“ BETEJA PËR UJIN ” e piktorit Gazmend Leka
nga biseda në studion e artistit dt.30/12/2006
“… kjo (tablo) thellë – thellë është legjenda sekrete e Shqipërisë edhe për faktin se Shqipëria është një vend i mbjellur me ujë… është hymni i një shkretëtire shpirtërore e mbushur me klithma njerëzish që kanë etje, siç ndodh rëndom në Shqipëri, ku me një goditje të vetme, të zgjuar, inteligjente mund ta kthesh në një kopësht të lulëzuar… ”
Tabloja “ Beteja për ujin ” e piktorit Gazmend LEKA, i përket ciklit të tablove simboliko – filozofike, që artisti ka realizuar në vazhdimësi në krijimtarinë e tij, por që në artin laik shqiptar, si cikël, realizohet për herë të parë. Elementet e dukshëm të pikturuar në tonet e ngjyrave gri e që përbëjnë tablonë janë: një imazh (në qendër të tablosë) ndërmjet pemës dhe shkurres, që të jep idenë e një kaktusi në shkretëtirë. Në horizont në anën e djathtë të tablosë, është pikturuar një kalë i zi i vetmuar, ndërsa në një plan më të afërt, paraqitet një shpatë (e shkurtër) e vendosur mbi tokë, një strukturë shkëmbore nga buron një curril uji që bie mbi një basen të pikturuar në plan të parë. Si edhe në tablotë e tjera të artistit Leka, figura njerëzore mungon dhe nuk zë vend realisht në to, pavarësisht se tema dhe mesazhi i veprës e nënkupton atë. Përsëri artisti Leka frymëzohet nga e tashmja e jetës shqiptare (vështirësive të jetës dhe mbijetesës) dhe e kaluara e largët biblike, që lidhet me emrin e Moisiut.
Siç shprehet vetë piktori Gazmend Leka “…në Botë qarkullojnë mendime se beteja e ardhme e njerëzimit do të jetë për ujin dhe jo për naftën. Duket si lajthitje, meqenëse Bota është e mbuluar me ujë dhe naftë, por uji është i dukshëm, – dhe ky është mendimi që e gjen tek gjeopolitka. Për njeriun e zakonshëm, kjo është një gjë e pakuptueshme, gati – gati në kufijtë e lajthitjes. Ajo që më ka shtyrë të krijoj tablonë “ Beteja për ujin ”, është që legjenda moderne për ujin koincidon me legjendën antike për ujin. Të gjitha qytetërimet kanë lindur buzë lumenjve, liqeneve dhe deteve ( Egjipti, Babilonia, Roma etj )…”
Tabloja edhe pse në titull nënkupton një betejë, në telajo asnjë imazh nuk e pasqyron atë, përkundrazi aty ndofta duken “ gjurmët ” e saj si p.sh… “ Kali pa të zotin ”, “ Shpata pa luftëtarin ”, që simbolikisht aludojnë betejën e cila tashmë ka mbaruar. Në këtë vepër njëlloj si në veprat e tjera të këtij cikli, mbizotëron një qetësi, gati e frikshme për atë që ka ndodhur dhe më me mister është ajo që do të ndodhë. Ankthi dhe tensioni janë të dukshëm së pari, nga tonaliteti gri i veprës (shpesh grija shkon nga tonaliteti gri në të verdhë dhe herë – herë nga tonaliteti gri në violet). Së dyti, nga momenti i paraqitur në tablo që piktori gjithmonë e përzgjedh si një moment i sapo dalë nga parajsa dhe ndodhesh në purgator, ekziston një moment pritjeje i asaj që do të ndodhë (nga personazhet e padukshëm në tablo), “ është qenia njerëzore, – shprehet piktori Leka, që ka etje dhe që më së fundi realizon objektin e vet – jetën ”.
Piktori në tablo ka përzgjedhur të komunikojë me elementet simbolikë të saj, që sigurisht nuk janë për një publik të gjerë e të pa informuar. Vepra duke qenë se përmban motive nga dy drejtime: aktualiteti shqiptar dhe bibla, bëhet akoma më hermetike dhe e koduar. Curili i ujit i pikturuar në anë të tablosë, në mënyrë të thjeshtë e që nuk tërheq vëmendjen është edhe “ çelësi ” i kësaj vepre simboliko – mistike. Pema (kaktus) në qendër të tablosë e kalçifikuar dhe e pa formë, krijon imazh jorealist në kufijt e një legjende, ku drita diellore është shuar dhe tablonë e ndriçon një dritë tjetër ajo shpirtërore – artistike, një dritë pa kontraste e ngjyrë, ku çdo objekt është në tonalitetet e grisë dhe imazhet janë herë të qarta e herë të mbështjella nga misteri ireal i artistit. Duhet të qëndrosh gjatë para veprës për të dalluar dhe komunikuar me detajet e çdo objekti të paraqitur, që janë realizuar me një profesionalizëm dhe teknikë në mënyrë të përkryer.
Ylli DRISHTI