GAZMEND LEKA, FILOZOFIA E NJË PIKTURE
Vjen një kohë dhe artisti e tejkalon vetveten, bëhet bartës i një filozofie. Sepse atij, nga të paktit, i është dhënë e drejta për të hapur dyert e misterit të qenies; është një lloj gardiani i të fshehtave, ku qenia shpërndrrohet, thyhet e grimcohet dhe po aty tubohet, sintetizohet, njëjtësohet. Është sivëllai i Budës dhe i përsiatjes parabolike të tij, është syri i Luciferrit mitik sa njëmijë sy, që këqyr skutat e shpirtit, aty ku bulojnë të pathënat, frikërat, dyshimet, herezitë, po aq edhe gulshet heroike, misteri i fuqisë dhe i qëndresës; është Golgota e krijimit, aty ku tortura e përballjes dhe stërkeqja prej mënxyrës bashkohen tek tejkalimi i të zakonshmes, përhirimi i materies dhe përditësimi i të habitshmes. Qyshse e kam parë në krye te herës pikturën e Gazmend Lekës kësilloj mendimesh më kanë vorbulluar vetiu përbrenda e ma kanë ndezur trurin. Kam fuguar mes tyre, aq sa dhe kam ndaluar i shastisur, pa mundur të marrë një përgjigje a të artikulojë një diçiturë. Më janë dukur të pazërthyeshme. Vallzim instinktesh, ëndrrash, makthesh, sekretesh, kodesh. Për mua, Gazmend Leka është piktori më i ditur. Thuajse një estet. Mik i filozofisë. Prandaj nuk desha që ai të m’i kumtonte vetë idetë e pikturave të tij, përkundrazi grishja e tyre të merrte formë në mendimin tim si përceptues.
Teksa ndjek udhën artistike të Gazmendit, s’është e vështirë të shquash se bash ai ka një megashenjë. Është e parathëna që bëhet e thënë, misteri që kthehet në shenjë, një pararealitet që bëhet i njëmendtë. Sepse “në fillim ishte fjala”. Dhe fjala u kryqëzua në Golgotë. Prandaj kryqi në pikturën e tij shfaqet si kalvar, si e vërtetë, si mister dhe si qendresë. Dhe prandaj në piktura shihen aq shumë gërma, shifra, fjalë, që të sjellin ndërmend pikturën bizantine. E vërteta e mohuar dhe guri i flakur nga harresa, në rastin e kryefigurës Shqipëri, shndërrohet prej idesë estetike të Lekës në blatim qytetarie dhe gur themeli. Sepse Shqipëria është dhe mbetet aspirata jonë e fshehur, shiriti kromozonik, një fe, një rit, një bibël.
- Leka ka ecur jo në trotuare të shtruara, por në një truall të vështirë, përmes pjerrinave, honeve, të panjohurës. Është modern, madje postmodern, me shqisën e mprehtë të eksperimentimit duke e refuzuar rrugëtimin mbi shpina të ngathëta metodologjike, ndën këmbët e të cilave shtriheshin skemat e njohura, klishetë topitëse, kallëpet dhe steriotipitë gjumashe të socrealizmit të djeshëm, por as edhe mbi akrobacitë dhe xhonglimet e huajtura nga albumet dhe galeritë e vizituara nëpër botë. Ai solli shumëçka të lavruar vështirësisht më parë në Shqipëri nga piktorë që patën provuar gjer edhe prangat. Solli diç prore të tijën. Personale. Risi që buronin nga vetjakësia dhe shpirti i ngopur piktorik me imazhe, brengosje, dashuri, dije, simbole. Diç nga të pathënat përvëluese të misterit hyjnor. Talenti i falur bujarisht u dha atyre gjuhën e artit. Sigurisht, në optrinë e tij ndërkallen edhe prurjet e ardhura nga njohja e poetikave vizuale botërore që u shfaqën si më të suksesshmet shekullit që mbyllëm. Ai e theu parimin e figurativitetit, por edhe e mbajti atë si një talisman tashmë “ndryshe” e në një tjetër funksion. Ilustrimin e flaku dhe solli gjuhën e imazhit, e metaforës, e sinkretizmit. Ngjyra është e ashpër, e mbyllur, plot kontraste, ka peshë. Pikturat e “zeza” të ciklit që deshifrojnë kodet e ngrira të gjithëkohësisë dhe ekzistencës ngjajnë