë se digjet, griset dhe shkelet me këmbë vetë Kombi. Është flamuri që mbush rrugët e sheshet në të mirë e në të keq, në paqe e në luftë, që ngrihet në rast festash e që ulet në gjysme shtizë në zi kombëtare. Ngulet në katin më të lartë të shtëpisë që ndërtohet si për të larguar energjinë e syrit të keq .
Shqiptarët kanë dhe një dukuri më tepër: Hymni kombëtar është Hymn për flamurin. Si gjithë të tjerët, ne e kemi flamurin Totem dhe mendojme se na sjell fat. Është fati i fisit shqiptar.
…
Ju zotërinj që keni botuar këtë Atlas, mbani vesh!
-Flamuri ynë është si vetë Fjala. Me bashkëtingellore dhe zanore. Me të pandryshueshme dhe të ndryshueshme. Me qëndër dhe periferi.
Gjithmonë Kuq e Zi. Me shqiponjë. Dykrerëshe.
Ne mbajmë zogun si për shenjë aleance të Tokës me Qiellin. E mbajmë për humbje graviteti. E mbajmë si për shpirtin që fluturon e del nga trupi siç e tregonin më të lashtët. Dëshmitë e vjetra e konsideronin zogun si miqësi të Zotit me njeriun. Ende ne nuk e kemi humbur atë. Janë zogjtë ata që ruajnë “diçka” nga kënga e Zanafillës. Zogu i flamurit shqiptar është si shpirti i vetë Zotit, që fluturon mbi ujërat e para, qysh para Krijimit.
Nuk e kemi thjesht zog, por Shqiponjë.
E kemi Kryezog. Mbret të zogjve. E kemi si shenjë Inkarnacioni. E kemi të Zi, të bashkëvlefshëm me Dritën Intelektuale, që e sheh dritën pa ju përvëluar sytë.
…
Dikur ishte atribut i Zarathustrës, Zeusit, Krishtit. Ishte emblemë e Qesarit dhe Napoleonit. E mbanin për flamur perandoritë e mëdha, Bizanti, Rusia, Austro-Hungaria… por sot na është besuar vetëm ne.
…
Ju zotërinj që keni botuar këtë Atlas, mbani vesh!
-Shqiponja jonë është simboli kolektiv i BABAIT.
…
Ishte shqiponja ajo që çukiste mëlçinë e Prometeut, kusarit hyjnor që vodhi Zjarrin, Arsyen supreme, Jetën dhe ja u dha njerëzve ende të papërgatitur për dhuratën. Ne e mbajmë si për kujtim të dënimit mbi fajin antik, si për dënim të mëkatit fillestar.
…
Ju zotërinj që keni botuar këtë Atlas, mbani vesh!
-Në “Upanishad” thuhet: “Janë dy zogj në degët e Pemës së Botës. Njëri ha frutin e pemës dhe tjetri e sheh pa prekur gjë”.
Ai që e ha frutin është UNI individual aktiv. Është periferik. Është i botës materiale. Tjetri, ai që rri, ushqehet me rrezet e dritës në pozicionin e Shpirtit Universal. Është qëndër. Është njohja e thellë, qetësia absolute, heshtja para krijimit. Është dita e shtatë e krijimit të botës. Soditje për Gjënë e krijuar.
Shqiponja jonë zotërinj, është kujtimi më i çmuar i këtij akti primordial. Ata dy zogj janë vulosur në një me dy kokë, si në flamurin tonë.
Shqiponja dykrenare nuk është monstër siç duan ta servirin disa humbësa. Nuk është Cerber, as Sirenë, as Qikllop, as Gorgone, as Centaur, as Harpi, as Sfinks, as Minotaur e as Kuçedër…
Nuk është materiale. Është hije. Është Kujtim. Është dyfishe siç është vetë Zoti. Energji femërore dhe energji mashkullore.
…
Shumë dëshironin ta mbanin por qe e rëndë. Është bekim. Është profetike.
E mbajtën Hititët, por e lëshuan. E mbajtën Selxhukët, por e braktisën.
E mbajti Bizanti dhe u shkatërrua. E vodhën Kryqëtarët dhe u tretën.
Austro-Hungaria u shpërbë. Rusia nuk e ka më në flamur kombëtar. Na është besuar ne. Edhe një kokë sikur të kish, do të mjaftonte të përkëdhelte sedrën e një mbreti. Kjo e jona ruan dy, si për Mbretin e Mbretërve. Si për Zotin vetë.
