REÇENSË
Për botimin e librit “ ENCIKLOPEDIA E ARTIT ”
Zëri…Artet figurative.
Pothuajse të gjitha Enciklopeditë janë si qeniet e gjalla. Kanë një koshiencë të brendëshme. E dinë fare mirë që nuk janë të pandryshueshme, por të ndryshueshme, që nuk janë përfundimtare por të fundme, që nuk ruajnë të vërtetën absolute, por atë relative. Kjo llogjike e brendëshme i bën ato të ndershme, të vërteta, transparente dhe praktike. Thjeshtë botohen. Botohen duke ruajtur në brendësi këtë “ virus ” , që vetem koha mund ta riaktivizoje. E mbajnë virusin si për katarsis dhe me këtë koshiencë të virusuar, ato janë mëse të gatëshme të dialogojnë me cilindo.
Edhe kjo enciklopedi e artit, e ka të formuar këtë lloj koshience dhe për rrjedhoje, më jepet e drejta që pa pritur rreshtat e fundit, siç ndodh rëndom, të uroj grupin e autorëve për formulimin e sajë!
…
I uroj,
sepse ky botim ka një veçanti shumë specifike. Është e para enciklopedi e artit në Shqipëri dhe si e tillë ka të drejtën ekskluzive për tu indeksuar në Enciklopeditë e kulturës kombëtare. Duke qenë e para, autorët e kanë patur shumë të vështire për ta strukturuar, sepse kur kanë kthyer kokën pas, kanë parë nje trafik të madh veprash dhe autorësh nga më të mëdhenjtë e deri tek të vegjëlit.
Kanë parë një trafik të pa orientuar mirë, një xhungël vlerash dhe antivlerash, një xhungel me kontribute të vërteta dhe me kontribute mediokre. Dhe besoj se atyre u është dashur të ndërtojnë me kujdes dhe largpamësi një urbanizëm ku të qarkullohej lehtë, me bulevarde, rrugë dhe rrugica si në një qytet. Një qytet që mbart në vetvehte dëshmitë e një të kaluare dhe të një të tashme që rrinë për alibi te njera-tjetrës. Dëshmitë e një Shqipërie të stërlashtë dhe dëshmitë e një Shqipërie që gjallon. Janë listuar, gjurmët prehistorike, amfiteatrot. skulpturat, banjat, keshtjellat, kishat, ikonat, afresket dhe të gjithë personalitetet e artit deri në ditet e sotme, duke krijuar nje mozaik gjigand për një Shqipëri të vogël gjeografike. Është arkivuar Shqipëria shpirtërore. Shqipëria e epërme dhe e poshtëme. Mendoj se ja kanë dale në krye dhe gjithë atë kaos e kanë kthyer në një rregull.
…
I uroj,
sepse në këtë botim, kanë qenë në limitet ku ndahet subjektivja me objektiven, dhe me shumë kujdes, nuk e kanë prekur zonën e rrezikëshme për të rënë në shije personale dhe gjykim personal. Kanë qënë të vëmendëshëm ndaj të gjithë fenomeneve të artit, duke i dhënë të drejten vehtes si për të parën herë, që të jenë më të gjërë në përfshirje për të dokumentuar në fund të fundit atë që ka ndodhur në artin figurativ shqiptar, nga e kaluara e mjergullt e deri në ditet e sotme, nga shfaqet plot dritë të galerive e deri në studiot intime të krijuësve. Kanë qenë të qartë për të vëzhguar jo vetëm dëshmitë artistike dhe krijuesit, që përfundimisht janë rrënjosur në mentalitetin e kombit, ata të cilët e formuan atë, por dhe ata, që për shkaqe të shumta kanë mbetur jashtë vemëndies së publikut, por që gjithësesi janë të kapur në intimitetin e jetës krijuase. Kjo nuk është një rastesi por një llogjikë që duket shumë qartë në gjithë arkitekturën e librit.
