Kur gjëndesh ballë për ballë me vizatimet e Meritës, është e tepërt të përzgjedhësh fjalet dhe mund i kotë t`i formulosh ato. Sikurse të vijnë me shumicë, ashtu edhe tërhiqen brënda teje, e ty s’të ngel gjë tjetër veçse të ulërish me të madhe “ janë të mrekullueshme ” dhe më pas të rehatohesh në strofullën tënde intime për t`i përtypur e ripërtypur si një ushqim magjik, shërues e çudibërës.
…
Një kalem, një copëz leter.
Vetëm kaq mjafton që ajo të shtrijë përpara këmbëve të tua një botë të tërë. Një botë e tërë, ku realja dhe irrealja i lëshojnë terren njëra-tjetrës me bujari. Janë copëza ëndrre të një realiteti që vetëm ajo di t’a prekë, apo copeza realiteti të një ëndrre që vetëm ajo di t’a ëndërrojë? As andej, as kendej. Mes. Prerje e artë. Art i lartë. Rrugicë e ngushtë. Ngushticë e thepisur dhe e rrezikshme, që e kalon symbyllur, me duar shtrirë përpara, duke mërmëritur këngët e Sonambulit në orët e vona të natës. Çdo natë, i njejti rit. Është mesha e saj më intime, deri kur këndon këndezi tri herë. Dhe fantazmat zhduken.
Të marrësh pjesë në ritin e saj, të duhet të hapësh krahët për të mos u gremisur e të prekësh murin e realitetit që thërmohet në një anë dhe plazmën e ëndrrës që mpikset në anën tjetër. Dhe vetëm kështu, syhapur të lejohet të ndjekësh çapin e saj që mezi dëgjohet.
Mos i fol se do t’a zgjosh! Mos e zgjo! Ti nuk je Mëngjezi.
Agu i krijimit kështu ka qenë, plot ngjyrë si vizatimet e saj. Me më ngjyrë se kaq s’ka si bëhet.
Ngjyrat që i jetonin dikur, shumë dikur, sa ajo nuk e mban më mend, i janë shndërruar në karbon. Karbon që të vendosë rregullin. Kut për të datuar ngjarjet thellësisht njerëzore që tregon:
…paralindjen, fëmijërine, dasmën, familjen, pleqërinë, vdekjen.. dhe atë çka ndodh pas.
Mos e pyet, por rrëmbe ç’të mundësh dhe ruaje thellë “ orën e vonë ” të saj si një gjë të çmuar, sepse të çmuara pak do të kesh rastin të ndeshesh në jetë.
Unë, për vete, atë do të bëj.