GAZMEND LEKA: NJOHJA ME CHAGALL-in
NË VITIN 1972 DHE NDIKIMI
TEK ARTISTËT SHQIPTARË
Gazeta MAPO / 17 Korrik 2012
Mark Shagall (Marc Chagall) është një nga artistët më të suksesshëm të shekullit XX. Biografia e tij “Jeta ime” u shkrua nga Shagalli në Moskë, ndërmjet viteve 1921 dhe 1922, kur ai ishte tridhjetë e pesë vjeç. Biografia e Shagallit duket sikur lidhet me një doktrinë të lashtë, sipas së cilës piktura dhe poezia duhet të simbolizojnë eksperiencat e jetës, si dhe ndjesitë që ato evokojnë. Libri i tij “Jeta ime”, në vetvete një poezi në prozë, është një vepër e rëndësishme në karrierën e tij. Ai është një eksplorim i mrekullueshëm i kujtimeve të tij çifute-ruse për fshatin e tij të dashur dhe për “takimin” me avangardën në Parisin e fillimit të shekullit të njëzetë. Në fakt, në këtë pjesë të biografisë së tij, Shagall flet vetëm për jetën e tij gjatë dhe pas revolucionit rus. Shtëpia botuese “Onufri”, përmes përkthimit të Sokrat Gjerasit, sjell për herë të parë në shqip kujtimet e një prej piktorëve më të njohur që frymëzoi një brez të tërë artistësh edhe në Shqipëri. Një prej tyre është dhe Gazmend Leka. Në këtë rrëfim për MAPO-n, Gazmend Leka rrëfen “takimin” e tij të parë me Shagallin në oborrin e Liceut Artistik dhe ndikimin që pati ai tek ata të rinj 17-vjeçarë që një ditë ëndërronin të ishin si ai.
Zoti Leka, ju jeni i pari që morët në dorë kopjen e parë të “Jeta ime” të Mark Shagallit për ta lexuar. Botuesi i “Onufrit” më tha se e kishte rezervuar vetëm për ju këtë kopje. Përse?
Nganjëherë, gjërat e bukura të vijnë papritur dhe unë kisha kohë që e prisja këtë libër. Ndodhesha si çdo ditë në studion time dhe po punoja, kur më vjen një telefonatë nga Bujar Hudhri, që më thotë se sapo ka nxjerrë në treg biografinë e Mark Shagallit. Ishte një kënaqësi e madhe sepse në momentin që dëgjoja emrin e tij, m’u ndërmendën shumë kujtime nga e kaluara ime, pasi Shagalli është shumë i lidhur me ne shqiptarët. E mora librin, por atë ditë nuk e lexova. Shpeshherë më ndodh që kur ndjej se kam diçka të mirë, stepem dhe e lë pak të stazhonohet. Kështu bëj me të gjithë librat që blej, i lexoj pas do kohe. Dhe çdo ditë që e shoh i them vetes, ja se po i vjen radha. Kam nevojë për një lloj parapërgatitje të brendshme që ta shijoj leximin. Kështu më ndodhi dhe me Shagallin, edhe pse nuk durova të prisja gjatë. E kisha lënë mbi tavolinë, kur erdhi momenti që mora ta lexoj. Ishte darkë dhe nuk e lëshova nga dora derisa e mbylla librin.
Çfarë ndodhi pasi e lexuat?
Kur përfundova se lexuari jetën e Mark Shagallit, m’u kujtuan të gjitha biografitë që kisha lexuar deri në atë moment. Dhe, mendova se njerëz të tillë që i vijnë botës si dhuratë, janë si puna e atyre profetëve që vijnë me mision për të na treguar rrugën që duhet të ndjekim. Përtej njohjes që ne kemi për ta si artistë, shkrimtarë, politikanë e të tjerë të mëdhenj, kur ata shkruajnë për jetën e tyre, na shfaqen në një dimension tjetër, atë që është e panjohur për publikun. Është ajo pjesë, e cila gjatë gjithë kohës ka qëndruar e fshehur pas kuintave, por që ka qenë shumë e rëndësishme në formimin e tyre. Në këto mendime më shtyu edhe libri “Jeta ime”, i Mark Shagallit. Të gjitha biografitë që kam lexuar janë të mrekullueshme, por ky ishte më i mrekullueshëm, dhe jo për faktin se unë jam piktor dhe Shagalli ishte i tillë. Unë kam lexuar dhe biografinë e Dalisë apo Pikasos, por duke lexuar Shagallin ndjeva një parfum jete, ndjeva që jeta është shumë e bukur. Shpeshherë ne e humbim këtë aromë nëpër labirinthet e mundimeve dhe vështirësive që hasim në përditshmërinë tonë. Libri i Shagallit ishte një prozë poetike e mrekullueshme. Shagalli do të thotë me këtë libër, se ti, kur arrin të gjesh një ekuilibër shpirtëror, çfarëdolloj gjendjesh të jashtme të ndikojnë tek ti, nuk e tronditin dot botën tënde. Dhe kjo ishte interesante nga mënyra sesi ai e shtjellon. Nuk merret me çikërrima për të të bërë kurioz, por me detaje. Ka detaje të pafundme që vetëm me një frazë apo me një fjalë të rrëfen gjithçka. Shagalli kur shkruan nuk është si shumë autorë që kur flasin për veten e tyre në të kaluarën e shohin nga larg, tamam si një mumje të konservuar në një sergofag, dhe ti si lexues e kupton shumë mirë se ajo i përket së shkuarës dhe se autori po e shkruan sot. Tek jeta e Shagalli nuk e ndjen këtë. E kaluara dhe e tashmja tek ai është një. Është shumë interesante se tek ai, koha lineare nuk funksionon më.
