REVISTA “ELEGANCË” INTERVISTON
PIKTORIN GAZMEND LEKA
Në fillim ekspozita “Black Box”, më pas Onufri, keni pasur vërtetë shumë gjëra për të thënë qës hpejtuat për një ekzpozitë tjetër?
Vetmija ështe shumë e rëndësishme për një krijues, sepse në shurdhërinë e sajë, ai kryen thellësisht një rit të përditshëm rrëfimi. E shëtit vehten në skutat më të fshehta te qenies. Por rrëfim pas rrëfimi e kupton që kjo kthehet në një makth dhe tenton t’u rrëfehet të tjerëve. Prifti nuk i mjafton, psikologu po ashtu dhe gjen nje tjetër degjues, publikun. Ky nuk është nxitim. Është një gjest normal dhe i domosdoshëm. Kam patur shume rrëfime për te kryer dhe besoj se kam qënë një rrëfimtar i vërtetë. Kam rrefyer një pas një, 34 mëkatet e mija.
Zakonisht ekspozitat vetjake janë punët e një periudhe apo të arkivuara në kohë për t’i sjellë të gjitha së bashku? Po me ju si ndodhi të riktheheni sërish?
Rri çdo ditë dhe gjithë ditën në studion time. I shoh pikturat qe kryej njëra pas tjetrës si miop. I shoh shumë afër dhe veç e veç, pasi studio nuk më mjafton. Po kështu u’a tregoj vizitorëve që më vijnë, miqve, galeristëve, koleksionistëve dhe studentëve te mij. Një ekspozitë, e për më tepër në sallat e G.K.A., më jep mundësinë që t’i shoh bashkë dhe të reflektoj për rrugën që kam përshkuar . Shoh qartë, jo më gur pas guri, por të gjithë mozaikun e kryer në një periudhë të shkurtër apo ndër vite.
“ Parajsa e humbur ” u vlerësua me çmimin Onufri 2010, a mendoni se e keni gjetur parajsën tuaj, pas këtij vlerësimi në aspektin artistic apo atë personal?
Më pyet nëse kam gjetur Parajsën, apo Parajsën e humbur? Kur t’a gjej të parën,do t’a kuptosh menjëherë nëse më mban në vëzhgim, pasi unë nuk do të kem më arësye të pikturoj.
Në 34 tablotë e ekspozuara në Galerinë Kombëtare, vihet re një raport i ngushtë mes jush e ambientit që ju rrethon (cikli “ Dëshmitari ”), si lind dhe evoluon kjo marrëdhënie?
Unë kurdoherë kam qënë një dëshmitar i mirë i realitetit shqiptar. Që në rininë time kam parë përtej Shqipërisë konkrete një tjetër Shqipëri, atë sekrete. Perveç djersës së trupit, kam nuhatur dhe parfumin e shpirtit te sajë “ perandorak ” që e gjen më dukshëm në gjuhë, në flamur e në heronj. Nuk kam gabuar. Unë dëshmoj kurdoherë me ngjyrë dhe fjalë esence shqiptarie dhe nuk rresht së demostruari atë në sallat e ekspozitave, në mediat e shkruara dhe televizive, e për më tepër në auditoret e Akademisë së Arteve.
Çfarë e shqetëson më shumë një artist i cili “ ngjiz ” në vaj e kanavacë realitetin tonë, për ju nuk mjafton qenia për t’u revoltuar apo duhet të shohim përtej këtij komunikimi?
Qenia mjafton, kur ajo është komplementare me realitetin që jeton. Kur unë shoh në thellësi të qenies sime, njoh shenjat e vëndit tim ku dhe u formova. Realiteti është vetëm një pickim që e bën qenien të ulërasë.
Vihet re në disa tablo një përqëndrim i beftë i të kuqes, pastaj zhvendoseni dhe e shihni botën me tone të errëta, pse ndodh kjo?
Instinktivisht peneli rrëmben të kuqen . Është tokë, gjëndje e egër e fshehur që ulëret, gjak menstrual, gjak sakrifice, kafshë e therur për kurban…Ështe spala që dëgjohet shumë qartë në sfondin murmuritës të një orkestre që luan me tone të rënda e plot gravitet. Është KUQ e ZI. Ka pamien e koshiencës së plagosur që shkulet nga errësira e inkoshientit.
“ Ringjallja” është një motiv i vjetër, (ngritja e Krishtit nga varri), duhet si një largim i paevitueshëm i njeriut nga vdekja, po ju në ç’këndvështrim e sillni atë në pikturë?
Atë pikturë e kam quajtur “ Ringjallje “, sepse gjëndesh përballë nje varri bosh. Jane tre Marie që vajtojnë, por në një vështrim tjeter, j’a kam kushtuar shqiptarëve pa varr…të humburve të Otrantos, të humburve në kalim të gurëve të kufirit dhe të humburve të Shqipërisë së Epërme që i masakroi sërbi. Jane tanët që nuk kanë një varr dhe që vajtohen pranë varrit të zbrazur. Shpirti m’a do të jenë në Ringjallje.
Më duket paksa kokëfortë ideja e pranisë tuaj në tablo, a nuk mjafton dora, syri dhe mendja e krijuesit?
Mjafton, por kisha dëshirë të isha aty kur ndodhte ngjarja. Nuk besoj se kam profanuar!?
Nga pikturat që mund të shijohen lehtë nga syri, ju zhvendoseni në punë që flasin me kodet e alegorisë e metaforës, a ju frikëson fakti që ky figuracion mund të prishë komunikimin?
Përse të kem frikë? Sejcili merr atë që do e për më tepër ate që meriton.
A do të ndaloni të merrni frymë thellë pas ekspozitë, të bëni një pauzë në këtë ballafaqim me publikun, apo po gatuani diçka në laboratorin tuaj?
Kjo intervistë që po bën me mua është një ndër shumë pauzat e kësaj periudhe që më jep mundësinë të shoh se si projektohem tek tjetri… Është zbaticë e madhe dhe më duhet të përgatitem për baticën që nuk do të vonojë të vijë.