Vite më parë më çuan në Farkë.

Kish shumë baltë dhe pak njerëz. Njerëz që e adhuronin baltën. Ishte një nga ditët më me dritë të jetës time. më mësuan ta doja edhe unë atë… baltën.

I ulur pranë çarkut, njeriu i thjeshtë bënte një qyp, dhe një tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër… Oborri i shtëpisë u mboll me qypa.

Ishte njerëzore, ngazellyese, por jo e thjeshtë. U ula ta bëja edhe unë, por se bëra dot. Balta nuk më bindej, dhe u trishtova paksa.

I qëndroja pranë poçarit dhe e sodisja me kërshëri vallen e baltës. I përhumbur sillja ndër mend copëza jete që dikur më kishin kaluar pa i vënë re, ndoshta nga mëndjemadhësia, fodullëku apo injoranca.

 

 

Shfleto edhe librin më të rëndomtë të historisë së artit dhe në mënyrë të pashmangëshme do të përplasesh që në faqet e para me një qeramikë. Me figurën cicmadhe,Venusin primitiv,Mëmën,Pjellorinë… dhe më shumë akoma, me Magjinë e Baltës.

 

 

Njeriu modeloi me shkëndinë e vjedhur.

 

 

Gjithë jetën na kanë mësuar thashetheme historike e na kanë batërdisur me lodra fjalësh. Nuk na thuej e vërteta. Me kë s’janë tallur në seriozitetin e tyre absurd!

Me hidalgon e madh, Dulqinjën, Sançon dhe… me mullinjtë e erës.

Askush nuk na tha se ata ishim ne dhe mullinjtë e erës ishin gjigandë të frikshëm.

 

 

Na mësuan të sodisim muret e jo brenda tyre, sepse brenda mbizotëron boshllëku dhe boshllëkun e kishim frikë e tmerr.

Atë ditë në Farkë më pëshpëriti me ulërime Lao Ce;

-Vërtetë qypi bëhet me mure balte, por esenca e tij është boshllëku në të.

Ju qeramistë, ju baltaxhinj hyjnore nuk keni frikë se shihni boshllëkun drejtë e në sy. Ju e mpiksni boshin. E burgosni atë.

 

 

Na kanë thënë, se alkimistët janë sharlatanë dhe se donin të nxirrnin ar. Ar nga druri, guri, balta… dhe harronin Venusin primitiv, harronin se ju tashmë kishit lindur. Harronin se ju me pak baltë, krijonit si zoti. Vetë Zoti. E bënit baltën vlerë, Ar.

Dhe mos harroni, se bënit ar nga lënda më e përbuzur, nga ajo që shkelim përditë me këmbë, që e mallkojmë sa herë stërkalemi në këpucë e pantallona.

Kaq keq na mësuan! Ju na mësuat ndryshe. Na mësuat ta donim siç e donit ju vetë, pa ndot. Secili prej jush është shkollë më vehte.

Keni ndërtuar laboratorin alkimik me themel personalitetin tuaj dhe keni në dorë gurin fillozofik, zjarrin, shkëndinë hyjnore për të pjekur baltën që bashkëjetoni. E përkedhelni dhe e ledhatoni pa fund me mollëzat e gishtave reumatizmal dhe e zbusni siç zbutet një kalë i egër. I vini frerët.

Është tepër vonë t’ju kujtojnë, tek shohin vitrinat e studiove tuaja për të thënë “sa bukur”!

Tashmë balta është pjekur në zjarr. Art dhe teknikë. Dita e parë e krijimit. Refleks i origjinës së humbur.

 

 

Problemi në fjalë është:

“Objekti plastik midis artit dhe teknologjisë”. Delikat dhe i frikshëm në të njejtën kohë.

Thonë:

“Zoti e formoi njeriun nga balta e tokës. I fryu në flegrat e hundës frymë jete dhe njeriu u bë qenie e gjallë”

Afresk gjigand.

Zoti, artisti i parë dhe teknologu i parë. Ka një dëshirë, një qëllim dhe realizon atë në perfeksion sipas shëmbyllturës së tyre.

Por…midis Adamit qeramikë dhe Adamit qenie njerëzore, ndodhet një humnerë e frikshme. Ishte fryma hyjnore që e mbushi. Proçes perfekt teknik, nën barkun e një proçesi hyjnor artistik. Një laborator “par-exellent” alkimik, ku balta, druri, guri kthehet në ar, në vlerë.

Çdo shpirt gjeniu do të ishte xheloz.

 

 

Përballemi çdo ditë me një mori materialesh, me një xhungel të vërtetë, me Kaosin vetë. Kërkojmë vetëm një pikë që këtë kaos ta kthejmë në rregull dhe jo si refleks të zbehtë të rregullit natyror.

 

 

Dikur, njeriu i fliste pemës, kafshës, lules… dhe nuk kishte nevojë të krijnte. Ai zotëronte një gjuhë dhe  ishte zot legjitim. Por e humbi dhe nga ai moment filloi aventurën artistike të krijimit. Aventurë krimi. Odise e gjatë për ta rigjetur. Njeriu e humbi përfundimisht qetësinë dhe ra nga NJERIU në njeri.

 

 

 

Objekti plastik nuk e zëvendësoi dot qëndrën. Mbeti mirazh. Qëndra rrathe-rrathe u bë periferi. E ndjekim mirazhin dhe me ta mbrritur e kuptojmë që jemi të rrethuar nga një shkretëtirë e pafund dhe e frikshmë. Rrekemi të mos e humbasim toruan dhe thërrasim në ndihmë teknikën. Ju e përktheni baltën në gjuhë plastike dhe nuk ndiheni të vetmuar. Ndiheni të qetë.

 

 

Ju jeni trup e shpirt. Baltë e zjarr.

Jeni kufi. Kufi midis botëve të ndara që ditën e parë të krijimit. Ditën e parë kur u krye krimi.

 

Ai tha:

-Përkulu para krijesës sime që e bëra sipas shëmbëlltyrës sonë!

Tjetri ju përgjigj:

-Si mund të përulem unë, që jam lindur nga zjarri, para një krijese të lindur nga balta!? Dhe u rrëzua. U përjashtua nga qiejt.

Ju e vutë zjarrin në shërbim të baltës dhe realizuat mardhënien arketipale. Bëtë rolin e shkesit dhe ja dolët mbanë.

ZJARRI u bë më së fundi shërbëtor i BALTËS.

 

 

 

GAZMEND LEKA
9 dhjetor 2001/ Tiranë
Ky shkrim u porosit nga shoqata e qeramistëve për katalogun: “Ekspozita Ndërkombëtare e Qeramikës Bashkëkohore 2002”