LIN DELIJA

 

Mund të rëfej që nuk e njoh mirë krijimtarinë e Lin Delisë. Ai, i takon atyre figurave të larta, që në memorien tonë nuk u fiksuan kurrë në përmasa reale. Pati të njejtin fat si Ibrahim Kodra. Ata erdhën tek ne, dikur kur ndiqnim studimet në Institutin e Lartë të Arteve në pamjen e një thashethemi. Për Kodrën flitej se kishte ekspozuar me Picasso-n dhe se ai kishte shkëmbyer bisedë edhe për origjinën e tij të largët shqiptare. Kaq mjaftonte për tu shtyrë në barkun e legjendës. Po kështu edhe për Lin Delinë. Thashethemi i radhës ishte, se një veper e tij bënte pjesë në fondin e Muzeve të Vatikanit, një muze me vlera të jashtëzakonëshme, pranë mjeshtrave më të mëdhej. Ishte e mjaftushme për të na modeluar e moduluar fantazinë tonë në një provincë të izoluar. I njejti fat e kishte shoqëruar edhe Lasgush Poradecin.

Ishin fantazma që qëndronin si kufinj midis legjendës dhe realitetit.

Mendoj, se gjatë gjithë jetës së tije deri në vitet 90, ai e ka vuajtur idenë se kush ishte për shqiptarët, ndërkohë që vlerësohej e shkruhej shumë për të në Itali. Po ta dinte se njihej dhe se ishte një legjendë, të paktën tek artistët e rinj, do ishte qetësuar  dhe ndoshta, ndoshta piktura e tij do të merrte një drejtim tjetër.

Kur z.Parid Teferiçi më propozoi të flisja diçka për Delinë në një takim, me rastin e ekspozitës së tij në Tiranë, ja ktheva thjeshtë dhe prerë se…Nuk e njoh krijimtarinë e Lin Delisë! Nuk e genjeva, por më pas u ndjeva ngushtë dhe ç’pluhurosa gjithë arkivin e memories time për të nxjerrë në sipërfaqe artistin konkret dhe jo legjenden. Ndërkohë mundesitë e informacionit ishin të mëdha, por askush nuk kujtohej më për të.

U kujtova se në vitin 1992, tek vizitoja Muzetë e Vatikanit, renda të shihja pikturën e Lin Delise që aq shumë na kishte magjepsur ne rini. Dhe besoj se e pashë. Them kështu, pasi nuk di saktë nesë e pashë vërtetë apo aq shumë kisha jetuar me atë ide sa më dukej se e kasha takuar

Kaq ishte Lin Delija per mua deri një muaj më parë. Tani mund të them më shumë për të. Mund të them të vërtetën e tij sipas meje.

Lin Delija i takon shenjës se ujorit. Ka lindur në atë grup shenjash ku pushojnë së sunduari zotët e mitologjise, Urani, Kroni dhe Zeusi. Është në harkun ku sundon Misteri, Fetë e mëdha monoteiste. Është në sinkron me edukimin e tij katolik prej fretërve. Kristianizmi, Shqiptarija dhe fryma e Rilindjes Italiane, besoj se përbënin tre kollonat kryesore ku mbështetej i gjithë konstruksioni i tij artistik, e psikologjik.

Kështu e shoh sot Parajsën e qenies së tij, rrethuar nga këta tre lumej gurgullonjës.

Lin Delija krijoi vepra Apokrife.Në të gjithë fjaloret gjejmë si shpjegim këtë fjale si…Jokanonike, E ndaluar, Fallco, E fshehtë, Sekrete etj. Krijimtaria e tij është mbarsur me gjithë keto cilesi…

Shkrimi është i cunguar pasi pjesa tjetër më poshtë nuk u regjistrua.

 

GAZMEND LEKA