“PARA KRIJIMIT”…
Telajo e bardhë…
E para ishte fjala. Ai, pas qelqeve të syzeve, mundohet të thërrasë në heshtje perëndinë e pjellorisë, i cili e dëgjon qetësinë dhe shfaqet nga një Gri që dominon çdo gjë përreth. Vetëm një kuadrat blu e shpon atë si një dritare.
Vjen sakat, pa duar e me gjysëm – këmbë, por i zellshëm për të fekonduar, e më pas… mbarsja fillon e kryhet. Por ç’pjell?
Njerëz – skulptura që duan të lëvizin, por s’munden.
Vezë të bardha të gjakosura e të thyera, gjysëm – krahë, gjysëm – këmbë, gjysëm… gjysëm e gjysëm dhe ja një botë e tërë. Një realitet që projektohet nga një shpirt traumatik. Vetë trauma është realiteti i tijë. Keto qenie të mjera, vendosen me prepotencë në një skenë, ku shquhen herë pas herë nëpërmjet katrorëve e trekëndëshave që therrin kuadrin, konturet e një bote reale.
Një sferë – botë, lëshon rrënjë vetëm per të ushqyer një selvi. Figurat duan të shfaqen por ai nuk i lë, i pengon që ne të bezdisemi nga pak për t’i parë qetësisht. Ç’ti bësh, kjo është estetika e tij.
Dhe ngërçi fillon e hyn dalëngadalë tek ne. Një Adam e Evë, që i rri për pjedestal një molle (një sferë, nje botë). Janë të pikëlluar. E kanë humbur Parajsën. Po kush e ka humbur, ata apo Arturi? Prandaj ai pikturon, që ta rifitoje sado pak. Gjen mënyrën si të çlirohet dhe… vjell.
Dhe nuk merr mundimin që të vjellë në ndonjë qoshe, por këtu, në sallë, në sytë tanë.
O zot! Po ne kemi nevojë të gjithë të vjellim nga pak.