…
I uroj,
sepse me profesionalizem kanë bërë një pakt të fshehtë me kohën,që ajo me gjithë fuqinë e errozionit, të gryejë atë pjesë e cila nuk është mbajtëse. Ajo që është më e rëndësishme, thelbi i sajë do të mbetet nga enciklopedia në enciklopedi, që padyshim do jenë më të pasura. Dhe kam bindjen, se koha nuk do ta ketë atë fuqi, sa ta deformoje dhe ta shperfytyrojë atë që është themelore, atë pjesë që vërtetë përbën bërthamën, vlerën që nuk njeh kohë, vlerën që është koha vetë.
…
I uroj,
sepse kanë berë një punë pa limit, duke rrëmuar në memorjen kombëtare, në bibloteka, arkiva, ekspozita, dokumenta, kujtime dhe në vetë memorjen e tyre për të nxjerrë në sipërfaqe atë pjesë të vyer të nje Shqipërie krijuese. Është një punë që pak vetë e kanë aftësinë ta bejnë, sepse u duhet të zbusin egersinë e unit të tyrë personal dhe të ringjallin unin kolektiv. Siç ka vlerë një vepër apo një personalitet i artit, po kështu kjo cilësi është një nga vlerat e rralla që pais një studiues të vërtetë.
…
I uroj,
sepse në masterplanin e tyre për të organizuar këtë strukture, kanë sjellë në vemendjen e etur të të gjithëve, të vdekurit e mëdhej për ti ngjallur aty ku u takon. Duket si një punë e thjeshtë, por kur mendon se shpesh këto vendë kanë qënë vakant apo të zëna me dhunë, të bën të mendosh se më së fundi po çimentohet një ndërgjegje e thellë, ku skleroza dhe dashakeqesia janë pa pushtet. Të vdekurit e mëdhej me të drejtë janë vlerësuar si kurbanë të parë për themel.
…
I uroj,
sepse kanë qëne të vëmëndëshëm dhe për të gjallet që akoma nuk e kanë mbyllur ciklin e tyre të jetës krijuese, por që me përkushtim krijojnë në frymën e mjeshtrave. Dhe ndoshta, ky moment është dhe më i veshtiri për ta, se ndërsa për të vdekurit e mëdhej të jep të drejtë koha që tashme ka rrjedhur dhe e ka dhënë gjykimin e saje, të gjallet e kane shumë vështire të pajtohen nëpërmjet të drejtës së tyre personale për të gjykuar. Por mendoj se kjo vështirësi është në njëfarë mënyre është sinor i kapërcyer, fale shume filtrave që autoret kanë vendosur deri në variantin e botimit.
…
I uroj,
për gjuhën që kanë përdorur. Nuk është gjuhë letërsie apo gazetarie, por gjuhë Enciklopedie. Profesionale. E thjeshtë. Direkte. Profesionale se përdoret nga studiues profesionistë. E thjeshtë sepse tenton të komunikoje me shumë nivele. Direkte se shkruhet pa të teperta.
…
I uroj.
sepse kanë marrë detyrën për të qënë profetë, kur ndërkohë askush nuk të njeh për profet në fshatin e tij.
…
Le të shërbejë pra kjo enciklopedi e pare, si një gur prove për ta dhe për ne. Por një gjë është shumë e qartë, përtej gjykimeve dhe paragjykimeve, se ky liber i çmuar do të shërbeje si një bërthamë me një rrezatim të madh semantik dhe do te jetë një orientim për të gjithë lexuesit shqiptare apo të huaj.
Do ti sherbejë pa fund studiuesve, gazetarëve të medias, profesorëve dhe studentëve të shkollave artistike në radhë të parë dhe të gjitha shkollave të tjera, koleksionistëve, galeristëve, artedashësve për formimin e një koshience artistike kombëtare, e për më tepër, për të treguar se Shqipëria është dinjitoze në hartën shpirtërore botërore, siç është prezente në hartën gjeografike. Dhe unë mendoj se ky ështe një shërbim i madh që i bëhet kombit tonë.