KY USHQIM  NUK  PËRMBAN  MISH  DERRI

 

Gulçonim nga vapa dhe nga të nxituarit.

Kur mbërritëm tek dyert e Pallatit të Pionierëve, morëm frymë të lehtësuar. Por filmi kish filluar. U hodhëm një vështrim të shpejtë reklamave, “ Tym në pyll ”, “ Nikollka-lokomotivka ”, “ Kaçubej ”, “ Heronjtë e Kronshtadit ”, “ Si u kalit çeliku ”, “ Nëna ”…

 

 

Vinin nga larg. Nga Bashkimi Sovjetik. Përtej kufirit. Shoku im i klasës, ishte  më i gjatë se unë, aq sa për të ma bëre zili. U ngrit pak në majat e gishtave, ngjeshi fytyrën tek xhami i derës së jashtme dhe ndiqte pjerrtazi filmin në sallën që gumëzhinte nga thirrjet, klithmat dhe djersa mbytëse e moshatarëve tanë me fat.

Të njejtën gjë bënte edhe shitesi i caracave, që e kish të ndaluar të hynte e të shiste brënda. Ishte i nervozuar dhe shante nëpër dhëmbë.

-Të qelbet fryma si derr!

I ulëriu me përbuzje shokut tim. Ja pashë shkarazi dhëmbin e prishur sëbashku  me stërkalat e qelbura të pështymës që i fluturuan në ajer.

Tek ktheheshim në shtepi, buzëmbrëmjeje, kokëvarur, të fyer e të poshtëruar me shokun tim, s’lame nofkë pa i ngjitur:

Gallof, turi qen, mushkë, qelbës, mi i dhjamosur, kukumjaçkë, gomar, kurriz breshkë, hipopotam, dhe në fund e mbyllëm me sharjen…Qelbësirë! U ndamë të kënaqur që ja morëm hakun. Vetëm sharjen DERR nuk thamë.

 

 

Genci më tregonte një të hënë, tek ishte i vockël, marifetin që nëna i luante gjyshes. Çdo herë që i servirej sallam pyeste:

-Është mish derri?

-Jooo!!!

I nanuriste në korr familja dhe ajo e hante e qetë sallamin me mish derri. Kënaqej dhe bekonte tavolinën.

 

Artani më tregonte një të martë, sesi kohë më parë në një spital të Italisë, ndërsa nëna e tij ishte e shtruar për kurim, pyeste infermieret tek sillnin ushqimin e radhës:

-Është me mish derri?

Infermjerja bjonde i afrohej tek veshi dhe në konfidencë i pëshpëriste:

-Ky ushqim nuk përmban mish derri.- dhe e ushqente me devocion.

 

 

Derri në mënyrë të pakuptuar u bë një personazh i rëndësishëm për gjatë gjithë jetës sime. Derri ishte qenia më e diskriminuar dhe kush kish të bënte me të, ishte po njëlloj i diskriminuar.

Largojuni derrave! Mos u shoqëroni me derra! Ky është nje mësim, por për më tepër është mallkim.

 

 

Isha ulur në tryezë dhe po shijoja pjatën e porcelantë të servirur me mish derri. Ndërsa e prisja brënda gjithë rregullave të etiketës me thikë e pirun, m’u faneps ndarja e madhe, thirrja e madhe për luftë:

-Mos guxo të hash mish derri, sepse është e ndaluar!

Unë nuk ndalova. E kalova kufirin dhe çdo gjë mu duk e rëndë. Kisha tradhëtuar shumë miq, të njohur e të panjohur, të ndershëm, të dashur, të zgjuar, hipokritë, servilë e maskarenj, që nuk e shkelnin këtë betim. Kisha përballë tryezes sime gjysmën e kësaj bote …dhe u trishtova.

 

 

-Pse na e bëre derrin o Zot!

bërtiste i marri i fshatit dhe i binte me shkop qiellit. Më ndave nga të tjerët. Gruaja më la, femija më braktisi, fshati më tall dhe une s’di ç`të bëj. Do të hakmerrem.

Do t’i shaj, gallofër, turiqena, mushka, qelbesa, mij të dhjamosur,  kukumjaçka,  gomerë,  kurrizbreshka,  hipopotamë, cjepër…Qelbësira! Por nuk gjente derman. Kurre nuk u tha derra. Dhe ashtu vdiq. Përtej.

 

 

Lypsi i fshatit e varrosi dhe për çdo lopatë që i hidhte hungërinte, derr…derr…derr,  deri sa e mbuloi mos t’a hanin qentë.

Guri i varrit u quajt “ Kufiri ”. Pëshpëritej lart e poshtë: “ Kush e di se ç’bëhet matanë kufirit!? ”. “ Matanë kufirit është parajsa ”. “ Përtej kufirit rrojnë më mire ”. “ Ja mbathim përtej kufirit ? ”.

Dhe ja mbathnin. Një e nga një. Fshehurazi. Fshehurazi, se përtej “ Kufirit ” hanin derrin në çdo vakt.

 

 

Lloj lloj legjendash u  thurën për “ matanë kufirit ”.

-I kanë kthyer fëmijet tanë në derra! vinte tellallin lypsi i fshatit, që e shkelte atë prag sa herë ti desh qejfi.

-Është një bukuroshe, një e përdalë që na mori fshatin më qafë.

Por, të gjithë iknin nga sytë këmbet dhe as donin t’ia dinin për rrezik. Ditët e fundit të jetës  shkoi duke lebetitur te varri i të marrit që e kish varrosur vetë.

-Pse se ndale Zotin kur bëri derr!- dhe plasi.

Çirça buzeqeshte andej matanë.

 

 

Ne që mbetëm këtej, shpresonim. Shpresonim tek i Mënçuri ynë që të vente matanë e të na sillte njerezit tanë. Çirça donte dashuri si shkëmbim. Le të hamë lulen e helmuar, që të mos na bëjë efekt magji e sajë.

 

 

U kthyen. U kthyen të gjithë. Palë palë si edhe ikën. Erdhën dhe na sollën me vehte, atë…Shenjën.

\

skush nuk mund të gënjehet më. Askush. As gjyshja e Gencit. As nëna e Artanit. Çdo gjë që përmban mish derri ështe e vulosur. Të gjithë më në fund jemi të shpëtuar. Të shenjuar. Edhe shoku im i fëmijeris është i qetë. Është me Shenjën në ballë.

 

 

PS:  Murin e rrëzuam. Nuk ka më kufinj. Nuk ka më Këndej dhe Andej. Varri i të marrit u bë vend pelegrinazhi, por ne bredhim botës të shenjuar në ballë si Kaini.

 

 

 

GAZMEND LEKA 2003
Ky është teksti shoqërues në ekspozitës personale ’’ KY USHQIM NUK PËRMBAN MISH DERRI ’’ çelur në GALERIA E VOGËL