“ PARA KRIJIMIT TË QENIES “
Refleksion mbi peisazhet e piktorit Pashk Përvathi.
… qiej të kaltër e të kthjellët, por të pabanuar nga shpezët.
… ujra të gjelbërta plot zaje, por të pabanuar nga peshqit.
… tokë e blertë dhe e lulëzuar, por e pabanuar nga bagetia.
Kjo është mbresa e parë që unë degjoj nga rrëfimet e tua Pashk! Është ajo çfarë dekanton pasi largohem prej tyre. Nuk gjej në to, ajër të ngopur me tymëra, mbeturina e bishta cigaresh hedhur përtoke, kazanë të zgjyrosur plehërash, zarzavate të kalbura anesh trotuarëve, klithma shoferësh të furgonëve, sharje të halabakëve, bilbilin e policit në kryqëzim, zhurmën e përplasjes së makinave, fjalët e turpshme të adoleshentëve që bëjnë të skuqen kalimtarët.
Syri yt nuk i sheh këto!?
Në fakt…syri yt i sheh, por ty të parapëlqen të shohësh shumë herët në kohë. Në kohën kur pregatitej dekori me katër stinët e vitit, për tu luajtur drama e Qenies. Dëshiron të na sjellësh ndër mend kohën që thirret “ para krijimit të Qenies “. Kohën kur Qenia ende nuk kishte rënë, kur ende nuk ishte prishur, kur ende nuk ishte përjashtuar nga Kopështi i Dritës.
Ti Pashk, një kopësht plot dritë tenton të rizbulosh, prandaj peisazhet e tua janë mbingopur me transparencë dhe pa virus sëmundjeje në to.
Shpendët, peshqit dhe bagëtija janë aty. Nuk mungojnë, por bredhin pa e trazuar dekorin që ti krijon, e une nuk dua ende ti shoh, sepse edhe ti nuk do ti shohesh si fillim. Ti po ndërton konak për mirseardhjen e tyre e më pas ta popullosh ngeshëm.
Njerëzit gëzojnë tek shohin peisazhet e tua, sepse shkunden pak nga skleroza dhe ti i bën ata të kujtojnë, se një botë e tillë plot dritë është brenda tyre por nuk e shohin. Nuk i fut brenda skenës tënde, por i le jashte si spektatore që të meditojne sadopak për të bukurën e paprishur ende.
Prandaj pejsazhet e tua janë antidotë që hyn drejt e në shpirtin e tyre për të tretur mërzitinë, ankthin, trishtimin e brutalitetin. Kështu e tregonte botën dhe Mio vite më parë.
Pashk,ti je pagan! Krijuesin e do sepse e sheh atë kudo…tek një pemë, tek një gur, tek një gjethe vjeshtore, tek një mal që mezi duket tej, tek një shtëpize në mesfushë…me pak fjale e sheh atë gjithkund si paganët e mëdhej. E do Krijuesin nëpërmjet Veprës, sikurse edhe ti ke dëshirën që të të duan si krijues nëpërmjet veprës.