MISTERI I TABLLOVE TE MJESHTRIT GAZMEND LEKA

 

’’ Symbolon ’’ titullohet ekspozita me 31 tablo të piktorit Gazmend Leka. Ky cikël ka si zanafillë vitet 2004-2005, kur ai krijoi tablotë e para, (6 vepra të realizuara në kanavacë dhe 8 vepra në suporte druri). Aleksandër Josifi , një nga koleksionistët e njohur në rrethet artistike shqiptare, koleksionoi 6 veprat e para dhe i kërkoi piktorit ta plotësonte këtë cikël me vepra të tjera. Leka ju përgjigj duke krijuar në vitet 2013-2014 edhe 24 vepra të reja, që u bënë menjëherë pjesë e koleksionit “Josifi”. Pra, cikli i plotë ” Symbolon ” në këtë ekspozitë i prezantohet publikut shqiptar për here të parë. Por çfarë përfaqëson “Symbolon”? për artistin GazmendLeka?
Ai e shpjegon përmbajtjen e këtij korpusi të veçantë me ” esencen ” piktorike të shpirtit të tij artistik: …” Symbolon i ka rrënjët në thellësinë sekrete të qenies, pasi qenia vetë është Symbolon ” – shprehet ai dhe shpjegon më tej: ” Ai është ndërmjetësi që bën të panjohurën, të njohur. Si i tillë, më zbulon aspektet më të rëndësishme të realitetit tim, aspektet më të thella që i ikin çdo mjeti njohje. Pikturat e mia janë imazhet që flinin brenda meje. Të gjitha sëbashku qenë Symbolon. Unë e theva Symbolonin. I mora copëzat një e nga një dhe i shoqërova nga skuta më e thellë e nënvetëdijes, në sipërfaqen e vetëdijes, ku dhe i ribashkova. Rikrijova Symbolonin. Është një proces ndarje dhe ribashkimi. Është proces rinjohje i vetvetes. Nuk më vjen keq, që Symboloni i rikrijuar në sipërfaqe, nuk është identik me Symbolonin arketipal të thellësive të errëta, por është refleks shumë besnik i tij. Është një gënjeshtër e madhe… por jam artist, dhe si i tillë, zmadhoj rrezen e së vërtetës nëpërmjet saj. Ndoshta, ky është dimensioni i shenjtë i njeriut, zmadhimi i së vërtetës nëpërmjet gënjeshtrës. E vërteta dhe e pavërteta, janë SYMBOLON. E tillë është piktura ime. ” Symboloni ” i Lekës edhe pse në çdo tablo gjen tituj të veçantë, ngjizet me disa linja të përbashkëta që e unifikojnë atë, si: tematikë, zgjidhje kompozicionale, ngjyrë, dritë, teknikë dhe dimensione.
Në të gjitha veprat e ciklit ” Symbolon ” mungon figura njerëzore. Mungon personazhi i planit të parë, që zakonisht shoqërohet në mënyrën klasike nga sfonde të ndryshme apo dhe nga figura të tjera, mungon sfondi klasik i brendisë, mungon natyra reale dhe perspektiva e saj. Artisti Leka në tablotë e tij ka zgjedhur si imazhe kryesore konture figurash gati abstrakte (shpesh pa kokë), të krijuara prej tij, të panjohura, të pa personalizuara në shoqërinë e sendeve dhe kafshëve të ndryshme, me imazhe arkitekturore, apo pjesë objektesh gjeometrikë. Artisti ka zgjedhur sende të thjeshta në dukje (shara, kompase. vizore, gozhdë, thika, hanxharë), por edhe objekte të tjera apo dhe kafshë (piano, harpën, varkën, anije, shpata, kafkë dashi, gjarpër, demi) të cilat shpesh rrinë pezull duke lëshuar poshtë apo anash tyre figura të tjera hijesh të plota e të zeza, apo hije transparente rrëshqitëse. Imazhet e panjohura që Leka i krijon me fantazinë e tij, në vazhdimësi, janë imazhe të objekteve reale (sfera, kone, kuba, kupa, froni) që nga tabloja në tablo ndryshojnë dimensionin dhe pozicionin që ato zënë në telajo: herë në plan të parë dhe herë në thellësi, apo në plane të veçanta. Në disa tablo imazhi qendror (nëse do ta quanim të tillë), është pikturuar në thellësi si hije, me tipare që mezi identifikohen, pa vëllim dhe që duhet pakëz vëmendje e përqendrim për ta shquar. Këto imazhe misterioze, shpesh duket sikur hyjnë fshehurazi si hije, duke i fshehur format e tyre. Në të tjera, imazhi kryesor mungon dhe artisti evidenton objekte të vogla që duken si rastësore dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Leka ” vizaton ” lehtë imazhe godinash kulti e adhurimi, me çati dyujëse që shpërndahen si rastësisht në plane të ndryshme brenda kompozimit. Kjo mënyrë e paraqitjes së tablosë, i ka dhënë artistit Leka një mundësi të thyerjes së disa tabuve dhe dukurive në pikturën bashkëkohore shqiptare. Në krijimtarinë e Lekes, asgjë nuk është rastësore dhe e pakuptimtë, por perceptimi i tablove të tij ka nevojën e mësimit të alfabetit të saj. Këtë ” alphabet ” të veçantë artisti e krijoi për vite e vite me radhë, nëpërmjet disa cikleve piktorikë që lanë një gjurmë të thellë tek artistët dhe kritikët për të papriturën dhe , për mënyrën e krijimit të magjisë dhe misterit filozofik.

