Përshëndetje Kult!

 

Shumë dukuri feksin ndryshe sot në jetën tonë… bashkëjetesa po i zë frymën martesës, pini i bankës, monedhës, e-mail, letrës së shkruar, kodi kompjuterik, agjentit të biletave… e kështu pa fund. Në këtë cunam teknologjik, hipnotizues, edhe revista KULT nuk ka sesi të mos ndërrojë lëkurë. Dëshiron të shkarkohet nga letra, nga materia, nga pesha, që të bëhet më eter dhe të shpërndahet më lehtë në ajër si virus e të infektojë më shpejt me kulturë mendjet e fjetura të publikut. Shqipëria është një bujtëse e madhe që pret e përcjell pa problem çdo gjë që hyn dhe nuk e çan shumë kokën nëse është e mirë apo e keqe. Tokë më të mirë se këtu nuk gjen kurrkund…për eksperimente. Por ka lexues të KULTIT, në mosha të thyera, që nuk e njohin kompjuterin dhe do ta kenë të vështirë të lexojnë revistën e tyre aq të dashur, revistën, e cila vetëm ajo i informonte se çfarë ndodhte në Shqipëri, me artin e shqiptarëve. Edhe po t’i luten fëmijëve të tyre apo nipërve, do marrin një … ohuuuuu! Nuk kam kohë tani. Mësoje vetë si ta hapesh web-in… E përfytyron si do ngelë një mesoburrë në këto rrethana nëse kjo që them nuk është fantazi?… Si i dhjerë! Revista KULT në letër, kur nxirrte kokë nga xhamat e kioskave, të bënte të kuptojë se tek ne shoqëria nuk ka rënë ende në materialitetin e thellë dhe të egër. Të jepte shenjë se ka disa ’’ego ’’ që e zbusin shpirtin e egër dhe të tromaksur të shqiptarit. Të jepte shenjë, se artistët veçse ia zbardhin faqen Shqipërisë dhe bëjnë namin e mirë nëpër botë, ku Shqipëria ende nuk figuron në hartën kulturore ashtu si edhe e meriton. Nëpër kafene, kam parë shumë shqiptarë që lexojnë revistën KULT, nga faqja e parë e deri tek e fundit dhe u bëhej shkak për diskutime, opinione, grindje e zënka pa qeder. Tani nuk do ta kenë më këtë mundësi. Do thonë… a e lexove KULTIN në internet? Më pas do diskutojnë, por do jenë më të vakët. Nuk do’’grinden ’’ më për KULTIN… për kulturën. Nuk jam pesimist, edhe pse e shkruaj kështu këtë himn për revistën KULT. Thjesht, kam fatkeqësinë t’i dëshiroj ’’sendet ’’ e dashura personale në bibliotekën time dhe t’i prek sa herë të më dojë qejfi. “ KULT ” të uroj punë të mbarë në dukjen e re!

 

 

GAZMEND LEKA