Kur jeni njohur me Shagallin?
Ai u bë dhe mësues për të gjithë ne studentët e Akademisë së Arteve. Për herë të parë e kam “takuar” në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ishte viti 1972 dhe ndjehej një frymë liberale. Asokohe filluan të qarkullonin disa libra fshehurazi. Ishim në orën e fizkulturës me profesor Asllan Rusin. Ai ishte një sportist që e donte shumë pikturën. I thamë se duam të shohim një libër që na e kishte sjellë një shok, dhe ai na la pushim. U ulëm në një cep të shkollës dhe filluam të shfletonim librin. Për herë të parë ne ramë në kontakt me Shagallin. Pikturat e tij na dukeshin shumë të çuditshme. Figurat e tij na dukeshin si pa gravitet, si çifti që fluturonte, apo violinisti me gjashtë gishta. Ato ishin piktura që nuk i përkisnin realitetit një me një. Ato ishin piktura prej shpirti dhe jo prej mishi.
Shagalli, thoni ju, është shumë i lidhur me ne shqiptarët…
Po, Shagalli për artistët shqiptarë ka qenë gjithmonë si njëri nga ne. Ai ka jetuar mes dy kohëve: në Rusinë cariste dhe në Bashkimin Sovjetik të Revolucionit të Tetorit. Periudha e Revolucionit të Tetorit ka qenë një periudhë me shumë ëndrra dhe me shumë krime. Ëndrra dhe krimi flinin në një krevat dhe ti nuk mund ta ndaje dot të vërtetën nga gënjeshtra. Shpeshherë te Shagalli shihet kjo përpëlitje. E caktuan komisar për artet, por ishte ai që ngriti Muzeun e artit modern në qytetin e lindjes. Por ishte po Shagalli që bashkë me nxënësit e shkollave shkruante parulla për udhëheqësit dhe revolucionin. Në libër ai flet për të gjitha këto, madje edhe sesi i drejtoheshin njëri-tjetrit me ‘shoku’ dhe jo ‘zotëri’. Këto i kemi kaluar edhe ne në Shqipëri. Unë vetë kam qenë në një moshë të rritur kur në Shqipërinë e ’90-ës ndodhën ndryshimet e mëdha. Të gjitha çfarë kishte kaluar Shagalli i kishin kaluar të gjithë artistët e brezit tim. Edhe ne para ’90-ës, sa herë që kishte kongrese apo parakalime na jepnin detyrë për të bërë parulla. Në atë kohë dhe ne i drejtoheshim njëri-tjetrit me ‘shoku’. Në gjithë këtë rrëfim që sjell Shagalli në libër, ti kupton se aty ka patur një tredhje të shpirtit të njeriut. Dhe Shagalli këtë e kupton në një moment të caktuar, kur vendos që të largohet nga Rusia për t’u vendosur më pas në Paris. “Kur të më dojë Europa, atëherë do të më dojë edhe vendi im”, – shkruan ai. Është shumë interesante sepse kjo ka ndodhur me shumë njerëz të mëdhenj. Por kur lexon Shagallin e kupton arsyen sepse këta njerëz në një moment arrijnë ta shprehin në këtë mënyrë revoltën e tyre, por ai moment mund të jetë edhe dashuria më e madhe që ata kanë patur për vendin e tyre. Dhe Shagalli ka patur një dashuri të madhe për vendin e tij, sepse tërë jetën ai nuk bëri gjë tjetër veçse bëri pikturë me tema nga vendi i tij.
Tek fati i Shagallit shihnit dhe fatin tuaj?