Në esencë, frymëzimi, përkatësisht qenia dhe qenësia krijuese e Gazmend Lekës, është fare e tokëzuar, e lidhur ngushtë dhe organikisht me tokën shqiptare, me autoktoninë kombëtare, me ” Shqipërinë e shenjtë dhe kozmike “, e cila, si një spiritus movens vë në lëvizje tërë qenien e tij krijuese, madje më tepër se sa jemi të prirur të shohim dhe të pranojmë. Filozofi dhe esteti Hegel, e konsideronte të bukurën si një perde që fsheh të vërtetën. Këtë çështje që mendimtari gjerman e qëmtoi përmes gnoseologjisë spekulative, piktori ynë Gazmend Leka, e trajton në mënyrë praktike, duke e margjinalizuar të bukurën, pikërisht për hir të së vërtetës. Madje as gama koloristike, nuk shquhet me çiltëri, e aq më pak me bukuri shqisore, sepse piktorin e intereson e vërteta, qoftë ajo madje strukturë e zezë, atonale dhe e heshtur. Artisti filloi ta ” endë ” origjinalitetin e tij me mjaft pasion dhe këmbëngulje vite më parë, në 1987-1988, kur realizoi vizatimet me penë të ciklit ” Legjenda shqiptare “. Kjo nismë e fundit rreth viteve ’90, ishte një ndërmarrje e vështirë, por që e lejoi të guxonte në abstragimin e formave dhe interpretimin e figurave, gjë që i shërbeu si një hap i parë e i sigurt në rrugën krijuese origjinale të tij. Cikli i legjendave shqiptare, i pasuroi artistit imagjinatën dhe i ngjalli besimin se mund të hynte i vetëm në brendësi të shpirtit të tij për të hulumtuar, zgjedhur dhe evidentuar idetë e fjetura, këndvështrimet e ndryshme të një realiteti të izoluar dhe absurd të viteve 1980-1990. Ndërkohë që dhuna diktonte një ” art të infektuar ” me optimizmin e jetës socialiste, Leka ” zhytej ” thellë e më thellë me vetëdije në errësirën dhe thellësinë e shekujve, në legjenda, mite, filozofi dhe me kërshëri zbulonte rrënjët arketipale të atdheut të tij – Shqipërisë.
Në fakt, njohja me ciklin e fundit ” Symbolon ” të mjeshtrit – artistit Gazmend Leka, të krijon kënaqësinë e komunikimit me një koleksion jo të zakonshëm pikturash, mund të themi të rrallë, të papritur dhe goditës për publikun. Piktura e tij mbart brenda saj mesazhe filozofike. Vepra e tij me gjithë shenjat që mban, e pasuron artin bashkëkohor shqiptar. I pajisur me një talent të spikatur që në bankat e shkollës, këmbëngulës, eksperimentues dhe realizues cilësor i mijëra punimeve në vizatim, pikturë, filma vizatimorë, vepra monumentale muzeale, ilustrime veprash letrare, grafikash të larmishme dhe i vlerësuar me shumë çmime artistike, i dekoruar me urdhra dhe medalje të larta – ai rrugëtoi herë heshturazi e herë zhurmshëm në shtigje artistike të panjohura më parë në artin shqiptar. Leka studioi e studion deri më sot që flasim, filozofi, fizikë, biologji, gjuhësi, letërsi, histori, arte pamore dhe arriti në konkluzione vetjake intelektuale që e shtynë ta kuptonte botën pa mure ndarës – si një të tërë, si një symbolon, ku sipas tij, priret të unifikohet shkenca, feja, filozofia e arti, që së fundmi po vërtetohen nga zbulimet e ” shkencave të thellësive “- fizika kuantike, parapsikologjia, gjenetika etj.
Duke patur një prirje drejt zbulimit të të panjohurave, ai “e drejtoi shikimin” e tij drejt misterit të shpirtit njerëzor, errësirës që e mbulon atë, me të panjohurat e mëdha të tij. Ky synim, krijoi si të thuash kërkesën për thyerjen e disa klisheve dhe rregullave të vendosura edhe në artet pamore shqiptare. Leka eksperimentoi fuqishëm në gjetjen e dritës brenda errësirës, të zbulimit të formave edhe brenda hapësirave pa diell, të evidentimit të disa qenieve alegorike dhe simbolike që zbulojnë forcën, pasionin, egërsinë, fuqinë, intrigën, ligësinë e shpirtit njerëzor, me një gjuhë artistike të veçantë, ku ” mungon ” ngjyra dhe drita diellore.
Në tablotë e tij mbizotëron qetësia, misteri dhe e panjohura, por edhe e vërteta.
Cikli piktorik ” Symbolon ” në shikim të parë të krijon ndjesinë e objekteve që lëvizin shumë ngadalë apo rrinë pezull në ajër. Të krijohet ndjesia, që ato objekte dalin magjishëm, nuk dihet se nga cili qosh i hapësirës, duke të futur në mendime për arsyen e prezencës në rrafshet e çuditshme të projektuara nga Leka. Këto objekte janë të ” kuruara ” me një saktësi dhe fuqi artistike të një mjeshtri të madh, i cili di të “orkestrojë” me virtuozitet deri në detajet më të vogla tingullin e secilit “instrument” në tablotë e tij me dimensionet e rregullta katrore (150 x 150 cm). Ato tablo, të duken si një libër i madh i hapur, që të detyron ti ” lexosh ” me vëmendje deri në fund. Leka tregon e nëpërmjet tregimit të tij magjik, me gramatikën e tij të veçantë, nën pushtetin e ngjyrimeve gri, transmeton mesazhe simbolike nga jeta, historia, mitologjia. Ai në heshtje tjerr Shqipërinë e tij ” të shenjtë dhe kozmike”. Ky është misioni i artit të tij në vite
Gazmend Leka është sot një nga artistët bashkëkohorë shqiptarë më të veçantë, më të shquar dhe me cilësi artistike në nivele të larta. Ai mbetet një artist i lidhur fort me vendin e tij, me qenien njerëzore dhe kontradiktat që ndodhin brenda tij, për këtë arsye ai shpalos fuqishëm elementë artistikë të përzgjedhur me kujdes nga disa thellësi misterioze të fantazisë së tij të veçantë artistike…
Kur ndodhesh para tablove të artistit Leka, menjëherë kupton se veprat e tij përshkohen nga një kolorit mjaft i rafinuar i tonaliteteve gri. Ato janë kuruar në mënyrën më mjeshtërore, me mjete të rezervuara që të krijojnë mister dhe kërshëri në zbulimin e ngjyrave që artisti ka përdorur. Kështu, Leka preferon të pikturojë në tonalitetet e grisë – metalizato dhe të një fluiditeti të sepias, grinë e mjegullt. E bardha e argjendtë klith, krijon tingullin e fuqishëm dhe ekuilibrin e disa prej tablove të tij në këtë cikël të veçantë. Në të tjera tablo mbizotëron një qetësi magjike, si një muzg ku shumëçka mund të shquhet në fluiditetin e përgjumjes. Pikturat e tij janë si një ëndërr e bukur, që kur e sheh me vëmendje, ndjen se e jeton edhe pse shumë gjëra janë të mjegullta dhe pa shpjegime, por siç ndodh në ëndërr, vazhdon të të pëlqejë ta jetosh atë realitet fantastik.
Këtë magji, tablove të artistit Leka ja shton edhe vendosja me mjaft sharm i disa tonaliteteve të ngjyrave të ndryshme që krijojnë në këtë cikël, një ” tingull orchestral “. Diku mbizotëron okra me dritë, në disa tablo të tjera okra e ” shurdhër “, jeshilja e zbehtë e ullirit, grija në tonalitete të kaltra e të shuara, grija e betonit, e kuqja e qetë, e kuqja e fjetur, e kuqja në portokalli, ngjyra të kafenjta…etj

