REVISTA “VIP” INTERVISTON
PIKTORIN GAZMEND LEKA
1.Si nis nje ditë e juaja?
Dita ime fillon në orën kur sapo fillon e zbardhëllen. Në orën e mugëtirës. Me e rrezikeshmja ndër orët e ditës e të natës. Është ora kur nata me zili i bën vend ditës. Është ora kur nuk ka dalë ende dielli, kur atmosfera ka pamjen e një ” pikture të rënë në biak ”. Është ora kur bien tërmetet më të frikshem, kur Mummun, macja ime mjaullin në koridor e kërkon shpëtim. Është ora kur tërhiqen zvarrë të burgosurit nga qelitë për të dëshmuar atë që nuk e kanë rrefyer ditën me diell. Është ora e arrestimeve…Është ora e xhelatit. Është ora kur krijimi merr pamjen e krimit.
Ështe ora 4,00 e mëngjezit.
Mëngjezi i herët më gjen zhytur në një kaos imazhesh e mendimesh, ku përzihen ngjarjet e një dite më parë me pikturën e re që më duhet të nis në studio.
Pastaj…çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Çohem nga shtrati, ha mëngjez, laj dhëmbët dhe shkoj me nxitim në studio.
2.Çfarë “pëshpërit” piktura juaj ?
Mirë e thua që piktura pëshpërit. Piktura ime nuk është memece. Thotë shumë gjëra. Herë herë i thotë nën zë, e herë herë me zë të lartë, aq sa edhe të shurdhon. Por, po ti vesh veshin me kujdes, do shquash në të gjithë Qenien time. Do prekësh një qenie që nuk është aspak e ndryshme nga Qenia tënde. Piktura ime ka pamjen e një udhëtimi. Është zhytje në erresirën plot dritë të shpirtit. Pëshpërimat e saje më rrëfejnë udhën për tu kthyer në qendër, në shtëpi.
3.Cili zhanër është me intim për ju?
Nuk zgjedh. Thjeshtë ulem dhe pikturoj gjithë kujtimin tim për një botë që ka humbur brënda meje. Është bota që ka humbur brënda nesh.
4.Ne tabllote tuaja mbizoterojne ngjyrat e errta. Është pjesë e stilit tuaj,apo shprehje e gjëndjes suaj shpirtërore?
Pikturat e mia i shoh si anije të braktisura pas një udhëtimi të gjatë. Në ato anije kanë ndodhur shumë ngjarje të mrekullueshme, biseda, dolli, vrasje, dashuri, tradhëtira e vallezime pa fund, por më së fundi mbetet skafi i ndryshkur në breg, ashtu si mbeti Argosi që u shëmb mbi kryet e Jasonit. Të gjithë largohemi të ngazëllyer dhe e harrojme atë aty në breg, në mëshirën e dallgëve.
Imazhet janë si kujtime te turbullta të të dikurëshmes. Janë të errëta si për nostalgji të dritës.
Mistiket e mëdhej thonë së “ DRITA ËSHTË E ZEZË “. Po të kenë gënjyer , j’u kam gënjyer edhe unë.
- A ke idhuj ne pikture?
Idhuj!!!???
Idhulli im është Gazmend Leka i pashfaqur, i parrëfyer, i pazbuluar ende.
6.Ju jeni proff. ne Universitetin e Arteve dhe referoni krahas piktures lenden “Teoria e Ngjyres”. Cfare gjeni interesante ne te?
Thjeshtë…është një punë.
Më thjeshtë akoma…është një mision.
Këtë emocion e kupton vetëm ai që ndodhet përpara auditorit plot e përplot me studentë të etur që të dëgjojnë fjalët e tua. Ndihem si kopështari që mbjell farë. Kur mbjell farë të mirë, marr të korra të mbara.
Nëpërmjet Gramatikës së Ngjyrës une përpiqem t’i bëj të ndërgjegjëshëm studentët, se krijimi i tyre që ndodh në mikrokozmos është ekuivalent me atë çka ndodh në makrokozmos dhe se ata duhet ta kuptojnë këtë raport delikat.
Gramatika e Ngjyrës nuk është gjë tjetër veçse një Ligj në Kaos.
- Kam pare foto tuaja që këmbëkryq në dyshemenë e Galerisë Kombëtare të Arteve bisedoni me studentët. Është një menyrë komunikimi me ta?.
Po. Është një nga mënyrat më të dashura të komunikimit me ta. E kam bërë zakon, që kur çel ekspozitë personale, shoqëroj studentet në sallë dhe aty bisedoj me ta rreth KRIJIMIT tim.
Ulem me ta në dyshem, flas, u përgjigjem pyetjeve dhe më pas ndërsa largohem më ngel një shije e mrekullueshme që më mban gjatë. Janë të dashur pafundësisht.
I dua shumë studentët e mij!
8.Si ju ka mbështetur familja juaj në krijimtarinë e kaq viteve?
Një artist në familje shëmbëllen me një qelize kanceroze që gllabëron çdo gjë që i del përpara. Gllabëron gjithë dashurinë që i hedhin dhe nuk ngopet me të. Është një qelize e cila lexon gjithë informacionin që percillet pa mbetje. Është e aftë të njohëçdo gjë, të shkatërrojë çdo gjë…
Unë e njoh këtë mallkim të bekuar. Familja ime e njeh këtë bekim të mallkuar.
9.C’farë mendoni për prurjet e sotme në artet figurative ne Shqipëri?
Çdo ditë marr ftesa për hapjen e ekspozitave në galeri shtetërore e private. Unë nuk mund t’i ndjek të gjitha, por njëkohësisht është një tregues që dëshmon një jetë të pasur artistike. Ndjej në ajër se qarkullon një energji që është përkthim i shpirtit krijues shqiptar. Shumë artistë i njoh nga afër, pasi kanë qenë studentë në ateljenë time. Ndërkohë që shoh krijimet e tyre, padashje më kujtohen detyrat e tyre të fillimit në ateljenë e Akademisë së Arteve. Më kujtohet ndroja, pasigurija, rebelizmi i pashpallur dhe më shijon pa masë rruga që kanë nisur të përshkojnë, pasi shkarazi më rikujtojnë edhe fillimet e mija.
- Nje mesazh për të gjithë të rinjtë e talentuar që duan të ndjekin rrugën tuaj…
U them… mos e ndiqni rrugën time!
Atë rrugë e kam shkelur unë. Për të shkuar ne thellësi të qenies së tyre ka një pafundësi rrugësh. Edhe më e keqja ndër to, është më e mirë se imja. Ta gjejnë dhe t’a vizatojnë në hartën e tyre për orjentim siç edhe bënin detarët kur zbulonin rrugë të reja për në “ ISHULLIN E THESARIT ”.