ashtu si inçizimet biblike mbi pllaka guri të ashpra të dhjetë urdhëresave blatuar Moisiut te hebrejve prej vetë Hyut. Përkundrazi, pikturat e “miteve shqiptare” vijnë si orale të madhërishme të historisë së tyre, kur përmasat e heroikes, qëndresës dhe mbijetesës sfidojnë çdo vezullim ekzotik e të përvjelur, ato që mendjet e dobëta, të ashtuthëna “realiste”, “logjike, “shkencore” kanë prodhuar dhe prodhojnë ende me bollëk për ta fashitur dimensionin tejtokësor të artit. Simbolet dhe vramendja e tyre. Nëpër gishtat e Gazmendit peneli, boja, lapsi kanë krijuar mbi kanavacë, letër a fibër 4000 punë të llojllojta. 200 janë pjesë e koleksioneve të ndryshme në Amerikë, Kanada, Francë, Itali, Gjermani, Japoni etj. Studioja e tij në katin e shtatë të një godine në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” në Tiranë është si një hambar i rrëmujshëm, përplotë punë, të vjetra dhe të reja, të stivosura apo të rrasura diku nëpër kthina, ashtu sikurse përfytyrohet të jetë çdo studio artisti në vlim, frymëzim e krijim. Gishtat e tij janë me bojë. Penelat, spatula, furça krruhen pas bojrave mbi palitër. Dhe cigarja zë hi mbi buzë. Harrohet aty. Është pjesë e meditimit edhe ajo. Ndërsa mjekra e zezë, si e atyre apostujve qëmoti, sikur është bërë pjesë e natyrshme e portretit të tij; ndoshta një relike, një farë lidhje me kohën kur ngjizeshin mitet, rrëfenjat biblike, legjendat, kalorësit, aventurat, dishepujt, murgjit, pergamenat, qelat, manastiret; dhe rilindasit e mëdhenjë të Firences, Romës, Venetikut.
Unë e gjeta duke pikturuar një tablo të re, të porositur nga një gjerman. “Piktura është autoportreti i atij që e bën”, thotë ai. Mirëpo ky pohim s’është deri në fund i saktë. Piktura e një artisti të talentuar është më shumë se kaq. Sepse është aty edhe koha. Edhe përvoja e vjeluar apo e ardhur nga shekujt, nga të tjerët përtej e bri tij. Është komuniteti ku jeton, frymon, merr e jep. Kombi është aty. Dhe shumëçka tjetër që e tejkalon Njëshin. Duke rrugëtuar në shtigje sa vetjake, sa të parrahura më parë, në koceptin estetik piktorik të G. Lekës sheh diçka të njehësuar: një masë të zezë, si të çukërmuar në syprinë por fort të ngjeshur, opake. Është lluca, shpjegon ai. Në fakt ajo të çon tek llava vullkanike, prej nga ka nisur së pari jeta. Mes saj kuqëlojnë të çara, flluka, gjarpërime, golle. Njolla si plagë mbi një trup. E kuqja dhe e zeza, e rënda dhe e lehta, ajo që ta rrëmben syrin dhe ajo që ta shuan, të dyja janë aty. Simbole të kahershme, qysh në zanafillë, kur njeriu nisi kuvendin e madh për vetveten, botën përreth, hyjninë si fuqi. Pra: energjia që ndryshon dhe formon, zjarri si fillesë e shenjtë. Prometeu që e vodhi nga arsenali hyjnor për t’jua dhënë njërëzve (që të fitonin lavdi e pushtet) dhe Jezusi që e futi atë në shpirtin e tyre dhe ua ndezi flakë për t’i bashkuar me Frymën. Të dy u bënë vuajtësit më të mëdhenjë të kohërave, i pari nga ndëshkimi i padrejtë i Perëndisë, Zeusit, i dyti nga ndëshkim i padrejtë i njerëzve. Të dy shpëtimtarë të pazëvendësueshëm të Njeriut. Të dy të mohuar dhe të dy të lëvduar. Në këtë shtjellë parake prometeiane dhe në aktin vetësakrifikues të krishterë më ngjan se mund të gjenden paralele idesh dominuese në ciklet e shumta të pikturave të Gazmend Lekës. Ndaj energjia, zjarri në luftë me errësirën dhe hiçin tek pikturat e tij është njëkohësisht edhe jashtë, edhe brenda. Edhe si e dukshme, edhe si e padukshme. Edhe si kuptim, edhe si nënkuptim.