Pra, muzika e kësaj “orkestre” piktorike të magjeps dhe të pëlqen ta shijosh, ashtu siç shijohet dhe admirohet pa asnjë shpjegim cicërima e zogut dhe muzika simfonike.
Tablotë e pikturuara në katrorët e mëdhenj, duken se e marrin dritën nga një burim i padukshëm. Shpesh ndjehen disa burime drite, që është vështirë ti identifikosh, por të gjitha tablotë kanë brenda tyre dritën e një fundi dite – të një muzgu – prag mbrëmjeje që pritet ta mbulojë errësira. Kjo ndjesi u jep atyre një veti tërheqëse për të depërtuar dhe shquar brenda objekte të vegjël dhe të mëdhenj. Gjendja e përgjumjes dhe e ëndrrës të ndjek gjatë kontaktit me të gjitha veprat e këtij cikli magjik, ku asnjë objekt s’ka lidhje me njëri-tjetrin dhe janë rastësorë e të pakuptimtë si vetë ngjarjet që ndodhin në gjumë, ku ndjehesh se e jeton çdo gjë me vetëdije të plotë. Ç’do objekt dhe imazh i tablove të tij është ” nxjerrë ” nga thellësitë dhe është proces, që siç shprehet artisti: Së fundmi, si për të shuar kuriozitetin, teknika e realizimit të ciklit ” Symbolon ” është origjinale, e pa parë deri më sot. Është ngjyra gri-metalizato që shërbeu si bazë e realizimit të të gjithë ciklit. Po ta shohësh me vëmendje, kjo ngjyrë në disa sfonde të tablove, vezullon e xixëllon me një ndriçim të brendshëm, që krijon magjinë, ashtu si ngjyra e artë në sfondet e ikonave byzantine.

Ylli Drishti.
Studiues Arti