ALI OSEKU

 

 

 

I thashë një mikut tim:

– Kam problem me “ APPLE “ sepse nuk e kuptoj mirë.

Shpejt m’a ktheu:

– Nuk e kupton pasi është shumë i thjeshtë, gati primitiv. Je mësuar me programe të ndërlikuara e të tepërta.

 

 

Befas m’u kujtua piktura e Aliut.

 

M’u kujtua e gjithë rruga ime që kam bërë me të deri më sot. M’u kujtuan pikturat që m’i tregonte në studio, ndërsa i vendoste në kavalet njëra pas tjetrës. M’i tegonte pa nxitim, por tensioni i ndihej. E kryente si nje rit. Nuk më lejonte t’a ndihmoja. Më linte të zhytur thellë në kolluk, për të shijuar të rejat që do të shihja. E dija që ishte momenti i tijë më i rëndësishem pas krijimit të veprës. Kërkonte që të rrëfehej në një heshtje dhe intimitet të thellë dhe të dëgjonte një fjalë. Por e dija se askush nuk ja kish dhënë dot atë. Të gjithë ne bëlbëzonim … ” mirë, mirë…dhe kjo mirë  “ e largoheshim nga studio pa i thënë ndonjë gjë të rëndësishme. Kishim shumë  dëshirë t’i thonim, po nuk e kuptonim.  Ndërkohë, studio e tijë ditë pas dite mbushej me pikturat që rrinin të kthyera dhe të mbështetura tek njera tjetra.

 

“ Aliu pikturon boshllëkun “… më tha një ditë Perikli Çuli

 

Ishte i vetmi që tha një “ gjë ” përballë “ asgjësë “ që pëshpërisnim ne. Pas asaj thënie, çdo gjë m’u bë e qartë dhe që nga ajo ditë, unë e ndoqa krijimin e mikut tim ndryshe.  E ndoqa në heshtje, por me vëmendje e madhe. Thënia e Perikliut ishte sikur të ndaje kohën në dy periudha.

 

Para “ Aliu pikturon boshllëkun “

Pas   “ Aliu pikturon boshllëkun “

 

Nuk ja thashë Aliut menjëherë këtë “ shikim depërtues “, pasi doja pak kohë të bindesha. E vëzhgoja fshehtas, por lehtësisht konstatova se Perikliu i kishte rënë në të. E kisha aq afër dhe isha përpelitur më kot. Isha rrekur shpesh herë ta formulja gjykimin tim, por thoja vetëm, fjalë, fjelë, fjalë pa fund për t’a mbyllur me një “ mirë, mirë…shumë mirë! “. Kërkoja ngjarje, por ngjarje nuk gjeja. Harroja se boshllëku është ngjarja më e madhe. Aty luhet e gjithë drama. Aty aktorët janë hije, gati të padukshëm dhe veprojnë në heshtje. Është shqisë tjetër ajo që të bën t’i shohësh  e  t’i dëgjosh. E kemi atë, por shpesh na mbyllet me mish. Kështu reagojmë përpara një fëmije dhe një plaku. Qeshim me fëminë. Qeshim edhe me plakun, Qeshim me thjeshtësinë, sepse jemi me muskuj e duam t’i djegim. I djegim kot më kot. Qeshim duke u gezuar me ta, por gezimi nuk na lë t’ë shohim më thellë. Dukej për një çast se këtë pikturë mund ta bënte ç’dokush. Por mos harrojmë se kështu kemi thënë kur u gjëndëm përballë  “ katrorit të zi “ te Malevich-it. Përballë të thjeshtës ngatërrohemi, sepse n’a gënjen mëndja dhe mëndja është e kufizuar dhe kufinjtë që ajo vendos na burgosin shpirtin.

 

 

Nuk e bëjme dot.

Nuk e bëj dot.

