GAZMEND LEKA – MISTIKU

Gjithnjë më ka tërhequr pa masë arti i Gazmend Lekes. Gjithnjë më kanë ngacmuar truket e tij artistike. Atmosfera në të cilen pluskojnë heronjtë e tij. Misticismi, si edhe fluturimet imagjinare në të cilat na shtegëtojnë veprat e tij.
Me universin artistik të Gazmend Lekës u njoha qysh në fëmijëri, si krijuesi i filmit aq të dashur për mua “Dy Gosti” (prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, 1982), e më pas në rolin e piktorit-ilustrues tek libri i Mitrush Kutelit me titull “Tregime të moçme shqiptare”(1987). Arsyeja që më pëlqenin atëhere skicat apo personazhet e tij të animuar gjëndej pikërisht në faktin se ato, dashje pa dashje, ushqenin fantazinë time fëminore me ndjesi, emocione e imazhe, prej të cilave e kasha të pamundur të shkëputesha lehtësisht. Me pikturën e Lekës u njoha diku aty nga fundi i viteve ’80, dhe jam përpjekur të jem në kontakt me të edhe përgjatë ketyre viteve. Ajo që bie në sy menjëherë sa ndesh artin e tij është realiteti tërësisht personal që gjallon në siperfaqet e sheshta me të cilat operon. Mistikja, spiritualja, fantastikja, elementet e ndryshëm mitologjik dhe historik, të filtruar këta prej subjektivitetit mendor dhe emocional të krijuesit të tyre. Shpesh herë kam ndjesinë se Gazmendi është një përçues dhe vazhdues dinjitoz i kërkimeve artistike, por edhe spirituale të mjeshtrave ballkanas të periudhës bizantine dhe pasbizantine. Po ashtu, ndjej se arti i tij ka thithur nocione estetike dhe filozofike nga kjo periudhë kaq e pasur për sa i përket vlerave në trajtë, apo edhe atyre konceptive. Fakti që mjaft punë të tij janë punuar në dru; evidenca e një realiteti dy-dimensional, me mungesë (apo injorim)tëligjeve të perspektives; një sërë hulumtimesh me problematikë spirituale (fetare); drita që pershkon pikturat (e cila të kujton shumë herë dritën që lëshon flakëza e qiririt), e mefshtë, e ngrohtë, dredharake dhe e brishtë; si edhe mungesa e gravitetit të elementëve pjesë përbërese të heronjve në veprat e tij, janë urëza që e lidhin këtë krijues modern me pikturën kishtare dhe kryesisht me ikonografinë bizantine të rajonin ballkanik. Vizatimi dinamik, ekzistenca e një lloj simetrie anarkiste, elementët gjeometrikë, simbolika e kudogjëndëshme, të thjeshtëzuarit e botës në mënyrë esenciale, pasuria stilistike, teknika tepër e rafinuar, si edhe mjeshtëria e pashoqe e penelatës, e vendosin Gazmend Lekën në një nga artistet më të rëndesishëm të brezit të vet në Shqipëri, por edhe më gjere, dhe në të njejtën kohë e shndërrojnë në një nga udhërrëfyesit e rrugës që duhet të ndjekë arti shqiptar sot – në vitet dhe kohërat e kolerës.

 

 

TONI MILAQI
19 NËNTOR 2008