Kur na binte në dorë ndonjë album me veprat e Salvador Dali-së, kishte një moment që ne e kuptonim se ai ishte në një botë tjetër, larg nesh. Shagalli ishte shumë më afër nesh. Ai kishte kaluar rininë e tij, ashtu si dhe ne nën po të njëjtin regjim. Dhe në atë kohë na dukej shumë e çuditshme sesi ai, pavarësisht presioneve, arriti të dilte nga ai rrethim, dhe pse të mos dilnim edhe ne… Pra, Shagall ishte si një dritë shprese për ne, ndjesi që Pikaso apo Dali nuk ta jepnin sepse ata i ndjenim larg nesh, fati i tyre nuk kishte asnjë pikë takimi me fatin tonë. Pra, Shagallin e shihnim si një model që mund ta ndiqnim sepse kishim shumë të përbashkëta. Shagalli edhe pasi shkoi në Paris nuk u tërhoq nga gropa thithëse e rrymave të modernizmit, siç bënë shumë piktorë të tjerë. Ai u kalonte afër këtyre “gropave”, shikonte humnerën dhe vazhdonte punën e tij, pra ai ruante një lloj ekuilibri në punën e tij. Nuk u kontaminua nga ideologjia komuniste dhe nuk u vu në shërbim të regjimit.
Po si i shpëtoi kësaj?
Mendoj se e ndihmuan fati dhe përpjekja e tij e madhe për t’u larguar. Këto ishin fillimet e para të një rendi të ri, që pretendohej se ishte rend i ri botëror dhe njerëzit i lejonin vetes që të mendonin për gjëra gjigante, për ëndrra shumë të mëdha. Njerëz si Majakovski mbanin mbi supet e tyre gjithë ëndrrën botërore sepse pretendonin se kjo ide, ky rend i ri do të përhapej në botë. Sigurisht që Shagalli nuk ishte i kësaj avangarde. Ai ishte një njeri më i qetë, sepse edhe piktura ta jep këtë mundësi. Por Shagalli nuk e gjykon atë periudhë, ai thjesht përshkruan me detaje si ka qenë ajo kohë dhe ne që e kemi jetuar e kuptojmë sesi. Është shumë e çuditshme se me dy apo tri fraza ai të tregon shumë për atë kohë. Për shembull, në një rrëfim të shkurtër ku ai përshkruan një moment kur zbret nga treni për të shkuar në shtëpi. Përballë i del një qen dhe piktori i madh pasi ka ecur me orë të tëra me tren për të mbërritur në shtëpi, ndalet një moment para qenit dhe thotë: “Ujk kam përpara”. Pra, përfytyro me këtë frazë, ai na tregon për rrezikun e një sistemi që po instalohej.
Te “Jeta ime”, ai nuk flet fare për pikturën…
Kjo është gjëja më e mirë sepse egoja e tij është shkrirë me egon e gjithë botës. Do më thënë që dhe një njeri që nuk është piktor mund ta lexojë dhe shijojë atë libër. Ka depërtuar tek zemra e njeriut. Pavarësisht se ai këtë nuk e ka bërë me një koshiencë të plotë. Ai ka folur vetëm për veten, që njerëzit duke njohur atë, të kuptojnë dhe të njohin më mirë dhe veprën e tij. P.sh, ai nuk heziton të shkruajë se belbëzonte dhe fliste me vështirësi, dhe këtë e përshkruan aq bukur sa ti kupton se ky artist i madh, edhe pse mezi artikulonte kishte një shpirt poetik të mrekullueshëm. Edhe kur përshkruan personazhet me një frazë të vetme, ai të thotë gjithçka për to. Kur shkon të takojë Gorkin në shtëpinë e tij, ai shkruan se në muret e shtëpisë ishin varur ca piktura pa vlerë. Përfytyro tani Gorkin, atë shkrimtar të madh që mbante rrotull vetes dhe jetonte në një ambient rrethuar me piktura pa vlerë. Vetëm me atë frazë, unë arrij të kuptoj gjithçka. Ndodh edhe këtu tek ne një fenomen i tillë. Ose kur përshkruan Majakovskin, ai shkruan se atij i dilnin stërkala nga goja kur diskutonte, aq sa qullte të gjithë ata që kishte në rreshtin e parë. Dhe ti menjëherë kupton atë temperamentin e vrullshëm të Majakovskit. Ka faqe të tëra kur flet për miqtë dhe armiqtë. Ai nuk thotë se i ka falur, por vjen një moment që atij s’i intereson fare nëse i ka miq apo armiq dhe ti kupton menjëherë zhgënjimin e tij. Pra, në libër ka detaje që nuk janë çikërrima. Shumë biografi janë të sëmura nga çikërrima dhe ushqejnë njerëzit siç ushqehen korbat nga kërmat, ndërsa Shagalli sjell detaje të mrekullueshme, dhe këtu ka një dallim shumë të madh.
Çfarë të ka tronditur më shumë në libër?
Unë pothuajse e njihja jetën e tij dhe asgjë nuk prisja të më trondiste. Një libër ose të trondit, ose të përkëdhel. Mua, jeta e Shagallit më përkëdheli. Ishte shumë i butë, shumë njerëzor. Por aty ka një detaj shumë interesant, që mua më bëri përshtypje. Shagalli ka lindur pa frymë, (i vdekur) edhe unë kam lindur pa frymë. Pra edhe në diçka kaq personale gjeta një pikë takimi me të. Ka qenë një doktor rus që më ka shpëtuar, kur e lexova mbeta i shtangur si çdo njeri që gjen një pikë takimi me dikë.