Mbrojtje për disertacionin me temë
“ Piktura e Kacelit midis Parisit dhe Tiranës ” përgatitur nga Eli Xoxa në kërkim të gradës shkencore “ Doktor i Shkencave ”
Udhëheqës shkencor, Prof..Gazmend Leka
Ndërsa lexoja me vëmendje monografinë e zonjës Eli Xoxa mbi jeten dhe veprën e piktorit Sadik Kaceli, përfytyrova një biblotekë virtuale shqiptare, qoftë edhe shumë të pasur me tituj. Rrëmova në të, mbasi kisha rrëmuar në shumë të tilla, në Bibliotekën Kombëtare, në biblotekën e Akademise së Arteve, në biblotekën e Galerisë Kombëtare, në biblotekat e shkollave, universiteteve, për të gjetur monografi mbi artistët shqiptarë dhe u gjenda në trishtim të madh, sepse kishte pak, shumë pak, aq pak sa nuk mbushin dot një sergjen. Vallë vëndi ynë nuk është pjellor me personalitete të spikatura dhe për pasoje nuk ke se ç’të shkruash, apo ka pak respekt për ata, që në fund të fundit ishin gurët e themelit në artin shqiptar!? Më e drejta është të themi, se të shkruash një monografi nuk është aspak e thjeshtë. Prandaj kur e mbarova së kënduari monografinë mbi Kacelin thashë me vehte : -Të lumtë!
Ndoshta nuk është profesionale që oponenti të shprehet kështu emocionalisht, por ja që janë të tilla rrethanat që të bëjnë të shprehesh pa mbetje, për ta shkëmbyer me një falenderim punën e dashur të Elit për një nga personalitetet e historiës së artit viziv shqiptar.
Me koshiencë të plotë, autoria është rreshtuar tek ata shqiptarë që nuk e pranojnë se vendi i tyre është një vend miop e sklerotik, që nuk sheh dhe që nuk mban mend dhe këtë e shfaq jo me një fjale, por me një vepër të plotë .
Ajo dy, tre herë në tekst shprehet …” le të kthehemi në tregimin tone ” Është një shprehje revelatore, sepse vërtetë gjithë monografinë e ka shkruar si një tregim për tu kënduar. Nuk është naivitet, por është vërtetë të treguarit e dikujt për dikë. Tregon me thjeshtësi duke mos lënë pasdore detaje që vinë që nga rrënjët e pemës Kaceli. Çdo gjë për autoren është e rëndësishme, sepse çdo gjë tregon, çdo gjë flet kur bëhet fjalë për një jetë që nuk i përket vetëm individit, por dhe te gjithëve ne. Dhe ne vetë jemi të interesuar për çdo gjë që të dimë rreth një figure që ishte në mjergull, sa nga historia personale, aq edhe nga rrethanat që ai jetoi. Një pjesë të madhe të kohës e kemi përshkuar të gjithë bashkë, por pak dinim për njeri tjetrin. Eli tenton të bëjë pajtuesin. Na afron me të, e sjell në dritë, na e prezanton me gjithë kompleksitetin e tij, na tregon se ishte një njeri i madh, shume i madh me ëndëra të mëdha, se ishte i ëmbel, i butë, i mencur, i kulturuar, me pasjon të thellë, simpatik, me karakter, pa shumë fjale, djalë i shkëlqyer, nxënës i shkëlqyer, student i shkëlqyer, piktor i shkëlqyer, atdhetar i shkëlqyer. Eli e ka fshire me delikatesë pluhurin që kish rënë dhe na pajton me shkëlqimin e tij dhe ne e pranojmë pa vështirësi, se vërtetë e tillë figurë ka qenë për këdo.
I gjithë materiali është i bollshëm dhe i rëndë, se ka pamjen e studimit. Por lexohet me lehtësi. I gjen të gjitha, origjinën, fëmijërinë në Shqipëri, rininë në Paris, pjekurinë përsëri në Shqipëri, mundimin, fyerjen, frikën, mbijetesën dhe përsëri rikthimin në Paris. Vepra është e plotë me foto, kujtime të piktorit, të familjes dhe të miqëve të afërt. Dhe e tëra është treguar pa një kërkesë të sforcuar për stil. Aty nuk ka stil, ka të treguar dhe gjithëshka merr këtë pamje, sepse autoria shkruan me dashuri. Dashuria e të treguarit i ka fshehur kapriçot e stilit dhe ka bërë shumë mire, sepse kur do të njohësh jetën e dikujt fillimisht duhet të ndjesh dashurinë e të treguarit, që dhe ti të jeshë pjestar në të. Eli e ka derdhur me shumicë dashurine dhe respektin për këtë figurë të madhe.
Gjithë vepra ka strukturën e një kori ku janë të gjitha zërat, të cilët lidhen me njeri tjetrin si në një polifoni, ku herë del sipër rrëfyesi, hërë të thënat e Kacelit dhe hërë zërat e të tjerëve që shprehen për të. Dhe e gjithë kjo polifoni ka një sfond të rëndësishëm…materialin fotografik, që është vërtetë shumë i pasur qoftë me dokumenta, me foto të jetës dhe ajo më kryesoria, me fotot e pikturave që bën fillin e Arianës në gjithë këtë udhetim jo të lehtë të krijuesit dhe tonin që e ndjekim me kureshtje.
