“ MANA ” e piktorit Gazmend Leka

   Piktura e misterit filozofiko – biblik

 

 

“… Nuk e konsideroj më pikturën si një profesion, por si ditarin tim më sekret, personal, skanerin e shpirtit tim … . Nuk e tradhëtoj shpirtin tim. Më pëlqejnë tonalitetet e errëta, më pëlqen kur piktura shkon dhe rëndon tek tisi i zi dhe kur feksin nëpër të kuqe, të bardha dhe ndoshta është tema e pikturës time që pranon këtë tonalitet, ka lidhje me pjesën time më të brendshme dhe mendoj se piktura ime është NJË GËZIM I RËNDË…”

Gazmend LEKA  (Gazeta Shqiptare, 24 .11. 2006)

 

Piktori Gazmend Leka, është një nga personalitetet e pikturës bashkëkohore shqiptare. Një piktor me një krijimtari të gjatë prej më shumë se 4000 veprash arti, i vlerësuar me çmime dhe i ekspozuar në dhjetra e dhjetra ekspozita brenda dhe jashtë Shqipërisë. Leka është aktualisht Profesor në Akademinë e Arteve, Anëtar i Këshillit Artistik në GKA, Tiranë, fitues i çmimit “ Piktori i vitit 2005 ” (i zgjedhur nga juria e revistës “ Kult ”), një piktor që ka zenë vend me krijimtarinë e tij cilësore në grupin e piktorëve më të shquar bashkëkohorë shqiptarë.

Vepra e Lekës paraqet qartë fijet e “ padukshme ” të komunikimit ndërmjet “ figurës ” dhe “ shenjës ” dhe prirjes së artistit drejt shuarjes së këtij kufiri. Në vitet 1995 – 2002 artisti eksperimentoi të pikturonte mbi suporte druri (njëlloi si ikona) mjaft e afërt dhe e njohur për traditën tonë, të cilat piktori i “ digjte ” vetë mbi flakë, duke pasur brenda koshiencës së tij “ tragjedinë ”, që pësoi ikona në Shqipëri në vitin 1967, si dhe adhurimin e dashurinë që tregoi populli, duke i ruajtur të nxira e të përzhitura. Pikturimi mbi imazhe të suporteve të tilla ka krijuar qindra vepra, të cilat paraqesin në vetvete koshiencën e shqetësuar të artistit, që admironte dhe dashuronte artin e madh ikonografik shqiptar. Ato vepra me dimensione kryesisht modeste, komunikojnë me publikun me një figuracion të thjeshtë, magjik e të koduar siç ishte dhe është ikona. Në këtë mënyrë, duke përdorur suportin e drurit por me mjete bashkëkohore, Leka realizoi ciklin 7-vjeçar me tema kryesisht biblike, sociale e personale. Ndjeshmëria mbi “ plazmën ” e fshehtë të shpirtit shqiptar, arketipin e energjisë shqiptare akoma të pashprehur dhe të paevidentuar, është në vazhdimësi tema e tij e preferuar. Historia e cenuar e trojeve, padrejtësitë historike dhe aktuale dhe kaosi i tranzicionit të gjatë në Shqipëri, kanë ndikuar në koshiencën artistike të Lekës, i cili, përveç kontributit si piktor, ka realizuar në RTSH në një periudhë 3 vjeçare, mbi 60 emisione, në cikël të gjatë mbi Simbolin.

Në trajtimin koloristik, Leka në përgjithësi është i përmbajtur dhe ka harmoni. Ai është i prirur drejt graficitetit duke kaluar në tablo gati grafike, ku mbizotëron e zeza dhe grija, ndërsa “ goditjet ” me ngjyrë të bardhë ose të kuqe janë mjaft delikate dhe kërkojnë një meditim në komunikimin me tablonë. Nga panotë e drurit në format të vogël, së fundmi Leka i është kthyer telajos në format të madh (150 x 150 cm) dhe pikturimit të temave e imazheve të  tij me teknikën tradicionale të ngjyrave të vajit mbi kanavacë.

Tablonë “ MANA ” piktori Leka e ekspozoi së fundmi në ekspozitën “ 4 artistë bashkëkohorë shqiptarë ” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artisti këtë tablo e ka ofruar për shitje te revista “Monitor”. Ajo shpreh qartë simbolikisht realitetin shqiptar të trazuar, që kalon nga “ rënia ” në “ ngritje ”, nga skenat apokaliptike në shpresën e madhe. Artistikisht vepra është e dyzuar, sepse frymëzohet fillimisht nga një ngjarje e ndodhur dhe e përshkruar në historinë e lashtë të ebrejve (rrugëtimit të tyre të mundimshëm dhe vuajtjeve nga Egjipti në Izrael nëpër shkretëtirë). Artisti këtë fakt historik të kthyer gati në mit dhe e mbushur me skena apokaliptike, e lidh simbolikisht me realitetin shqiptar, që për artistin ka një ngjashmëri të veçantë. Nëse vërejmë me kujdes, tabloja mbahet me ngjyra të tonalitetit gri në të zezë. Qendra e tablosë paraqet altarin ku ndodhet “ MANA ” (ushqimin që Perëndia hodhi nga lart për popullin e Izraelit të uritur gjatë udhëtimit në shkretëtirë, ushqim që mund të konsumohej vetëm brenda ditës). Tabloja ka një qetësi të magjishme, ku edhe pse në të mungon figura njerëzore dhe imazhet janë të mjegullta (të ndriçuara nga një dritë tjetër brenda tablosë), edhe pse ajo që ndodh ka të bëjë me tragjedinë njerëzore, në pjesën e poshtme të saj, piktori ka dhënë mesazhin e shpresës me anë të rrezeve të ylberit, që po ngrihet lart. Brenda tablosë, si në skenat apokaliptike nga lart “ bien ” meteorë, që shkatërrojnë pothuajse gjithçka, në anën e djathtë të tablosë “ së ftohtë ” një rreze ylberi plot ngjyra ngrihet lart, që simbolizon aleancën – shpresën, të mirën, njerëzoren.

 

 

Ylli Drishti
Studiues arti në GKA
Tiranë, më 27.11.2006
Ky shkrim është botuar tek Revista ’’MONITOR’’.