Dhe më tutje: shenja + dhe shenja -, femra dhe mashkulli (dikotomia e gjithësisë, e njerëzimit, e të gjallës). Geni i ngjizjes. Sa kozmik, aq human. Lënda dhe fjala. Dhe përmbi këtë masë të llurbët, të zezë, që flakëron nga e kuqja, jo rrallë edhe nga e verdha verbuese, ju mund të dalloni silueta realitetesh që të afrojnë me lëndoren, por edhe të largojnë prej saj. Shpesh ato të japin mbresën e apokalipsit, të kaosit parak fill pas Bing-Bangut. Rrafshe që përthyhen, lëvizin, mbivendosen. Gurë e mure qiklopikë. Rrënoja kështjellash fantazmagorike. Flukse energjish. Rrezatime drite. Shpështjellime siluetesh. Trubullira. Sy që të shikojnë diku në mes, në një qoshe, prej dikah që ti nuk e ve re. Duar të padukshme, gishta, këmbë, imazhe fytyrash në shqota kozmike, trupa femrash, gjinj të kolmë plot qumësh. Dhe përmbi to, si mbi pllaka guri të shkrimeve antike, mbi papiruese a pergamena ju dalloni kode, shifra, fjalë, gërma, kordinata, skica. S’janë kot. Janë të gjitha simbole të njohura të një bote që duket se ka vdekur, por është brenda nesh, tek enigma, ferri dhe kuptimi ynë. Gërma, shifra, fjalë, formula magjike, që vijnë nga dija njerëzore, alkimia, astrologjia, kabalistika dhe që shërbejnë për t’u dhënë kuptim jo vetëm nebulozave kozmike të pikturave të Gazmendit, se sa për t’i konotuar ato më fuqinë sublime të artit me qëllim që të bëhen të rrokshme tashmë nebulozat tona shpirtërore.
Ja ku shikoni vërshimin e llucës që përthith në barkun e saj gjithçka: njerëz, data të njohura, histori, monumente, vepra që janë kthyer në mite. Mos vallë është harresa ajo ku po shkojmë, për të rifilluar diku, dikur? Në ciklin e punimeve “Nostradamus” janë 31 piktura, në 31 ditë tmerri, me fytyra dhe relieve të thyera; pamje ku ngujohet dhimbja dhe në fund një çift, fëmija i tyre dhe një qen, si një skulpturë porcelani, për të kumtuar rifillimin.
