…tek hidhja një vështrim të shpejtë të materialeve të ekspozites, më ra në sy një thënie, sa tronditëse aq dhe e mrekullueshme që më la mbresën e klithmës plot koshiencë të njerit prej artistëve pjesmarrës:

“ Është artisti ai që mund të na tregojë ngjyrën e errësirës, peshën e papeshës, formën e pafundësisë ”.

E thotë “ mund ” si një të vërtetë potenciale e reale dhe është mund njëkohësisht për ta bërë të dukshme për syrin e profanit.

Përpara Juri Gagarin dhe Neil Armstrong, artisti e ka eksploruar universin, hapsirën e frikshme dhe e ka patur të qartë se gjeografia e qiellit është paralele me gjeografinë e tokës, prandaj ka vendosur pika korespondence, dëshmi artistike që i ka mbjellë në tërë rruzullin.

Stonehenge në Bretanje, tre piramidat e Gizes rreshtuar simetrikisht me tre yjet e brezit të Orionit, Sfinksi enigmatik që pret të kthehen të ikurit, kollosët memecë që shohin qiellin në ishullin e Pashkëve, vizatimet gjigande në Nazca, si semaforë të aereodromit kozmik, varri i arte i mbretit në Palenke, me pamje kozmonauti, porta e diellit, tempujt e të gjithë kohërave, organizuar sipas ritmit makrokozmik, skulpturat dhe pikturat në qypa e mure ku planetet Marsi, Merkuri, Jupiteri, Afërdita, Neptuni e dielli Apollon jetonin jetë njerëzish, vizatimet hermetike të alkimistëve, horoskopët e lashtë në gurë, mandalatë kozmike, ikona dhe piktura të Rilindjes mbjellë me yje, diej, planete, ëngjëj e figura enigmatike me remineshencë anijesh kozmike e deri tek artistët vizionare, Sima, Asada, Martin, Cordier, Magritte e deri tek artistët që prezantohen sot në këtë ekspozitë.

Nuk është pejsazh joshës fantastiko-shkencor. Është realitet i jetuar në plane të ndryshme dhe kohë të ndryshme.

Vizionet e artistëve, dikur si përalla e fantazmagori, sot janë bërë të prekshme në sajë të shkencës që ja servir në pjatë të florinjtë politikës me kusht që ta administrojë principialisht mirë e me drejtësi.

Fakti që kjo ekspozitë çelet nga politikani, shkencëtarei dhe artisti, është një kujtesë për të gjithë nëse dikur difuzohej në një institucion të vetëm. Në Androginat.

Kjo ekspozitë përciell tek ne pikërisht këtë stad androginati.

Nuk flitet thjeshtë për art, për shkencë apo për politikë. Të treja konvergojnë për të na shtyrë drejt udhëtimit të syrit. Syri i artistit ndjek syrin e shkencëtarit. Është sy që bie në dashuri me kozmosin, diellin, hënën, udhëtaret, siç binte në dashuri me lulen, zogun, pemën dhe çdo gjë që na rrethon në tokën që shkelim çdo ditë.

Është ekspozitë për Vështrimin, Inteligjencën, Zemrën, Zbulimin dhe Rizbulimin. Është për syrin që ndodhet në zemër, në thellësi të qenies.

Nuk di të them, nëse ngazëllehemi tek shohim të hapen deriçkat e hapsirës, apo të trishtohemi tek shohim Derën e vulosur të pafundësisë!

Mjafton të themi në vehten tonë se pafundësia është e mbjellë në genet tona dhe ne jemi qytetarë legjitim të saj.

 

 

Prof. Gazmend Leka
Tirane  12.dhjetor.2001
Ky tekst është mbajtur me rastin e çeljes së ekspozitës së piktorëve amerikanë.