“ PARAJSA E HUMBUR “
Në kontaktin e parë me pikturën, përftohet përshtypja së është një vepër e angazhuar dhe refleks i menjëhershëm i realitetit që jetojmë. Edhe kështu mund të shihet, pasi informacionet në media janë të mbushura me “ përmbytjen e plehërave “, por një lexim nën rreshta, të shpie diku më larg e më thellë.
Njeriu pak e nga pak me mëndjemadhësinë, miopinë dhe tërbimin e tij drejt një urije për konsum, po e humb natyrën që e rethon dhe po e çon atë dhe vehten drejt një kolapsi. Plehrat janë vetëm një shenjë në morinë e shenjave të tjera.
” Fruti i Parajsës “ është konsumuar aq shumë dhe egër, sa njeriu vetë ka humbur memorjen për vendin e bekuar, që me bujari i jepte atij dikur frutet e veta. Është një përmbytje mbetjesh, ku ka nevojë për një pastrim radikal dhe për të filluar një jetë të re. Figura në tabllo që mezi duket në morinë e mbetjeve, të lë përshtypjen e një braktisjeje të vendit të ndotur. Duket si një situate pa shpresë, por një Ylber i vockël në qiell, del si për të na kujtuar edhe njëherë shenjën e aleancës, qysh pas përmbytjes së përbotëshme të ujërave.