Sa të qeta, profetike, si vetë e vërteta, janë portretet në ciklin me titull “Fytyra e shenjtë”. Ne duam të gjejmë veten aty, tek po ajo fytyrë e përvuajtur e Jezuit me kurorën e gjembave mbi krye. Ne kalojmë natyrshëm nga versionet që pëlqejnë format naive (si te actekët) tek versionet më të sofistikuara që gjakojnë format komplekse, të dyzuara, mistike, alegorike. Na duhet të besojmë tek plaga mbi ije e Krishtit-Njeri, tek shqyta e gjakosur, tek e Vërteta. Por ja ku shohim edhe Minotaurin, këtë qenie sinkretike të epshit, forcës, vdekjes, teksa në krahët e vet ka pushtuar një nga virgjëreshat e përnatshme, me kurmin e bardhë dhe të përdnarë porsi mjegulla. Edhe ai është tek ne. Po, po, tek ne. Më tutje bujtin koka engjëjsh me aureolat si rrathë e figura gjeometrike, sikur të zotëronin sekretet e kozmosit. Dhe sërish ajo, llava, që na rrethon, që na mbyt, që na pushton…
Astrologjia, alkimia, miti, kozmosi
Doemos, piktori është një farë alkimisti dhe astrologu i lëvizjeve të shpirtit. Shenjat e gdhendura mbi mure, tempuj, mish, hapësirë, kozmos përbëjnë genin alkimik të krijimeve të Gazmend Lekës. E kam të nevojshme të kumtoj disa syresh që i shohim në pikturat e mëposhtme: “Mall”, errësira në reljev të vrazhdët, ndërsuazuar me të kuqe, si një plagë e qepur; “666”, numuri satanik, qirinj të vendosur horizontalisht, shiriti qelizor kromozonik, piramida; “Shtëpia e zhuritur”, konturi i mugët i një shtëpie, dritarja si gërma H, prej nga vërshon një dritë e bardhë (ndoshta nga anglishtja “Home”- shtëpi apo nga Homo-njeri); “Fytyra e shenjtë” dhe versionet e ndryshme të vuajtjes; “Totem”, një këmbë e trashë, e fortë, e vrazhdët, që shkel truallin dhe përmbi të gërma M (mbase, mashkulli); “Argo”, lundërtarët e famshëm me Jazonin drejt Kolkidës për të rindërtuar nga shkrimi i përgjakur mbi lëkurën e dashit legalitetin e një pushteti të grabitur; “Salamina”, lufta detare ku flota e përbindshme perse e Ksersit u shkatërrua nga grekët në siujdhesën e ngushtë; “Karro e Elias”, një rrotë që qet zjarr nga shpëjtësia kozmike, kryqi në mes, ndërsa sipër qenia fluturake e Elias; “I zgjedhuri”, çarja e murit të tempullit të Jeruzalemit dhe krijimi i shenjës së kryqit në çastin kur Krishti dha frymën e fundit mbi kryq; “Katakombet”, kryqi me shifrën 5 (shpirti) dhe më poshte shenja X; “Shqyti”, heshta që çpoi brinjët e Jezuit dhe në të djathtë një trikëmbësh, alegoria historike e dhunës, e shpërdorimit të pushtetit; “Afshi”, dy rrjedha të verdhëreme, si bashkim dhe kryqëzim, e zeza dhe e kuqja, mashkulli dhe femra; “Ballona”, forma e trupit të një gruaje dhe vijëzimet si harta topografike, paralele e meridianë; “Elementi i pestë”, shenja metafizike e shpirtit, shifra 5 e bashkalidhur me kryqin, një e verdhë e fortë në terr, ankthi ekzistencial; “Guri i themelit”, një gur që rrokulliset teposhtë (sipas Biblës: guri i flakur do bëhet guri i themelit, ndërsa sipas autorit, Shqipëria dhe identiteti i saj moral janë guri i themelit për Europën pa kujtesë); “Guri i flisë”, masa e ashpër shkëmbore, si sakrifica e Jezuit; “Syri i qiellit”, një masë e vrazhdët dhe në mes, lart, syri që këqyr nga një copëz e shqyer e saj; “Tempulli i braktisur”, masa imponuese dhe figura semiotike; “Matësi i kohës”, që të kujton hapësirat e kurbuara kozmike të Ainshtajnit, të cilat kushtëzojnë sakaq relativitetin e vetë kohës; “Enigma”, një qenie sinkretike: njeriu, ujku, qeni, djalli, oktapodi dhe sipër tij hëna (a s’është qenie njerëzore një tërësi kësisoji); “Ustai i madh”, që të sjell ndërmend kryefigurën e performancave teatrore të “Mistereve” dhe “Mirakleve” mesjetare me Vesin e Madh, Vikun e Madh dhe Mjeshtërin e Madh.
