DEKORACIONI

 

NJË BREDHJE E SHPEJTË NË PERIFERI DUKE MOS I HEQUR SYTË NGA QENDRA E PADUKËSHME.

 

 

 

Sipërfaqja e padekoruar është arketip. Ka formën, dimensionin, ngjyrën, meterialin, thurjen. Është si në fazën e ”Para krijimit të Qenies’’. Është si në pozicionin e Kaosit, ku i ka të gjitha brenda të pashfaqura. Është polivalente, joaktive. Çdo tentativë për të vendosur në të nje motiv, është tentativë për të çliruar nga “ errësira “ e sajë një ngjarje. Mbi të mund të vendosësh kombinime konceptesh në infinit.

– Profetët e mëdhej kanë veshje të pa dekoruar por thjeshtë në një ngjyrë.   Më e zakoneshme është ngjyra e bardhë.

– Veshja e njerëzvë në raste vdekjesh është e thjeshtë njëngjyrëshe pa dekoracione  ose pa dekoracione të tepërta.

– Rroba e mjekëve është e bardhë e pa dekoracione.

– Kirurgët e sallës së operacionit, e kanë jeshile, pa dekoracione.

– Uniforma e nënpunësve të shtetit, është pothuaj pa dekoracione.

– Nxënësit e shkollave  kanë uniforme pa dekoracione.

– Ushtarët e thjeshtë vishen njëlloj, pa dekoracione.

Janë shembuj për të treguar se sipërfaqia pa dekoracione përdoret si zonë GRI, ku ata që e veshin e humbin personalitetin dhe janë të detyruar të ndjekin rregullin e grupit. Është vendi ku individi dhe turma janë një gjë. Për më së shumti, kjo dukuri shfaqet në diktaturë.

 

Sipërfaqia me dekor është gjuhë konceptuale. Ajo dekorohet me koncepte. Koncepti është një valent. Është i përcaktuar, i kufizuar.

Dekoracionet janë motive gjeometrike dhe natyrale. Dëshira për të dekoruar nuk është më utilitare, por ka një vlerë tjetër të brendëshme psikologjike. Prandaj është e vështirë të krijosh turma me sipërfaqe të dekoruar, sepse sejcili ndjek dhe shfaq psiken e vet në mënyrë inkonshiente. Është një dëshirë e brendëshme dhe e fshehtë që në rrobë të projektohet harta e gjeografisë së gjithëshkaje që të rrethon, brenda dhe jashtë. Është si edhe projektimi i gjeografisë qiellore në gjeografinë toksore, sepse në fund të fundit piramidat, stonhengët, tempujt, vijat e Nackës etj…janë dekoracione, inçizime në tokë që pasqyrojnë incizimet e qiellit dhe vendosin një relatë me të. Këtë bën dhe njeriu sapo prek një siperfaqe që të incizojë një dekoracion.

 

Dekoracioni gjeometrik është në esencë të të gjitha dekoracioneve, sepse ato janë projekti bazë të të gjitha dekoracioneve. Ato vinë nga bota e shenjave. Janë arketipe që mbarsin botën e koncepteve.

– Një rreth, për të gjithë është një rreth, por nëse ti pyet se cila figurë fshihet në të, njeri do të përgjigjet, diell, tjetri, rrota e biçikletes, tjetri do të thotë grykë e pusit. Ndodh, sepse figura arketipale është polivalente dhe ti nuk gabon të çlirosh prej sajë të gjitha figurat e mundëshme konceptuale. Ndërkohë kur vizaton një diell, ti nuk mund ta ngatërrosh atë me një rrotë biçiklete sepse është njëvalencë, përcaktuar dhe e kufizuar.

 

Figurat arketipale nuk kanë kufi dhe për pasojë janë operatorë të lirë që bredhin ngado dhe nuk vdesin si figurat konceptuale, që nuk janë operatorë të lirë. Prandaj më së shumti këto dekoracione i gjejmë fillimisht në popujt primitiv, sepse ata janë më afër origjinës dhe komunikonin me një gjuhë arketipale dhe jo me gjuhe konceptesh. Le të themi që gramatika në këta popuj ka qënë rudimentare, pa shumë zbukurime, që është shenjë e popujve të zhvilluar industrialisht si edhe tek dekoracioni..

 

Dekoracionet në zanafillë kishin një funksion magjik. Nuk janë si dekoracionet sot, që e kanë fshehur apo tretur fuqinë magjike. Jo më kot Picasso shkon tek maskat afrikane, pasi kuptimi i shenjës ishte magjik dhe jo servil i botës reale. Kuptimi i dekoracionit dikur lidhej me ritet e lindjes, me ritet e vdekjes dhe të ringjalljes. Lidhej me ritet e sakrificës. Ato ishin të lexueshme dikur, por sot ka humbur abetarja për ti lexuar.

Ngjyrat që perdoreshin dikur për dëkoracionet, ishin ngjyrat primare…e bardha, e zeza, e verdha, e kuqja dhe bluja. Përplasja e tyre krijonte një harmoni kuptimore magjike dhe për pasojë një harmoni të shkallës më të lartë.

Sot ruhet tek fëmijet, tek të rriturit që mendojnë si fëmijë, apo tek të sëmuret mendor, sepse të gjitha qytetërimet janë vdekur brenda shpirtit të njeriut.

 

GAZMEND LEKA