GAZETA TELEGRAF INTERVISTON

PIKTORIN GAZMEND LEKA

 

 

Para disa ditesh  u hap në Galerinë e Arteve ekspozita juaj  me 34 piktura. Ç’farë keni patur ndërmend t’i  thoni publikut  përmes  kësaj ekspozite?

 

Hapja e një ekspozite personale për publikun është shumëdimensionale. Fillimisht është një ritëm normal i një krijuesi, i cili monologon gjithë kohën në studion e tij, por i mbarsur me përgjëgjësi për atë çfarë ai do të shprehet, e përkthen  në dialog me të tjerët.  Nuk është një tregim i thjeshtë i ngjarjeve që kanë ndodhur në shpirtin e tij, por një rrefim i thellë për të kuptuar vehten dhe për të pranuar që edhe të tjerët ta njohin atë. Dikur rrëfimi kryhej përpara priftit dhe njeriu shkarkonte mëkatet intime të tij tek tjetri, që të merrte bekimin. Bota materialiste nuk e duronte dot këtë dorëzim dhe “shpiku” psikologun, i cili fatkeqësisht kishte po të njëjtat probleme si edhe rëfimtari. Ne piktorët, rrëfehemi tek publiku për mëkatet tona dhe presim të marim bekimin e tyre.

Më datë 3 Mars në G.K.A. unë u rrëfeva. Rrëfeva 34 mëkatet e mija.

Publiku në këtë rast pa gjithë përpelitjen time në një hark kohor prej 7 vitesh. Sigurisht që në këtë ekspoze mungonte koleksioni i plotë i kësaj periudhe, por unë munda të zgjedh atë që ishte më përfaqesuese për rrefim. Kam një qetësi të brendëshme pas kësaj date të rëndesishme.

 

2.Ku  e merr  temën  e  frymëzimit  piktori Gazmend Leka?

 

Frymëzimi në gjëndje të lirë është si një kafshë e egër pylli. Është si një kafshë prehistorike, por që mua më duhet ta zbus dhe ta shëndërroj në një kafshë të bindur shtëpijake, duke i ruajtur në potencë natyrën e saj të vërtetë arketipale. Unë nuk pres të më vijë rastësisht. Edhe ashtu ndodh, por jam mësuar që ta ndjell dhe të më lejojë që ta përkëdhel. Frymezimi zbret, pasi të sheh nga sipër që t’i përkushtohesh me një punë të përditëshme, të përulur e pa tepricë egoje. Tashmë besoj se temat të hapen njëra pas tjetrës kur je gjithë “ sy e veshë “ në mënyrë të natyrëshme. Një TEMË rri si një Sfinks përpara teje dhe pret që te zgjidhësh enigmën. Enigma e krijuesit është një dhe e vetme, por të shfaqet me pamje tëndryshme. Ajo ndryshon sapo ti fillon dhe e zotëron. Kur ti i jep trajtë, në formë e ngjyrë, ajo nuk dorëzohet. Merr tjetër trajtë. Ty të duhet ta ndjekësh nga pas si një mirazh që kur e prek, zhduket. Është si një lojë pa mbarim dhe nderkohë që ti loz, lë gjurmë pas. Për  piktorin gjurmët janë imazhet e tabllove .

 

3.Keni hapur shumë ekspozita  brenda dhe jashtë vendit. Cilët nga ekspozitat mund të veçoni?

 

Kam hapur mbi 140 ekspozita, brenda dhe jashtë Shqipërisë. E kam të vështirë të zgjedh ndërmjet tyre. Po të zgjedh me parametrin e emocionit tim të brendëshëm, do ta kisha vështirë, pasi në të gjitha kam patur të njejtën drithërimë të shpirtit, por nësë marr parametra të tjera, rëndësinë e galerisë etj, mund të veçoja “ Ciklin e Kreshnikëve” që u vlerësua me çmimin e veprës më të mirë të vitit 1987, Ekspozitën në “ SOHO ” New York, 1995, që është një nga vëndet më prestigjozë në artin botëror, Ekspozitën e parë personale më 1992 në G.K.A., Ekspozitën “ NOSTRADAMUS “ 1999, në G.K.A., Ekspozitën “ FJALA “ 2010 në FAP dhe dy ekspozitat e fundit… “ BLACK BOX “ në galeri ZETA dhe Ekspoziten që është çelur këto ditë në GKA.

Megjithatë, nuk jam i saktë edhe me këtë përzgjedhje, pasi më dalin parasysh edhe shumë ekspozita të tjera që kanë patur një impakt të fuqishëm tek unë dhe tek publiku vendas dhe i huaj.

 

4.Ku  konsiston më shumë piktua  juaj; në gjininë e portretit, peizazhit, apo në ndonjë gjini tjetër?

 

Në koleksionin tim kam shumë pak peisazhe dhe portrete. Është kompozimi ajo gjini që e ka populluar atë qysh në hapat e mija të para. Këto janë shfaqur fillimisht në vizatime, pastele, akrilik, vaj dhe teknika mikse por në pikturën time edhe peisazhi edhe natyra e qetë janë një dekor i rëndësishem në zhvillimin e ngjarjes.

 

5.Si  hyre në rrugën e pikturës. Ju nxiti dikush nga familja apo ishte një pasion që lindi rastësisht tek ju?

 

Sot që më bëhet kjo pyetje, mund të them okultisht se ishte një domosdoshmeri që unë të merresha me pikturën, por po të kthehem në kohë, do gjej atë dite që unë rastësisht vendosa të ndjek sudimet në shkollën e artit. Pasionin e kisha si e kanë të gjithë fëmijët e vegjel .Të gjithë kanë dëshirë të vizatojne dhe llangosin me ngjyra çdo siperfaqe të bardhe që gjejnë përpara.