Në një sens, piktori ngjan se vuan për të zbuluar të fshehtën e qenies së tij, dhe përmes tij të Shqipërisë, fatumin tonë. Ai rreket të luaj rolin e një falltari, sikur hyn i plotvullnetshëm në seancat magjike të plakave syverbëra të tempullit të Dodonës për të parë formulën sekrete të ngjizjes së kombit të vet. Dominuese janë ngjyrat e flamurit: e kuqja dhe e zeza. Jeta dhe vdekja. Drita dhe terri. Zjarri dhe balta. Dhe zogu mitologjik dykrerësh i shqiponjës, emblema e njëhershme e Bizantit, por dhe më tutje saj, në kryeherë, tek ngjizja parake mashkull-femër. Gjuha e simboleve bëhet e prekshme kur ti e përfshin si tërësi gjithë korpusin e punimeve të Gazmend Lekës dhe jo një, dy a dhjetë syresh. Dhe në momentin që e percepton kësisoji, ti kupton se artisti është tunduar nga synimi për ta tejkaluar realitetin banal, të rëndomtën, atë që vë re “syri natyror”. Ai është grishur nga një tjetër realitet, tashmë i transfiguruar, që kalëron mbi simbole dhe metafora, rrjedhimisht që mund të vihet re veçse nga një tjetër “sy”: Syri i shpirtit. Syri që e sheh dritën jo veç tek reljevet dhe fytyrat, por edhe tek fjala, gërma, format gjeometrike, ngjyra, misteri, shenjat.
Loja e dritës, ngjyrës, formës.
Piktura e Lekës nuk është një hedhje e thjeshtë ngjyre, njollash, ravijëzimesh, kontrastesh mbi kanavacë, shkaktuar nga një gjendje a frymëzim i çastit. Është një mendim që piqet dhe më pas merr formë. Një pararealitet. Jo veç shëmbëlltyra e kundruar dhe e përftuar nga gjësendi, as thjesht iluzioni. Është, pra, tutje tyre. Atje ku mendja transhendentale e Platonit veçonte “hijen e idesë” (sendin e prekshëm) nga vetë ideja, si shkaku parak i këtij gjësendi. Për këtë shkak piktura e Gazmend Lekës më ngjan si një dialog midis të gjallës dhe të vdekurës, të përkohshmes dhe të përjetshmes, të qartës dhe të trubulltës, të shpërfaqurës dhe të ngujuarës. Kjo koreografi është jo thjesht një kapriçio arti për ta bërë të artikulueshëm vetjakësinë piktorike të tij, por, ndoshta, kodi estetik, ai qiriu i Virgjilit për t’i parë rrathët e ferrit, atje ku shpirti ynë lëngon; për të dalluar basifondet e nënvetëdijes, muret e shformuara nga stërpesha e mëkatit, të cilin e bartim mbi shpinë si fatalitetin e gurit sizifian.
