DJALI PLANGPRISHËS

 

…transmeton muzikë klasike.

Rri e dëgjoj gjithë ditën e dites dhe harroj mërzinë që më shkund si tërmet herë pas here. Jam i lumtur vërtetë. Me sa pak gjë lumturohet njeriu i varfër! Degjoj, shkruaj, lexoj, shoh e trishtohem si djali plangprishës. Nuk më ka ardhur koha të kthehem. Edhe pak , edhe pak e do të ngrihem të shkoj. Do të shkoj e do të marr me vehte gjithë këtë muzikë që dëgjoj. Do ta shkrij e do ta bëj gur, për ta futur në çantën e krahut, e do ta lidh me gjalmin e kaut plak që e dua aq shumë. Kaun do ta ther dhe ai do të më kuptojë, sepse jemi miq të vjeter. E dua kaun tim, por dua më shumë Atin.

Kur e thera, pëlliti me një të pëllitur që m’u ngjeth mishtë. E mora pëllimën e tij dhe e treta me gurin. Muzika dhe e pëllitura u bënë një gjë. Kau im i dashur, të thera kot, sepse as mishin nuk ta hëngra, as lëkurën nuk ta përdora, sepse atje ku do të veja nuk mund të të merrja. ” Nuk mund t’i lidhësh dot gojën kaut që shin “. Korbat të lakmojnë sepse nuk të duan më shumë se unë. Vinë rrotull teje ndërsa unë largohem.

Largohem e nuk e kthej kokën pas. Trasta më rëndon shumë. Nuk ka njeri afër të më ndihmojë. Dreq o punë! Ulem diku të marr pak frymë. Hedh sytë përqark e dalloj.

“ O malet e Shqipërise, e ju o lisa të gjatë! ”.

Mbërrita…thashë me vehte dhe u hodha përpjetë.

“ Toka e premtuar! “

Mbërrita!

E kisha kaq afer dhe nuk e shihja. Ati më paskesh lënë tërë këtë pasuri dhe unë nuk e vija re, por e përbuzja. Mendova se do të ishte betejë dhe e thera kaun siç vritet kali para se të nisesh në ndeshjen përfundimtare. Nuk qënka luftë, por akt dhurimi. Niçe më kish thënë, se im atë kish vdekur. Më vinte turp që më kish gënjyer dhe luta vehten që ta falja, por nuk e fala dot.

 

GAZMEND LEKA
Ky është teksti shoqërues në ekspozitës personale ’’ NOSTRADAMUS ’’ çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve.