’’ BLACK BOX ’’

KUTIA E ZEZË E QENIES

 

 

Qënia nuk është gatuar vetëm nga balta, por edhe nga zjarri. Nuk i përket vetëm tokës, por edhe qiellit. Ruan në memorje qiellin, si për banesë të parë dhe tërë kohën tenton të shkojë drejt tij. Tenton të kthehet atje ku u ngjiz. Tenton të humbë gravitet e të ngjitet, por bie. Rrëzohet. Nuk mbahet. Qielli nuk e mban.

Qenia është mësuar me rënien. Bije dhe thyen hundët në baltë. Shkërrmoqet. Thërmohet në heshtje. Por, në kaosin e mbetjeve të tij, ruhet një kuti e zezë që i ka regjistruar të tëra…klithmën, ulërimen, vuajtjen, mërzinë, dashurinë, urrejtjen, cmirën dhe më në fund, afshin e krijimit. Janë të gjitha aty për të dëshmuar se çfarë ndodhte përpara rënies. Dëshmon për atë çka parë e dëgjuar kur ngrihej mbi tokë dhe e shihte tokën nga siper. Po ta hapësh atë kuti, do t’i gjesh pa mbetje të gjitha, imazhin, tingullin, parfumin, ndjesinë. Është memorje personale. Aty gjen shenja arketipale, monstra, heronj civilizues, ditën pas përmbytjes së madhe, qefinin e mjeshtrit të madh, sakrificën, zbritjen në dhomën sekrete…

Aty është e gjithë qenia, e strukur në fund të vetë QENIES. Është ’’ SANCTUS SANCTORUM ’’. Aty është dhoma e fshehtë e të fshehtave, ku nuk mund të hysh me duar në xhepa, sepse je lakuriq. Hyn vetëm ahere kur ngjizet krijimi. Është çasti kur duhet kujtuar e duhet parë se çfarë ndodhi. Ekspozita e një krijuesi, është BLACK BOX, kutia e zezë e qenies. Unë e hap, sepse dua të shoh në erresirën e thellë brënda meje, por deshiroj që dhe ju t’ju kem për deshmitarë.

Krijimi ka aromën ndjellëse të krimit.

 

 

GAZMEND LEKA
Ky është teksti shoqërues në ekspozitës personale ’’ BLACK BOX ’’ çelur në Galerinë “ ZETA “