…
Ju zotërinj që keni botuar këtë Atlas, mbani vesh!
-Zoti kur t’i jep, t’i jep të gjitha pa mbetje. T’i jep të tëra për të të provuar. Na ka dhënë dhe KUQ dhe ZI. Tamam si në shkrimet e lashta të Egjiptjanëve, që shkruanin mbi papirus. Me të zezë kronikën dhe me të kuqe vetëm emrin SETH që është Djalli për tërë botën.
Shqiptarët Djallin e kanë Diell dhe Djalë. Flamuri ynë e ka të Kuqen si për gjak, si për jetë, dhe të Zezën si për Kohën vetë, Kronin që shqyen fëmijët e tij. Të Kuqen për element Zjarri dhe të Zezën për element Toke dhe Nëntoke.
Në hapsirë të Kuqen e ka për element horizontal dhe të Zezën për element trashandental. Përtej këtyre s’ka më botë. Ky është Kufiri i kufizuar.
E kuqja jonë është femërore dhe mashkullore.
E kemi femërore si për zjarr qëndror të njeriut, si për ATHANOR, furrën e alkimistëve ku ndodh shkrrja, pjekuria dhe rigjenerimi i Qënies, rigjenerimi i VEPRËS. E kemi për ngjyrë të Shkencës, së njohjes Ezoterike. E kemi të paprekshme si femra në gjakun e mestruacioneve, të paprekshme si xhelati me rrobe të kuqe, të paprekshme si kovaçi që luan me zjarrin flakë të kuq.
E kemi dhe mashkullor si esencë të principit të jetës. Si Diell.
E kemi për bukuri, forcë impulsive dhe gjeneroze.
E kuqja e flamurit tonë të kujton Druidët e Kuq, priftërinj e luftëtarë së bashku, të kujton të rinjtë afrikanë që lyhen me të kuq për t’u burrëruar, për rini e pasuri, e kemi si për të kuqen e verës, të festës dhe të karnavaleve. E kemi si verë të Meshës së Madhe.
Të kuqen ne na e besuan si për të kuqen e marsit luftarak dhe për të kuqin e Afërditës se dashuruar që ka për simbol Bakrin (Bukrin).
Na e besuan si për ngjyrë të perandorëve Bizantin e Romak, si për ngjyrë të gjeneralëve, patricëve dhe shenjë të shoqërisë së pasur. Na e lanë si shenjë shëndeti , emblemë lumturie, si për ilaç antihemorragjik. Na besuan syrin e ballit të dragoit, Karbonin e ndezur. Na e besuan si GRAAL për ta dorëzuar ditën e fundit në Fundit.
Na besuan të Zezën si kontakt me Kafshën, me universin instiktiv, primitiv. E lanë si për mohim ngjyre dhe për sintezë të sajë. Na e lanë për Alfën, Kaosin, Ferrin, Fillimin e thellë. Na thanë që ta purifikojmë për Omegë, Parajsë dhe Ringjallje.
E mbajtëm të zezën siç e mbajti Adami dhe Eva rrobën kur vdiqën shpirtërisht, si prifti kristian për mëkat fillestar, si Mawlahi në kujtim të gurit të varrit. E pranuam si për Oqeanin e Zi të Homerit, si për shenjë toke pjellore, Humus. E pranuam siç e pranuan t’i thërrisnin perëndeshat e zeza e të frikshme, ISIS, DEMETRA, CIBELE dhe AFËRDITA E ZEZË. Të zezën e kemi si për Gur te Zi, si për MEKË.
Shqiponja jonë e zezë rri si për ANIMA MUNDI, kubi i zi për nder të virgjëreshave që vizitohet nga sytë e pelegrinëve, nga sytë fëminorë të arkitektit.
Së fundmi e zeza e shqiponjës sonë rri si Vepra e Zezë hermetike që është vdekje dhe rikthim në Kaosin e padiferencuar. Kalon tek e bardha që mungon dhe përfundon së fundmi në Veprën e Kuqe.
…
Flamuri ynë është simbolikisht “ C ”. KARBON.
Është karbon i ndezur dhe karbon i shuar.
Është Karbon 14 për të matur moshën e Botës mbarë. Kush ka veshë ta dëgjojë e kush ka sy ta shikojë.
GAZMEND LEKA
Ky tekst eshte publikuar tek gazeta “ METROPOL ” me 23 / tetor / 2004.