BARINJTË

 

 

Kjo është një histori, historia e vërtetë e barinjëve dhe historia individuale e një artisti.

Dy realitete paralele. Përmbi njëren ndërtohet tjetra, realiteti i Slimit, shkruar me një kaligrafi të mrekullueshme në bardh e zi.

Slim, është një dëshmitar i madh i cili ndjen në mënyrë të dhimbshme këmbanën e fundit të një zhdukjeje të madhe. Zhdukjen e botës së barinjëve. Vuan, që kjo bukuri, bukuria e ditës së parë të botës po vdes ngadalë-ngadalë, siç dinë të vdesin qyteterimet e mëdha.

Mbyten duke lënë gjurmë në memorien e njerëzimit, gurë, mure, legjenda, këngë, ëndra, libra, objekte të panjohura dhe midis tyre fotografi,fotografitë e tij. Duke e ndjerë që çdo ditë diçka humb në ajer, ai nxiton të fiksojë mirazhet e fundit. Nga ky ambjent që fermenton, ai me dashuri dhe durim plazmon Imazhin dhe në të njëjtën kohë, Memorjen.

Slim e di mjaft saktë që përtej jetës banale, plot zhurmë, zili e xhelozi, ekziston ky vend i shenjtë, ku koha nuk është koha jonë, ku ekzistojnë të tjera dimensione, të tjera pika referimi, të cilat ai dëshiron ti zbulojë dhe ti pushtojë.

Kështu fillon pelegrinazhi i tij i gjatë drejt Tokës së premtuar, në tokën e barinjëve.

Don ta prekë ambjentin, të dëgjojë jetët e tyre, lidhjen me shtëpinë, qiellin, tokën, pemët, retë, diellin dhe tufën e deleve. Ndërsa sheh fotot e Slimit, të duket sikur sapo ka kaluar një stuhi, një stuhi emocionesh, spontane, e terbuar, ekspresive, plot pushtet, që me një dashuri sensibel plazmon zbulimin e tij.

E zeza e tij meditative dhe e bardha acute, të bëjnë të ndjesh një korale, ku solistët këndojne dhe ulërinë për të mbrritur deri në thellësi të ndjenjës. Dhe pas krahëve të tyre, grija, grija e tij mistike që rrethon duke përkëdhelur gjithë objektet, sikur të ishin të shenjtë.

Imazhe të shenjta nga një vend i shenjtë pas nje meditimi të gjatë, në errësirën më të thellë të shpirtit të tij.

Në qendër të kësaj simfonije pastorale, shfaqet personazhi i madh, Bariu, aktori më i vjetër i botës. Brenda tij, Adami, Abeli, Davidi dhe Mbreti i mretërve.

I mbështetur tek pema, me bastun në dorë, me mendje kushedi se ku, ai të duket si rojtari i Sekretit të Madh:

“ Nga vijmë e për ku shkojmë ? ”

Imazhet e Slimit nuk vonojnë të na japin përgjigjen:

“ Vijmë nga bota e barinjve dhe shkojmë në mbretërinë e Bariut të Madh ”

 

 

GAZMEND LEKA
Ky tekst, u shkrua dhe u botua për parathënien e librit me fotot e Slimit, nga bota e barinjve  të Abruzzos në Itali. Teksti origjinal është italisht.