Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jemi bashkë sot, për të kujtuar një nga ditët më me diell të Shqipërisë e të shqiptarisë. Është festë shumë e re për një komb të stërlashtë. Nuk është festë lindjeje, por rilindjeje sepse ditën e lindjes nuk e mbajmë mend. Askush nuk e ka ende ndricimin ta kujtojë.
Ditë si kjo e jona, rrine për gurë kilometrik në memorjen historike të kombeve. Ngrijnë si gurë sinori, që përcaktojnë kufinjtë shpirtërorë të popujve. Shumë kombe i kanë shenjuar këto sinore me moshë disa mijëra vjecare. Ne nuk e patëm këtë kujdes. Qemë të pavëmëndshëm, indiferentë e naivë të pandreqshëm, e mendonim se të tjerët do të na e dinin e do të na e njihnin, por nuk ndodhi kështu. Gabuam siç gabojmë shpesh herë. Shekuj të tërë mbetem pa Festë. Metëm pa të, deri ditën kur rrezikuam të humbisnim pa nam e nishan.
E ndërsa po treteshim ngadalë e pa u vënë re, u kujtuam se po humbisnim
“ Bukën, Kripën dhe Zemrën. ” Po tretej gjuha e gjaku. Shenjuam me të kuq në kalendar një dite fort të ndritëshme. E mbollëm të kuqe midis të zezave. Mbollëm KUQ e ZI. Mbollëm një ditë plot valenca, ne kujtesë për nentorin e Kastriotit, nëntorin e Rilindjes e nëntorin e TRETË. Kryefestë mbjellë me festa. Me festë mëvetësie, festë identiteti,f estë kuq e zije dhe festë ringjalljeje.
E ngjeshëm me zemër, me mendje dhe me pendesën tonë. U penduam thellë që nuk mbanim mend ditëlindjen e Atit dhe Mëmës, ditëlindjen e atëdhemëmëdheut tonë.
Perendia na i paskesh dhënë të gjitha dhe ne nuk kishim memorje.
Diell e Hënë te plotë e të pastër, Qiell me shpezë, Det plot me gjallesa, Male shqipërie dhe Lisa të gjatë, Bregore bukuroshe e Lumej të kulluar. Dhe nëntokën na e mbolli me farëza mineralesh si për natë shtatzanie.
E do të jetë turp për ne që t’ja dorëzojmë ditën e fundit të Gjyqit me diell e hënë te mbuluar nga pluhuri, qiellin me klitha, pasthirma e fjalë të ndyra adoleshentësh përzjerë me zhurma gjeneratorësh, det të vdekur pa peshq vrarë nga dinamiti e me kufoma në ikje si prej një mallkimi, fusha shterpë e ujëra që nuk bëjne dritë! Apo ndoshta nuk do t’ja dorëzojmë fare këtë tokë, duke mos e njohur për pronar?
Dhe përsëri Atë gjykojnë e i hedhin faj që na nguli në një truall të nemur ku të gjithë pyesin: “ A do të bëhet Shqipëria ? “ e askush nuk di të thotë: “A do ta bëjmë ? “. E me i miri mes nesh, do të përbuzëte politikën diletante të politikanëve para se t’ja mbathë nga sytë këmbet, nga Sodoma drejt Gomorrës, duke kthyer kokën pas për të mbetur kollonë kripe prej Loti.
Po të urtët?
Të urtët rrinë urtë dhe agjërojnë intelektualisht, duke shoqëruar festën.
Sepse 28 Nëntori eshte Pashka e Bajrami i shqiptarisë. Sepse shqiptaria është fe më vehte me ritet e saja.
Se 28 Nëntori është dita e lutjes së madhe kombëtare.
Se 28 Nëntori është dita e agjërimit të madh kombëtar.
Është ditë e ngjyer KUQ e ZI.
Është dita e shenjtë e të shenjtëve, ku hyet zbathur një herë në vit e merret takim me të,me Koshjencën Kombëtare.
28 Nëntori vërtetë është festë e sallës së Presidencës plot me politikanë e ambasadorë, por fillimisht është festa e shqiptarit që nuk pështyn as në të Majtë e as në të Djathtë, me friken se mos lendojë vëllanë në krah.
Është festa e atij që digjet në heshtje e pa bujë për Dheun, Gjuhën e Kuq e Zinë, e që nuk sheh me bisht të syrit se kush e sjell flinë më të madhe tek Altari i Sakrificës, por vdes,vdes si një deshmor.
Rroftë feja e shqiptarëve,shqiptaria!