Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Pak çaste më parë, Taso po më rrëfente: ” Jam i lumtur dhe e kam për nder të veçantë që po ekspozoj në Galerinë F.A.B. të shkolles ku kam studiuar, pas kaq vitesh. Ishte një shkollë e stërgjatë dhe e lodhëshme në kohe, por isha i lumtur në shpirt…”
Këto mure, po të kishin gojë, do të na rrëfenin jetën e njerit prej studentëve më të shkëlqyer ndër vite. Do na rrëfenin Tason e fillimeve, që frymëzoi për një kohë të gjatë studentet me pikturat, grafikat dhe vizatimet e mrekullueshme. Deri më sot kanë kaluar breza të tërë studentësh dhe stafi nuk është më ai, por këtu midis jush nuk mungojnë dëshmitarë, që alibinë të cilën po ngre ta dëshmojnë të vërtetë.
Vazhdon ende të thotë: ” Jam i sëmurë rëndë. Jam student i përjetshëm ”. Është mësë e vërtetë. Taso nuk di të gënjejë e të thotë të tepërta.
Ndërkohe, Mariana shkruan mes rreshtave të shkrimit – guidë të ekspozitës: “ Që prej disa vitesh, piktura nuk e kënaq më Tason…”
Ta thuash në këtë mënyrë, është njësoj sikur Tasos ti kesh bërë një atentat . Pyeta vehten… Është konstatim!? Është pakujdesi!? Është bindje e thellë!?
Por fajin e ka Taso, që ka dëshirë të egër të na ngatërroje mu në mes të asaj krijimtarine gjigande, të populluar me vizatime, grafika dhe piktura mjeshtërore. Dhe si për viktimë të parë ka gjetur Marianen, bijën e vogël, studiuesen e artit prej Sorbone. Shkrimi është një analizë e tillë, që nuk mund ti lëvizësh një presje. Është si një hartë e plotë që të bën të lëvizësh me lehtësi nëpër urbanistikën e mendimit dhe të shpirtit të artistit. Është një hartë, që nuk të lejon të humbasësh rrugëve qorre. Duket për një moment sikur analiza do të konstruktojë një realitet fiktiv, një realitet fantazëm, por ai vërtetë është realiteti paralel që ushqen Tason.
Thonë “ Sheh mendja dhe jo syri ”…
Kështu më ndodh edhe mua kur gjëndem në ekspozitën e Tasos. Kam fatkeqësine mos t’a shoh me vëmëndje atë qe ai do të na tregojë. Rri përpara krijimit të tij dhe nuk e shoh atë që kam perballë. Shoh vetë Tason, që nga vizatimi i parë në Lice e deri në pikturën ende të patharë në studion e tij. Shpesh herë e gjej vehten që bisedoj për ” makroTason “ dhe jo për “ mikroTason. “ Kujtoj dosjet pafund të mbipopulluara me vizatimet e një mjeshtri që të bën të skuqesh, grafika të një kualiteti të rrallë nga jeta e përditëshme, piktura dëshmitare të qytetit të tij, përcëlluar me një afsh të parrëfyer. Kurrë nuk kam ditur të analizoj dhe të gjykoj mbi një ekspozitë të tij, sepse ajo më fanepset si një guriçkë e vockel që ka rënë nga mozaiku i kupolës, prandaj edhe jam një rrëfimetar jo shume i mirë, por jam i vërtetë.
Taso është “ rraqexhi “. Është rraqexhi si Picasso, Bacon, Giacometi…Rraqet e këtyre të fundit mund ti gjeni tashmë kudo nëpër ekspozitat që bëhen për ta dhe janë pikërisht ato rraqe që e tërheqin më shumë publikun kurioz. Janë ato rraqe ku publiku qetësohet.
Të gjithë jemi rraqexhinj. Por Taso nuk gabon ti quajë “ rraqe “. I quan OBJEKTE dhe na i prezanton si vlera të denja për të qëndruar pranë krijimeve të tij. Këto OBJEKTE janë dëshmitaret më direktë të jetës së tij intime…
…Valixhja e gjyshit për Amerikë, Pema e shtëpisë, Tavalocat ndër vite, Tubi i elektrikut të 97, Dhoga e derës, Karrikja bërë enkas për nder të Van Gog-ut, Kavaleti i firmosur…
Për mua nuk është e re kjo dukje. Kur gjendem i rrethuar nga vizatimet, grafikat, pastelet dhe pikturat në studion e tije, ai nuk harron të më tregojë edhe jetën e fshehtë të objekteve. Ai është një rrëfimtar i pashoq. Di të tregojë në një mënyrë të magjishme dhe këto objekte e orjentojnë siç orientohet astrologu nga kupa memece e qiellit, fallxhorja nga filxhani i kafesë,dhe kiromanti nga pellëmba e dorës. Me fuqi magjepëse të përshkruan qytetin e madh dhe po me atë fuqi të përshkruan qytetin e vockël të kyçur në një gur, në një dërrase apo në një copëz hekurishte në oborrin e tij.
Nuk di të ketë një të dytë artist pranë nesh, ku jeta e përditëshme drejtëvizore, horizontale, të ketë një prerje të artë me jetën e artistit, atë vertikalen siç dëshmon qenia e Tasos.
Prandaj ju ftoj ta vizitoni ekspozitën dhe të zbuloni Tason tjetër që ulëret brenda Tasos që njohim.