Cila ishte ajo pëshpërimë gënjeshtare që na tha …
” Ejani t’ju tregoj për më mirë! “ e na ngriti nga tryeza ku ishim ulur të gjithë, e ku vizatonim pa u lodhur, duke zgjatur duart e vockla në mesin e saj, tek ishte një grumbull me flomastra e lapsa me ngjyra? Të gjithë ulnim kokat dhe vizatonim me kuriozitet botën që na rrethonte.
Përpinim fletët e bardha dhe i mbushnim ato me të vërtetën e botës. Edukatoria na bërtiste tek e linim fletën mënjanë vetëm me një vizë a me një rreth, një trekëndësh e ca ngjyra.
“ Mbushe e pastaj merr tjetër! “. Ne qeshnim duke zbardhur dhëmbët të sapo krimbur dhe ulnim kokën, nxirrnim pakëz gjuhën dhe vizatonim pa e prishur terezinë. Nxirrnim gjuhën jo për të përqeshur atë që benim, por si për të testuar shijen e ngjyrave që përzjenim. Ishte si meshë e shenjtë. Ne kështu dinim ti kryenim gjërat, thjeshtë, pa hile të sofistikuara si dhe vetë edukatoria kur ishte fëmijë, por që i kish harruar dhe i kish besuar zërit gënjeshtar…Për ne, aty qe gjithëshka…Me një rreth bënim diellin, me një kuadrat shtëpinë dhe me trekëndësh malin e lartë.
Por e braktisëm…unë, ti dhe Jorgaqi.
Na thanë se dielli nuk është vetëm një rreth, se llampa e dritës nuk duket mbas murit të shtëpisë, se vapori nuk rri sa cik ujin e nuk fluturon, po ashtu dhe kali e gomari, se Shtriga e Borëbardha janë fantazi si dhe këpuca prej kristali, karroca nga kungulli, Gishtëza, Pinoku, Dumbo dhe Sireneta …
“ Ke parë ndonjëherë Sirenete në plazh kur shkon me pushime? “…
Dhe ne, të nomatisur shqyenim sytë duke parë njeri tjetrin dhe skuqeshim nga turpi në heshtje duke menduar …
” Sa budallenj që paskemi qenë ! ”
Por Jorgaqi u lodh së bredhuri larg tryezës magjike dhe kërkon të kthehet. Ka humbur shumë kohë. Ka humbur rrugën, por është nipi që e njeh hartën për të shkuar tek ajo Tryeza e bekuar. Djali plangprishës mund të kthehet.
Ata ulen të dy dhe nipi vizaton. Vizaton pa fund. Fletë pas flete. Ai vizaton pa u ndalur dhe imazhet burojnë. Ajo që shfaqet para syve të Jorgaqit nuk është fantazi, por realitet. Është Harta. Harta që ai kërkonte. Befas çdo gjë i behet e qartë. Ato që përshkruan i nipi, jane gati njësoj me ato që ai kishte bërë vetë dikur. Qe e thjeshtë. E njeh këtë rrugë kthimi dhe nis të kthehet.
Në rrugë e siper gjen dhe të tjerë që kthehen, por Jorgaqi ndryshe nga ata, nuk ka ndrojë të tregojë kallauzin e ti të vogël. Një të rrituri që i tregon rrugën një femijë!!! Jorgaqit aq i bën. Kthehet me nipin përdore dhe të dy bisedojnë duke u marrë vesh me një tjetër gjuhë, me gjuhën e harruar, me shenjën,v izën, ngjyrën…
Unë i sodis së largu që zhduken në horizont, ndërkohë që një pëshpërimë gënjeshtare nuk rresht së përsërituri se…
“ Tryeza magjike nuk ekziston! “