Familja ime gjithmonë me ka ushqyer pasionin tim duke më rrethuar me shumë dashuri. Kjo dashuri shprehej edhe duke më krijuar gjithë mundësitë në atë kohë që unë të merresha me imazhin. Gjërat që bëja m’i pëlqenin dhe pëlqimi i tyre më nxiste të vazhdoja. Herë herë më dukej sikur e kisha një detyrim ndaj vehtes që ti kënaqja prindërit e mij me atë çfarë bëja. Edhe sot ndodh, që në një familje, kur dikush çfaq një talent, konsiderohet instiktivisht si një person i veçantë, pasi të bërit pikturë jo nga të gjithë, duket si një magji e cila i jep standart gjithë trungut familjar.

Në një nga ditet e zakonëshme, kur familja bisedon dhe me miq, Ilia Vinjau, një njohës i mirë i serenatës korçare, nxiti tim atë që unë të vazhdoja studimet në Liceun Artistik. Kaq u desh dhe mua m’u caktua fati të cilin duhet të ndiqja.

Më pas isha në dorën e profesorëve të mij si, Hasan Çapari dhe Ferid Zela në Lice e më pas, në Akademi në ateljenë e grafikës të Pandi Meles dhe Vlash Priftit.

Por së fundi mund të them, se piktura lind me vetë njeriun dhe rrethanat bëjnë që dikushi të shfaqet si piktor.

 

 6.Nga fillimet e  krijimtarisë suaj ç’farë kujton tani?

 

Përpara se të meresha tërësisht me pikturë, kalova disa kohë duke punuar si krijues i ambjenteve të brendëshme në Muzeun  “ Gjergj Kastrioti – Skënderbeu “ në Kruje e më pas për 10 vjet si piktor, regjisor dhe udhëheqes artistik i filmit multiplikativ.

Pak shfaqesha në ekspozita. Në vitin 1992 hapa ekspozitën personale të parë në G.K.A., e cila pati një sukses të zhurmëshëm në opinion. Këtë moment, e kam të pashlyer nga memoria në fillimet e mija. 

 

7.Po nga fëmijëria juaj? Keni kaluar një fëmijëri të bukur apo të trishtuar?

 

Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, pasi jam rrethuar nga dashuria dhe përkujdesja deri në sakrificë e prindërve të mij dhe motrës sime. Im atë më ushqente duke më percjellë pasionin e tij për filmin, muzikën klasike, teatrin dhe librat. Nëna si gjithë nënat, sakrifikonte që gjithë ky informacion të mos më pengohej. Ime moter, si më  e vogel, më donte deri në adhurim për ate gjë që bëja. Mësova të isha i ndershëm, këmbëngules dhe plot dashuri për tjetrin. Në një familje normale, kjo është pasuria më e madhe që mund të të lihet trashëgim. Dhe besoj se këtë trashëgimi e kam shtuar.

 

8.Nga mosha e rinisë për çfarë të merr më shumë malli tani?

 

Më merr malli për rininë time.

Në rini nuk ka “ më shumë dhe më pak “. Ajo është e bukur me të gjithë spektrin e emocioneve që të burojnë e të ushqejnë. Kam patur miq për zili. Ishin moshatarë me mua, por shpirtmëdhej dhe mendjendritur. Të zotë në profesionet e tyre. Të mënçur dhe të kulturuar. Ishte si një Akademi e dytë paralele me Akademinë që kryeja.      

 

 

9.Nga  piktorët e mëdhenj kë adhuroni më shumë?

 

Dikur adhuroja. Kishte një mur opak midis meje dhe atyre, pasi dukeshin si prej një bote tjetër. I shihnim vetëm nëpër libra dhe na pëshpërisnin fshehurazi, sepse ishte një kohë që ndaloheshim t’u afroheshim. Sot ata janë për mua bashkëbisedues dhe muri ndarës është bërë gjithmonë dhe më transparent.

Jetojme në të njëjtën botë, me të njejtat probleme esenciale. Çdo ditë zbulon një mik të ri. Miqtë nuk mund ti adhurosh, sepse i do pa fund.

 

10.Keni bërë shumë piktura dhe keni hapur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit; ekspozitat jua sponsorizon shteti,  ndonjë sponsorë apo i sponsorizoni vetë?

 

Nuk mbaj mend të jem sponsorizuar nga shteti, me përjashtim të ndonjë gjëje mikroskopike. Kjo edhe për faktin se më bezdiste pa fund plotesimi i një formualari burokratik, që është në fund të fundit i domosdoshëm. Në përgjithësi e kam mbajtur vetë peshën e sponsorit.

Ka patur raste kur na kanë sponsorizuar të huajt, që na kanë ftuar në hapjen e ekspozitave në vendet e tyre, qoftë edhe për të njohur publikun e huaj me pikturën shqiptare. Midis të tërëve, ka spikatur si sponsor  Donika Bardha, e cila na krijoi mundësinë te ekspozonim vite me radhë në galerinë e saj “ GALERIA XXI “ dhe gjithashtu, udhëtimin tonë në Amerike, ku organizoi dy ekspozita, në Boston dhe New York.

Nga shteti shqiptar kam një të mire të madhe, si unë dhe shumë artistë te tjere, që studiot të cilat i kishim në përdorim, na u dhuruan kundrejt një vlere të papërfillëshme dhe kjo mendoj se ishte një gjest shumë i madh.