Të nderuar zonja dhe zotërinj,

 

Ç`përfaqëson për një popull heraldika?

Përse vëndet e qyteteruara i ruajnë stemat e tyre heraldike, këto vlera identiteti moral, historik, shpirtëror – artistik?  Përse vëndet e qytetëruara kanë mundur t`i rindërtojnë nga shkatërimet dhe rrebeshet e kohës ?

Këto janë pyetje që Gjin Varfi j’a bënte vetes për vite me rradhë dhe sot, po ai shton “ se me anë të pasionit dhe vullnetit kam arritur  të bëj diçka në grumbullimin dhe rindërtimin   e heraldikës sonë të lavdishme, ku një pjesë të sajë po e ekspozoj sot përpara jush ”.

Janë pothuajse të njëjtat fjalë me të cilat vite më parë Spiro Konda  hap librin e tij: “ Shqiptarët dhe problemi pellazgjik ”. Është e njëjta përgjegjësi, i njëjti dyshim, i njëjti guxim dhe mbi të gjitha e njëjta dashuri.

Është dashuri ekstreme prej fëmije, marrë hua nga Rilindasit tanë të mëdhenj.

Une sot ndjej atë lloj emocioni të veçantë që ndjen njeriu kur është dëshmitar  i një ngjarje të madhe.

Dhe s`është rastësi, që gjithmonë ngjarjet e mëdha fillojnë si gabim ose si lojë. Këtë eksperiencë provoi edhe Gjini. Shtatë vjet më parë, ndërkohë që shfletonte librat për t`ë stampuar në bluzën e djalit një stemë të vjetër shqiptare, shpejt e kuptoi se ra në një kurth, që më vonë do të bëhej obsesioni i tij. Ra në një xhungël shenjash, ngjyrash, objektesh, copëza të një bote magjepëse, të dëmtuara e te  mbuluara nga pluhuri i kohes.

Instiktivisht ai ndjeu se kjo xhungël nuk ishte   gjë tjetër veç një mbretëri me bimë, kafshë, objekte qiellore e cila i bindej rregullave të percaktuara mirë. Para se të hidhte hapin e parë në portat e kësaj bote, ai lexoi se “ heraldika është një shkencë që studion stemat dhe të mëson si të lexohen në gjuhën e tyre specifike, që heraldika është një art  që disiplinon shijet, formën, figurën dhe ornamentin ”.

Kështu Gjini kuptoi se rregulli është pasioni i saj dhe se nga këto rregulla ajo botë merr jetë. Një fushë e pafund eksplorimi, e cila ngjizej si shkencë dhe shfaqej si art. Me pak fjalë, e njohu si objekt të vyer, të fshehur thellë në memorjen historike. Atij i lind dëshira të vjedhë sekretin, çelësin, fjalën magjike për ta kthyer këtë xhungël “ rrangullash ” në një mbretëri harmonike.

Larg rrëmujës dhe ambicieve të vogla, ai rrinte aty në mes të territ dhe kalonte çdo ditë thërmijat e një universi të rrënuar. Grumbullonte, skedonte, seleksiononte, emërtonte skicat, relievet, monedhat, gravurat, miniaturat, afreskët, piktogramat, deri sa më në fund j’u shfaqen së largu konturet e para.

Punë pa fund për t’i interpretuar ato, siluetin, figurën, ngjyrën dhe aq më tepër për t’i  riaktivizuar. Me penel të hollë, i është dashur t’i fshijë me kujdes intuitiv, pluhurin e kohes për të mos hedhur tej, bashkë me të, qoftë edhe një grimcë ar.

Një mundim i madh dhe i admirueshëm për të hyrë në mentalitetin e kohës, kur ato ishin krijuar.

Dhe stemat heraldike, dalengadalë shfaqeshin si një ekspresion sensibël, ku dhe hierarkia merrte jetë.

Duke gjetur çelësin, Gjini mundi të kuptonte më në fund ate çka ishte hermetike në fillim, atë pikë ku heraldika dhe simbolizmi priten, aty ku kthehet në një fushë të rrezikshme eksplorimi e mbarsur me një infinitet mundësish interpretimi.

Gjini u mësua t’i jepte rëndësi të madhe çdo gjëje, siluetit, numrit të objekteve, ngjyrës, fushës, horizontaleve, vertikaleve, kaheve etj. Ishin të gjitha fjalë që duhej t’i kuptonte ç’thonin.

Vit pas viti me eksperiencën që fitonte, ndjente se thellë siluetit heraldik, jetonte një forcë sekrete. Rregullat e matematikës së shenjtë që shfaqej në numra, pozicione, simetri, ishte fondamenti. Kjo botë mitologjike rezatonte në një harmoni të tille, sa sensibilizon edhe një person që nuk ka të bëjë me heraldiken. Filli i saj të kujton fillin e Arianës, i cili të çon drejt familjeve mbretërore, qyteteve të rëndësishme, personave të fuqishem dhe bashkë me ta në identifikimin e një copëze historie.

Sot, kur shohim pejsazhin heraldik të kompletuar për herë të parë nga Gjini, ne mundim të kuptojme të paktën që në radhë të parë është dokument mjaft i rëndësishëm i fizionomisë së shoqërisë shqiptare në periudha të caktuara historike.

Është normale që këto stema dikur rrinin në hyrjet e qyteteve, kështjellave, në dyert e familjeve të mëdha, në libra, piktura, bizhu, të treten në terrin e kohës, por nuk është aspak normale që ato të lihen në harresë sot, që shfaqen impozante në ekspozitën e Gjnit.

Me gjuhën veçanërisht të pasur, prestigji dhe misteri i shtatë ngjyrave, sharmi i stemave të vjetra të pikturuara, të vizatuara e të gdhëndura në mënyrë të admirusheme nga artistët heraldë shqiptarë, duhet të bëjë atë tashmë një nga shkencat – art më tërheqëse dhe një ndër studimet e historisë më të rëndësishme.

Ekspozita e Gjinit, guri i parë në heraldikën shqiptare, është një propozim i hapur për bashkitë e qyteteve, qëndrave turistike, klubet sportive, guidat udhëzuese, tekstet shkollore.

Kjo farë që ai mbjell ka dy rruge:  Ose të mbesë si një mumje e ballcamuar mire, ose do të lëvize si një gjë e gjallë në të gjithë jetën tonë.

Do të kisha një dëshirë të madhe që sot mes nesh të ndodhej edhe ai turisti zviceran që mes të tjerash më pyeti në një kafe të Tiranës:

“ Kur do të ketë Shqipëria heraldikën e saj? ”.

Une j’u pergjigja :

“ Së shpejti ”.

Dhe kjo “ së shpejti ” është sot. Për këtë t’i jemi mirënjohës Gjin Varfit.

 

 

GAZMEND LEKA
Ky shkrim është lexuar  në ditën e përurimit të ekspozitës  “ Heraldika shqiptare ”  të piktorit Gjin Varfi.