Të nderuar zonja e zotërinj!

E nderuar zonja Rajmonda!

 

Kam kënaqësinë të jem unë nuni i ekspozitës suaj dhe së pari të uroj që të jetë e suksesëshme dhe e dashur për publikun.

Do të dëshiroja të të falenderoja që zgjodhe Galerinë FAB për tu shfaqur, pasi është Galeria jonë e përbashkët. Eshtë Galeria e studentëve që kanë jetuar shkollën tone, si në rastin tënd, e studentëve që e jetojnë dhe e atyre që do ta jetojnë në vitet e ardhëme. Është shumë i bukur dhe prekës kthimi në vendin ku ke mësuar profesionin magjik dhe ku ke shqipëruar bëlbezimet e para, për të kuptuar qenien tënde dhe ambjentin që të rrethon.

Vjen me grafikat e tua si një grafiste, që gjithë jetën tënde ja ke vënë në shërbim me plot përkushtim e plot dashuri. Je nga të paktët krijues që prek daltën, rulin, zingun, presën…Shumë nga ne e kanë anashkaluar këtë ndjesi, apo thënë me ze të lartë, e kanë tradhëtuar këtë gjini që sot në ambjentet artistike ka pamjen e një të braktisuri, siç kanë të njejtin fat edhe  akuareli, pasteli, vizatimi e shumë dashuriçka të vockla që dikur i kishim dashurinë më të madhe. Ti ende e do shumë grafikën dhe e sajdis duke vendosur një raport intim, për të shprehur atë që rri  fshehur e  që turbullon shpirtin tënd.

Duket si i parëndësishëm akti yt, por po ta shohësh thellë, është kontribut shume i çmuar kjo që ti po ben sot, përtej vlerës së veprës.

Nëse do ti kthehem vlerës që ti na dhuron, po ta dëshmoj që grafikat e tua janë të vërteta, delikate e me një fuqi të brendëshme. Bën një shëtitje me Bodlerin dhe bisedon intimisht me të, e nga gjithë ai dialog me zë të ulet, të mbesin copëza vargjesh. Me to, pagëzon veprat e tua që nuk bërtasin e nuk ulërinë, por pëshpërisin me gjithë sfumaturat e holla që ti ekzekuton. E tille ke qenë qysh herët në ateljenë e grafikës, e heshtur, e butë, e dashur, por brenda teje mbaje ndezur këmbënguljen dhe fuqinë e të shprehurit pa shtirje. E ke ruajtur pa e infektuar këtë vlerë dhe besoj që të është shpërblyer herë pas here në ekspozitat e tua, brenda dhe jashtë Shqipërie. Ke  fatin e krijuesit të ndershëm që bërtet në heshtje. Për këtë gjë të nderoj dhe të shpreh përgezimet e mija, se ja ke dalë atje ku të gjithë rrekemi e cfilitemi, që ta kthejmë mundin tonë në një prehje për vehte e për të tjerë.

Pa fjalë të teperta të falenderoj për kënaqësinë që na jep sot me grafikat e tua!

 

GAZMEND LEKA
19 mars 2010