“ ËNGJËLLI MBROJTËS ” i piktorit Gazmend Leka
“…raporti ndërmjet njeriut dhe numrit pesë është i njohur në mënyrë universale, nga Lindja e largët deri në Angli në periudhën romake. Agripa i Netesheim – it e paraqiti grafikisht imazhin me këmbë e krahë hapur duke identifikuar pentagramën…”
(“Dizionario dei Simboli” Jean – Eduardo Cirlot, “ECO” 1996, Milano)
Është tema e përjetëshme e raportit ndërmjet trupit dhe shpirtit, e idesë që çdo njeri ka “ prapa ” një ëngjëll mbrojtës, kur ndërmerr ndërmarrje të vështira në jetë – shpjegon piktori Gazmend Leka, mbi veprën e tij, e cila e ka zanafillën në vitet 1992 – 1993, kur artisti krijoi me dhjetra vizatime me këtë temë.
Tabloja “ Engjëlli mbrojtës ”, në komunikimin e parë ka vështirësi në zbërthimin e dy personazheve kryesorë: Kalorësit (në anën e majtë të tablosë) dhe Engjëllit mbrojtës i pikturuar me përmasa tejet të mëdha, pro të dy personazhe hije që mezi shquhen në koloritin gri të tablosë. Por ajo që të “ godet ” menjëherë, është imazhi i një ylli pesëcepësh i pikturuar në plan të parë mbi dysheme, që përshkohet nga një dritë e veçantë dhe e fuqishme. Ky simbol i fuqishëm (që gabimisht akoma dhe në ditët tona ngatërrohet me yllin e komunizmit), është në fakt simboli i njeriut të rënë, simbol i shëndetit dhe dashurisë njerzore. Ai është pikturuar nga artisti fuqishëm dhe dukshëm si një vulë e madhe, e rëndë, e dallueshme, domethënëse për tablonë. Por le të kthehemi tek figurat – hije të tablosë së Lekës. Engjëlli (ndjenja) është një figurë e paidentifikuar (as mashkull, as femër), që mezi perceptohet dhe që i rri prapa kalorësit me veshjet e tij kalorsiake luftarake. Ai është i mbështetur me gjunjë në tokë, simbol i qëndrimit në vend e që nuk do të ketë më ecje përpara, pra “ jemi ndalur tamam në fushën e betejës ”, por nuk ka më ecje para, ngjarja do të ndodhë aty nga çasti në çast. Nëse e vërejmë me vëmendje figurën e ëngjëllit dallojmë qartë që artisti në vendin e kraharorit ka pikturuar imazhin e brendisë së një katedraleje e më poshtë ai ka pikturuar dy trekëndësha brenda njëri tjetrit me bazë të kundërt (trekëndëshi me bazë sipër është simbol i seksit dhe ai me bazë poshtë simbol i makrokozmosit dhe inteligjencës). Piktori simbolikisht evidenton tek ndjenjat njerëzore mbizotërimin e arsyes njerëzore dhe jo atë të instiktit. Figura e kalorësit apo siç thirret shpesh edhe e kavalierit (aq e njohur nga publiku veçanërisht në letërsi dhe filma) është pikturuar me veshje luftarake dhe i armatosur me: ushtë dhe mburojë. Ushta në vetvete ka rolin armës së sulmit dhe asgjësimit, ndërsa mburoja – mbrojtje. Megjithatë simbolikisht armët e kalorësit kanë vlera të tjera në mbrojtje të vlerave njerëzore, hipokrizizë dhe prishjes së rregullit – paqes njerëzore. Misioni i kalorësit (që piktori Gazmend Leka e ka zgjedhur si personazhin e tij) kryesor në këtë tablo është mbrojtja nga padrejtësitë dhe vendosja e rregullit në tokë që do të thotë – paqe. Përmbushja e këtij misioni fisnik nga “ kalorësi i përjetshëm ” – e mira, gjithmonë ka nevojë për një pikë referimi shpirtëror–ëngjëllin mbrojtës. (virtytin njerëzor, mënçurinë, inteligjencën). Në fakt është një tablo që bën pjesë në ciklin e piktorit Leka, mbi triumfin e drejtësisë dhe paqes mbi tokë. Mënyra dhe teknika e pikturimit i kanë dhënë tablosë mister dhe i kanë lënë dhe kthyer personazhet në elementë figurativë gati abstraktë, ku “ tingullin ” dhe “ dramacitetin ” ia japin ylli pesë cepash në qendër të tablosë (i vendosur brenda një rrethi) dhe atmosfera e një prag beteje ku nuk shihet asnjë kundërshtar, asnjë rrezik potent. Në fakt në këtë “skenë-teatri“ luajnë dy personazhe: kalorësi – njeriu dhe ëngjëlli – shpirti. Vepra “ Engjëlli mbrojtës ” bën pjesë në atë cikël filozofik- misterioz që piktori ka vite që trajton. “ Energjia ” që pikturohet nga piktori në formën simbolike të erës me rrebesh që trasmetohet nga ëngjëlli tek kalorësi, të kujton imazhet e mëdha në afreske si libra të hapur në muret e kishave bizantine, si mjeti më i afërt komunikimi me besimtarin. Piktori Leka është më i koduar. Ta kuptosh pikturën e tij, duhet të njohësh simbolikën, biblën, kulturat e lashta dhe aktuale njerëzore dhe sigurisht të jesh mik i veprimtarive të arteve pamore bashkëkohore, që gjithmonë e më shumë po alternojnë filozofinë me artet pamore, filmin, muzikën, objektet dhe të papriturat e fantazisë krijuese artistike.
Tabloja “ Engjëlli mbrojtës ” e piktorit Gazmend Leka ka edhe një privilegj tjetër, ajo duke patur mjaft mesazhe brenda saj “ të godet dhe huton ”, “ duke kërkuar ” nga publiku që të rrijë gjatë me të, për ta admiruar dhe kuptuar plotësisht.
Ylli DRISHTI
Studjues arti në GKA
Tiranë, më 23.12.2006