Shikoni përshembull pikturat: “Ëngjëlli i dënuar”, një trup kthyer me shpinë, kokëprerë, që një shtjellë e mundon dhe në sfond shenja, syprinë e qetë, thuajse inerte; “Quo Vadis”, vrulli i një përbindëshi, dhe poshtë një bari që, mesa duket, tufën e tij të tmerruar kërkon ta shpëtojë (a s’ishte historia e shqiptarëve nën furinë turke e të tjera furi destruktive po kështu?); “Sodoma e Gomorra” në mallkimin e mishit; “Natë me hënë”, ku drita rreh faqet shpellore të një tempulli të mbyllur si për t’ja hequr stërpeshën dhe frikën e ngujimit; “Kafsha”, ku figura sinkretike lëviz midis imazhit të ujkut dhe kalit, pra të egrës dhe të butës, mikut dhe armikut të njeriut, vetë njeriut. Në pikturën “Gral” kupa ku u mblodh gjaku i Krishtit sipër na shëmbëllen zgjatime si tip brirësh dhe sysh, kurse tek “Engjëlli mbrojtës” piktori krijon imazhin e një qenieje mitologjike, e ngjashme me djallin, me pikla, qime etj. dhe më pas po ky imazh vjen në forma më të buta. Nga pikturat tronditëse të Lekës kam çmuar atë me titull “Mana”, në të cilën na shfaqet një imazh fare i qartë në përvijime e ngjyra, por i paidentifikuar, si një përbindësh, fluks dritash e kometash, forma gishtash, kthetrash, putrash, ndërsa poshtë kësaj stërmase, tempulli dhe hyrja e tij plot me dritë. Tek “Varri bosh” shquan një njollë të kuqe dielli (ndoshta Zoti) dhe një objekt me sy. Soditësi i pikturave vë re se si aty bujtin njëherësh trajtat e të njohurës dhe të panjohurës, reales dhe surreales, të mbaruarës dhe të pambaruarës, mistikes dhe semantikes (kuptimplotes). Nga tre pikturat ku ngjyrat prore vallzojnë dhe krijojnë ndjesi të veçanta në shpirtin tonë, unë do të dalloja: “Orfeu i çmendur”, në të cilën spikat lira muzikore e famshme e këngëtarit zëhyjnor, këmbët bredharake nëpër Hadin e terrtë për të takuar Euridiken, ndërsa sipër shkëlqen imponuese ngjyra violet, trëndafili i shpirtit poetik; “Kënga labe”, në të cilën has një thuritje të mrekullueshme gjësendesh dhe lojra ngjyrash tunduese; “Mërkuri në tre”, në të cilën të grish shpështjellimi midis të zezës, të kuqes së hapur dhe kafes së errët…
Mua më ka tronditur piktura e Gazmen Lekës jo vetëm për çka thashë më lart. Më ka tronditur misteri i tyre. Madje jo tamam-tamam kjo. “Habia” e tij nga ky mister – kjo më trondit. Kureshtja për ta prekur me dorë atë. Për të kuptuar diç nga kodet e paraqenies. Dëshira për të qenë një “asket”, mbyllur në shpellën e përsiatjeve; etja për të mundësuar komunikimin me shenjat transhendentale: si e njohura mbulohet nga e panjohura, si një gjëzë bëhet mit, si një bëmë kthehet në legjendë. Dhe si këto të treja: e panjohra, miti dhe legjenda hyjnë në bisedë me problemet tona, që s’janë vetëm dhe mirëfilli estetike, por kanë prore edhe një vesk filozofik. Pra, përtej të ngushtës, të kufizuarës. Drejt universales. Gjithëkohores. Ato janë pjesë e kodeksit të Alfës dhe Omegës. Arratia e artit të Gazmend Lekës veç kështu mund të kuptohet: si një lundrim nga e rëndomta drejt sublimes, nga ontologjikja te eskatologjikja. Dhe prandaj në pikturat e tij ai arratiset shpesh herë nga trajtat lëndore duke vrapuar tek ato efemere, si të mugullta, si të rrafshta, ku reljevet dhe perspektiva humbasin dhe syri yt mbetet në një rreth hermetik, tanimë të padeshifrueshëm. Dhe ti rrekesh e rrekesh të gjurmosh aty kuptimin. Dhe porsa kujton se e gjen atë, ai sërish të rrëshqet diku më tutje, pasi mendja tënde ka qejf të luaj me parabolat e njollave, ngjyrave, dritës e gjer tek siluetat e bryllta të një realiteti sa të njohur për ty aq edhe të panjohur. Dhe kodet vështirësohen edhe më tutje, idetë lihen enkas si nebulozat në formësim e sipër, për t’u dhënë shtysë yllësive e planeteve të reja të mendimit piktorik. Mirëpo asociacioni është krejt i lirë, i hapur. Ti fantazo! Jep kuptimin që instinkti dhe shpirti yt ta thonë se është ai! Ngopu me format, ngjyrat, imazhet! Dhe nëse di diçka më shumë nga shenjat, simbolet dhe dija, kalëro vetë me Pegason e imagjinatës tënde sepse artisti t’i ka hapur sakaq dyert. Hyr aty, në tempullin e tij! Hyr!…