LOST TIME
Kur Beni më tha…” Fol tre fjalë në çeljen e ekspozitës sime “ …e pashë me hakërrim e i thashë, se nëse do që fjalën ta mbaj, do përdor po atë përkushtim që ke ti në ekspozitë, sepse nuk mund të shprehem thjeshtë me tre fjalë dosido, si për ekspozitën e rradhës. Por fshehtas në mendje me tre fjalë të fola.
“ Je skulptor i madh! ”
…
Më the se merr shtysë nga oxhakë. Oxhakë që janë tërë sy e veshë për të dëgjuar thashetheme. Thashetheme të jetës tëndë personale,të familjes,të komshiut matanë dhe gjithë botës që flinte jashtë mureve të shtëpisë tënde, atje në qytetin e lindjes, në Gjirokastër. Edhe oxhakë mund të jenë! Hi i mbetur mbas zjarri. Llave vullknike e ngrirë pas shpërthimit.
Por, nuk mund të jenë vetëm oxhakë, i thashë vehtes. Janë edhe kujtim i obeliskëve në udhëkryqe, ku të gjithë, të ardhur nga anë e anës, ndalojnë për tu çlodhur e për ti dhënë pak kohë vehtes të zgjedhin shtegun që do marrin. Janë obeliskë tërë sy e veshë që dëgjojnë gjithë thashethemet e udhëtarëve, grindjet, luftrat, dashuritë, zgjedhjen e perandorëve, bëmat e heronjëve që stampohen në trupin e tij si vula të nxehta. Vula damkosje si tek kau i zgjedhur për kurban.
“ Por nuk mund të janë vetëm obelisk “ i thashë përsëri vehtes. Janë kujtim i ziguratëve arkaikë,mbetje të kullës arketipale të Babelit,tërë sy e veshë për të dëgjuar thashethemet tërë mburrje të njerëzve që maten me Përjetësinë e që duan të zënë në kurth kohën. Ndërtuar herë me shkallë e herë me plane, mbushur me gjurmë shkrimesh e vulash të të gjitha kombeve e të të gjitha kohëve, si për të damkosur kohën e madhe,kohën e përtejme,Asgjënë e frikëshme. Pashë Kaduqenë e Hermesit,anijen e Odisesë, Gorgonë, Qesar, monedha të lashta, Trini të shenjtë, skenën e Lajmit, Kapak ungjilli, imazhe bizantine, gjethe kurore, Hedhësin e diskut, Aleksandrin e Madh, demin totem të Kretës, luftëtarin aztek… çdo gjë të inçizuar për ta ruajtur në memorjen e kohës si për të patur frikë se një ditë do sëmuremi me sklerozë e do flasim përçar,t si edhe tani. Përçart, me rregulla gramatikore.
Atëherë nuk qënkan as ziguratë, por thjeshtë janë memorje.
Skorrje të farkes së skulptorit,të krijuesit. Tasele të mbetura. Tasele arketipale për tu shumfishuar në qindra herë me preçizion. Tasele që riprodhojnë qindra kaduqe të Hermesit,qindra Qezarë,qindra hedhës të diskut e qindra Aleksandër të Mëdhej. Janë memorjalë thashethemsh të mbetura të një kohe që ka shkuar. Lëvozhga të një thashethemi. Kaos i orientuar. Informacion në trafik. Është një bunacë para stuhije. Megjithatë as mbetje të farkës së krijuasit nuk janë…
…
Në fund të fundit, ato janë skulpturat e mrekullueshme të Arben Bajos.