Kaceli jetoi në një periudhe shumë të vështirë për artin. U shoqërua nga Realizmi Socialist por nuk i takoi fare atij. Ai i takonte një lloj tjetër Shqipërie, asaj që ishte mbjellë në shpirtin e Rilindasve. Prandaj dukej sikur kish jetuar në një kohë tjetër, në një kohë kur njeriu ishte njeri dhe jo Njeriu i Ri. Pikturon peizazhe dhe portrete të një Shqipërie që po e asfiksonin pak e nga pak, ashtu si dhe Lasgushi dhe Kuteli. Eli duke i analizuar veprat e tij tregon me shumë delikatesë këtë vlerë të fshehur. Kaceli e takoi Parisin në një moment kur Arti shfaqej si Proteu. E dallonte dhe e shijonte, por ruajti modelin e parë, atë te një Shqipërie romantike që të gjithë donim ta kishim, por që po përçudnohej ditë më ditë. Ai nuk mori pjesë në përçudnim. U shmang dhe për pasojë ishte i lënë mënjanë, gati i harruar. Ishte për spalë orkestre por në marrëveshje të fshehtë me shpirtin e tij, qëndronte në rradhet e fundit të orkestrës dhe nuk pozohej me prepotencë, por shijonte veprën e tij. Dhe kur gjithë orkestra ekzekutonte hymnet e Realizmit Socialist shqipëtar, Kaceli luante vetëm atë shqiptare. E zgjidhte apo ja zgjidhnin? Eli na tregon se më shumë e zgjidhte vetë. Bente oponentin e një arti të thjeshtë dhe të vërtetë, jo traumatik. Ai nuk ishte konservato,r por konservonte vlerën që mos të infektohej. Më vonë do ta njohim këtë gjest për vlerë.
Eli ka përzgjedhur shumë piktura dhe midis tyre, ato që kanë bërë edhe gurin e themelit në historinë kombëtare të artit shqiptar. Eli i ka përzgjedhur dhe i ka analizuar me thjeshtësi dhe delikatesë për të na i prezantuar pa prepotencë, ashtu siç vihen në dukje gjërat e vyera. Ajo ka depërtuar në to aq sa mban dhe sa duhet, pasi e ndjen se ka edhe një analiste tjeter paralele me të, vetë koha. Është e vështirë të pretendosh ti thuash të gjitha kur je shumë afër në kohë me autorin, pasi vepra e artit do dhe kohën për tu pjekur dhe për tu bërë vërtetë pjesë e koshjencës kolektive kombëtarë. Shpesh ajo e vendos krijimin e Kacelit në një sfond artistic, për tu kuptuar edhe më mirë arësyeja e krijimit..Tregon deri në detaje lidhjet me familjen, me miqtë dhe me ambjentet artistike, duke ndërtuar një hartë të lëvizjeve shpirtërore, ku ëndërat gjejnë realizim.Është një vepër e ndërtuar mbi një vepër. Nuk është e lehtë, që në një moment të jetës të pushosh së vështruari jetën tënde dhe të gjurmosh jetën e tjetrit. Krijon simbiozë. Bëhet e rrezikëshme dhe të duket një moment sikur nuk mban dot distancë nga personaliteti që ke zgjedhur dhe e gjen vehten duke folur si ai. Duket sikur vlera e jetës tënde është e pavlerë dhe se e vetmja vlerë është vlera e atij tjetrit. Është një ngërc i madh, por kur e kthen në një detyrë fisnike si edhe Eli e ka kthyer, është të ngrihesh vetë në një stad më të lartë shpirtëror. Besoj se tek autorja ka ndodhur ky proces alkimik. Është ushqyer dhe rritur me personalitetin e Kacelit dhe tanimë pretendon të na ushqejë edhe n. Ne…artistët, studentet, nxënësit dhe njerëzit që kërkojmë të njohim vlerat e kombit tonë. Kur i shkova deri në fund studimit, kuptova se nuk e kisha njohur Kacelin dhe Eli ma beri më të afert, më të dashur dhe më dha kohë që ta njihja më thellë dhe më vërtetë veprën e tij. Dhe mbeta i kënaqur, që njoha një artist, jeta e të cilit nuk është e ndryshme në thelb nga jetet tona prej artisti. Kuptova që nuk jam vetëm në ankthin e krijimit, por që eksperienca e jetuar e dikujt ushqen eksperiencën tënde.
Studimi ka edhe disa gjymtyrë të rëndesishme, siç është një listë e gjatë e veprave të Kacelit dhe një bibliografi të pasur që vihet në dispozicion të gjithëkujt që dëshiron të thellohet më shumë.
Besoj shumë, se kjo vepër do të zërë nje vend të rëndësishëm në biblotekën shqiptare dhe do tu vijë në ndihmë sidomos studentëve që pak njohin jetën dhe veprën e Kacelit të madh.