Vizatime të vogla, të vizatuara me laps plumbi, të renditura njëra pas tjetrës si copëza të një afresku, suvaja e të cilit është patinuar me një gri të çuditshme.
Mentor Shehu vizaton jo pa një paramendim. E imagjinoj të ulur para letrës që e përkëdhel me delikatesë dhe, dalëngadalë ç’burgos figura të cilat i vijnë nga thellësia e subkoshiencës së tij. Është një imazh haluçinant. Figura që të ngjallin ankth, sepse ankthit duan t’i shpëtojnë. Njerëz lakuriq, gra me një sy në ballë, gjymtyrë që zhduken në trupin e tjetrit si në një gropë thithëse, portrete njerëzish në delir, këto janë imazhet që mund të dallosh po të përqëndrohesh. Figura që i ngjiten njëra tjetrës duke të dhënë sensacionin e llucës apo të brazdave të një truri të sëmurë. Tek-tuk në ciklin e vizatimeve shfaqet portreti i dikujt, i një personazhi me emër ose pa emër që kompleton indiferent këtë tmerr pa fund të turmës së përçudnuar.
Mentori, vërtetë krijon këtë pejsazh Apokaliptik, por ndërkohe ai rikrijohet duke gjetur kështu një fill për t’u orjentuar në labirintin e subkoshiencës së tij. Unë besoj se ky është fillimi i një cikli vizatimesh sugjestive.