FJALA

O miku im kurioz,

Mbaj vesh të të rrëfehem.

 

 

Kur FJALA tërhiqet, bëhet zbatica e madhe. Boshllëkun e frikshëm që ajo lë pas, ne  të gjithë nxitojmë ta mbushim me SHKRIMIN, pasi kemi frikë mos humbasim memorien e nuk mbajmë mend rrugën e kthimit. Bashkë me të, dalin në dritë imazhet e llastuara nga format, ngjyrat dhe tingujt, sikurse fosilet që përkëdhelen nga rrezet e diellit  pas një përmbytjeje të madhe. Zbardhëllojnë atje tej në breg. Janë mbetje. Janë kufoma. Janë jehona e zbehtë e gjëmimit të FJALËS që u tërhoq. Ne nxitojmë të rrëmojmë në to dhe të përshkojmë historinë tonë, ndërkohë që ngjizim historinë personale, nga lindja e deri në vdekje. Nga lindja e deri në rilindje

…nësë mbërrijmë atje.

 

 

Kam lindur më 11 Tetor. Jam i shenjës së Peshores. Jam send gjykatës për gjithë gjallesat në horoskop. Kam lindur ditën e dielë.

 

– dita e DIELLIT

– dita e DJALIT

– dita e  DJALLIT

 

Është dita e madhe e pushimit. Është dita e  vetë Zotit, si për kujtim të ditës së shtatë kur pushoi dhe shijoi KRIJIMIN që u bë KRIM. Kam lindur në orën 7.oo të mëngjezit, si shtata e ngjyrave të ylberit, si shtata e notava të muzikës, si shtata e zanoreve të alfabetit tonë.

 

 

Nëna më tregonte se atë ditë kur unë linda, dielli ndriçonte shumë dhe ngrohte aspak. Kam lindur pa frymë. Për pak kohë isha “ andej ” dhe nuk bëja për “ këtej ”. Doktori më solli në jetë me magjinë e profesionit.

 

 

Oroskopi më tregon se kam tre Afërdita,që mund të merren për bekim.Edhe një prej tyre sikur të kisha, do të ishte tepricë.

 

 

Dielli im rri i burgosur në dhomën e 12, në dhomën e fundit dhe mua më duhet të zhytem  në errësiren e thellë të qenies sime dhe ta ç’burgos. Më duhet të bej 12 mundimet e Herakliut dhe në trimërinë e fundit, të kap për fyti Cerberin dhe ta zvarris deri tek froni…ose…të kem në dorë lirën e Orfeut dhe te hyj pa bërë zhurmë në fund të  vehtes. Ta vë në gjumë, sepse po u zgjua ckërmit dhëmbët e nuk më lejon të futem.

 

 

Më duhet të hyj  thellë në errësirë  për te takuar Euridiçen e ta shoqëroj jashtë pa e kthyer kokën pas nga kurioziteti, për të parë nëse më ndjek apo jo. Ndryshe e humbas përjetë. Më duhet të bisedoj me Tirezian, si Odiseu, duke sakrifikuar dashin e zi , si për komplementar, e ai të më udhëzoje qysh të kthehem në shtëpinë time, në qenedrën time, ku më duhet të shenjoj në 12 vrimat e sëpatave me një shigjetë e me harkun tim. “ Ta nxeh në flakë e ta bëj të përkulshëm si një fije bari e jo ta lë kallkan si një lis, që era mund të ma shkulë me gjithë rrënjë. “

 

 

Kam frike nga fuqia që vjen nga Boshlleku…Tërmeti, Aeropllani dhe Errësira.

Nata më bën ta ndërpres pikturën. Mëngjezi më ngazëllen si një fëmijë të vockël.

 

 

Piktura imë është e errët. Gjaku im i kuq e kerkon me nuhatje këtë. Kërkon që në qendër të ketë një njollë të zezë genetike, si në flamurin tonë.

 

 Të ketë një hije.

 Të ketë një vrimë të zezë.

 Të ketë një asgjë.

 Të humbasë gravitet.

 

Të përmbyset e të bëhet një botë kokëposhtë, që të thithë të tëra ngjyrat iluzore. Një sinor, ku “ kjo këndej “ dhe “ ajo matanë “ të bëhen një gjë.

 

 

Jam koshient për të kryer detyrën që më është ngarkuar, ndërkohë që nuk di ende karatin tim për ta shfaqur. Nuk di nësë jam ar apo çfarëdo lloj metali tjetër. Duhet të kafshoj vehten time me dhembë e ta njoh.

 

 

Kaq po të rrëfej o miku im kurioz. Tani që po vjen batica e FJALËS e mua më duhet të zhytem në të dhe të bëhem njësh me ty, sepse ne jemi njësoj. Fjala nuk na ndan si SHKRIMI.

 

Si na ndau forma.

Si na ndau ngjyra.

Si na ndau tingulli.

 

Fjala na ben NJË, sepse e vërteta në FJALË është vetëm një dhe e pandarë, si në ditën e parë të krijimit.

 

GAZMEND LEKA
Ky është teksti shoqërues në ekspozitën ’’ FJALA ’’ çelur në Galerinë F.A.B. pranë Universitetit të Arteve.