 

Që t’a bësh, kërkohet një tjeter lloj fuqie, që Aliu mesa duket e ka. Është sikur prek nirvanën, por kjo prekje nuk është e lehtë. Nuk të jepet kur nuk e meriton. Aliu pikturon qenien më të frikshme…atë që ne e quajmë me mëndjelehtësi “ HIÇ “. E pikturon me dashuri dhe e largon frikën. E përkëdhel dhe e bën bashkëbisedues. I afrohet butë dhe e nomatis me ngjyrë. E kthen gjithë orkestrën në spalë. E bën personazh të madh dhe të veckëlit i fsheh për të mos e bërë pis. Boshllëku j’a thith të gjithë.  Është si në një skenë ku ata janë transparent e recitojnë në heshtje. Nësë kërkon t’i shohësh, duhet t’u afrohesh me dashuripor, ne jemi kuriozë dhe masim me kutin e kuriozit.

 

Ti miku im vjen sot që të mbushësh boshllëkun e sallës me

“ Boshllëkun “ tënd.

 

 

…Ti  prodhon  reflekse të panumërta të meditimit. Eksperienca e meditimit të jep fuqi të madhe për të pikturuar boshllëkun.

… Ti e sodit së brëndëshmi.

Ne të gjithë mendojmë se boshllëku është një mohim pa kthim, por kjo është e vërtetë vetëm në mëndjen tonë reale. Në mëndjen e artistit, në mëndjen e krijuesit, boshllëku kthehet në objekt. Është objekt si të gjitha objektet dhe fenomenet që popullojnë tabllotë, por ka nje vecanti… është vetë totali. Ka në barkun e sajë të gjithë objektet e tjera, ashtu si edhe drita që fsheh ngjyrat. Është prizmi, që e demaskon atë dhe na tregon se në këtë dritë

” te bardhe “ që n’a lan, fshihen ngjyat që rrinë fshehur, siç rrinë të padukshëm personazhet e tu.

… Ti pikturon boshllëkun e mbarsur. Boshllëku nuk është negativ në këtë sens. Është ndoshta, fillimi dhe fundi.

Kur zhduket materia, objekti, figura, është e lehtë të humbasësh dhe orientimin, sepse jemi mësuar me kufinj, me ndarje, me semaforë, por tek ti nuk ndodh ky lloj hutimi. Ke tjetër hartë në dorë për të lëvizur në siperfaqet e medha që ti krijon.

… Ti i nxjerr në pah boshllëkut atë që ai ka më esenciale…pulsin, si princip të parë. I humb gravitet, siç ka edhe pamjen, por arrin kremën e sensibilitetit dhe të lehtësimit.

… Ti nuk e konsideron  “ nihil “ por e tregon me potencial farëzash të fshehura në të. E ben maksimalisht të plotësuar.

Kjo është gjëndje e lartë. Është energji e pikës zero. Ky nuk është thjeshtë një akt estetik, por akt meditimi. Në këtë sens, boshllëku yt fiton një  vlerë tjetër … Kryerjen e Aktit të Shenjtë.

… Ti, dalëngadalë fillon e njeh Kanunin e Boshllëkut. Ndjen ligjet e tijë dhe i përcjell me fuqi krijimi…dhe nuk je vetëm, pasi i gjithë mendimi sot po drejtohet tek boshllëku dhe po percepton një tjetër botë që njeriu e kishte pranë dhe nuk e njohu edhe pse që nga fillimet e tij ishte paralajmeruar. Mëndjemadhësia, apo aventura e udhëtimit në botën e materies nuk e linte t’a shihte.

… Ti nuk je mëndjemadh, por je shpirt i madh dhe një shpirti të madh, i jepet e drejta të bëjë dhe vepra të mëdha.

 

 

Ali, a e di kur ti behësh mëndjemadh!?

Kur kërkon të kesh për telajo qiellin e pamatë.

Boshllekun.

 

 GAZMEND LEKA
Tiranë   01.05.2011