“PARAJSA E HUMBUR” e piktorit Gazmend Leka
“ Zoti bëri të shpërthejnë nga toka çdo lloj peme të bukur për tu parë dhe e mirë për tu ngrënë, mes tyre pema e jetës në mes të kopshtit dhe pema e njohjes së të mirës dhe të keqes” (Gjenesa 2,9)
Një nga koleksionet gjigande të njerzimit në pikturë dhe skulpturë është krijimtaria artistike shekullore e inspiruar nga Bibla. Me mijra e mijra tablo, afreske, relieve dhe skulptura përbëjnë këtë koleksion i cili është i shpërndarë në ditët e sotme për tu vizituar në koleksionet e mëdhenj publik botëror, në monumentet e kultit të krishterë duke filluar që në shekujt e parë të krishtërimit e deri në ditët e sotme. ” Parajsa e humbur ” e piktorit Gazmend Leka, ndofta është tabloja që porsa hyri në këtë koleksion gjigand botëror. Vepra është realizuar në vitin 2005 dhe i përket teknikës tradicionale – vaj mbi kanavacë. Tema që artistët kanë trajtuar duke filluar nga Rilindja italiane ka qënë “ Adami dhe Eva ” dhe “ Dëbimi nga Parajsa ”, ku pothuajse të gjithë artistët kryesorë duke filluar me Masaccion, Mikelangelon, kanë lënë kryeveprat e tyre. Piktori Leka në veprën e tij “ Parajsa e humbur ” ka një konceptim artistik krejt të veçantë dhe mjaft interesant.
Tabloja është konceptuar të komunikojë me publikun me gjuhë simbolike duke ju shmangur figurës njerëzore. Tabloja të krijon emocionin e një tensioni të jashtëzakonshëm për subjektin që mbart, një ngjarje tronditëse porsa ka ndodhur dhe nga qielli bien apo më mirë janë shfaqur trupa qiellorë me pamje jo të zakonshme që ngjajnë me copra gjigante të një planeti të shkatërruar. Nëse vërejmë me kujdes në tablo, do vemë re se përveç dy diejve (një i zi sipër e një i bardh poshtë) asgjë nuk është e rrumbullakët Tabloja paraqet kopshtin e parajsës me një imazh të paparë deri më sot: disa selvi (pema tipike e parajsës) ndodhen në planin e parë të tablosë, ndërsa në qendër në formë monumentale, mjaft e lartë me një imazh që të kujton një trung peme gjigande të tharë, të kalçifikuar “e paprekshme”, është pikturuar “ PEMA E JETES” e ruajtur anash nga një kerubin (majtas) dhe një gjarpër (djathtas). Të dy këto figura janë stilizuar dhe kanë krijuar së bashku me pemën e jetës qëndrën e tablosë. Piktori Leka duke pikturuar imazhet e tyre, i ka stilizuar, interpretuar dhe vendosur në gamën e gjithë tablosë, duke krijuar figura që krijojnë idenë e një qetësie të frikëshme. Artisti Leka e ka realizuar tablonë – siç shprehet ai, duke ndaluar në një gjëndje statike, ku s’ka as sulm dhe as mbrojtje, caku mes të mirës dhe të keqes – pra bota është infektuar dhe shpresa dhe besimi qëndron i paprekur (fruti i bardhë pranë pemës është i paprekur, një njollë e vetme e qartë dhe e bardhë në tablo – fruti DIELL)
Është një vepër e një karakteri të veçantë që piktorit Gazmend Leka e ka realizuar në vitin 2005 dhe është pjesë ciklit të tij, të inspiruar nga Bibla. Një vepër me karakter filozofik – teologjik, ku misteri i pasazheve biblike merr karakter akoma më misterioz nga mënyra origjinale e zbërthimit të fabulës. Piktori Leka krijon simbolikën e tij origjinale që e ka inkuadruar dhe në gamën koloristike të ngjyrave të errëta (e zezë, gri dhe umbra), që piktori parapëlqen. Çdo imazh dhe element i tablosë (i realizuar me një saktësi dhe profesionalizëm perfekt) ndihmojnë në krijimin e një tabloje me “ përmasa apokaliptike ”
Artisti është koshient në evidentimin e përgjasimit të temës së vjetër me aktualitetin bashkëkohor në shqipëri dhe në botë, ku tashmë ka humbur besimi dhe është mbjellë “ fara e dyshimit ”, ligësia njerzore ka zënë vënd dhe virtuti njerzor është në rrezik. Leka edhe pse inspirohet nga tema të vjetra të liturgjisë së krishterë, është mjaft aktual në evidentimin e filozofisë së tij mbi fenomenet dhe jetën. Tashmë kur komunikon me tablonë e tij sigurisht që ndjen e dritën e ftohtë, misterin, tensionin dramatik që këto vepra mbartin edhe pse brenda saj mungon figura njerëzore, element ky i veçantë i tablove të piktorit që ngulmon në komunikimin me atmosferën e ngjarjes së ndodhur, me një dramë që vazhdon edhe kur largohesh nga tabloja e që të ve në mendime gjatë. Ky është dhe tipari kryesor i tablove filozofike të piktorit Gazmend LEKA. Revista Monitor i ofron lexuesit të saj në mënyrë eskluzive mundësinë e blerjes së veprës dhe të porosive të tjera në kontakt me piktorin Gazmend LEKA.
Ylli DRISHTI
Studjues arti në GKA
Tiranë, 18.12.2006