ALKIMIA ARISTIKE E PIKTORIT GAZMEND LEKA
Nëse arti është vepër e hapur (U. Eko) dhe mund të njihet, të rikonstruktohet, të interpretohet dhe të reinterpetohet në shumë mënyra (Zh. Derida) atëherë edhe krijimtaria artistike e piktorit, profesori dhe teoreticientet tiranas Gazmend Leka, është vepër e tillë, që do të thotë se ofron mundësi të shumta njohjeje dhe interpretimi. Arti i këtij artisti është fenomen me shumë shtresa e kuptime, më shumë nivele e pusulla estetike e jashtë estetike, është për më tepër botë e ngjeshur shenjash e simbolesh ikonografike e fantazmagorike, imagjinatave e intuitive, për njohjen e së cilës lipset një kod i përgjithshëm gnoseologjik, përkatësisht një ekuivalent interpretues integral. Dhe ky kod obligimisht duhet të jetë i natyrës intelektuale, midis të tjerash edhe për faktin se në artin e Gazmend Lekës ka ndërhyrje të shpeshta filozofike, mendime të thella kontemplative si dhe kundrime shkencore, të cilat mund t’i diktojë vetëm mendja e ndritur dhe intelekti i lartë i njeriut. Pra vetëm përmes gnoseologjizmit inteligjibil, mund të mësohet drejtë e në mënyrë të plotë, për alkiminë vizatimore, pikturale , grafike e multimediale të Gazmend Lekes, për domethënien e shenjave, simboleve dhe sinjaleve të ndryshme, me të cilat ai ndërton, sendërton dhe kuptimëson formën dhe përmbajtjen e artit të vetë.
Forma artistike, apo jashtësia e opusit kreativ të G. Lekes, është mjaft tenebroze dhe jo çdoherë e pëlqyer për shqisa. Mirëpo ai nuk iu referohet shqisave, që do të thotë se nuk krijon për to, por për shpirtin estetik, mendjen dhe për intelektin. Mu për këtë, interpretuesi duhet të ngritët në nivelin estetik e intelektual, në mos të barabartë, atëherë të përafërt me atë të këtij krijuesi, nëse do që t’i afrohet sado pak universit të tij kreativ, konkretisht strukturalizmit racional, që së bashku me sistemin e simboleve, përbejnë boshtin shprehimor të artistit G. Leka me artin e të cilit, në skenën artistike shqiptare fillon një etapë e re, një mënyrë më ndryshe e të menduarit, të konceptuarit dhe të krijuarit.
Çdo simbol, shenj, piktogram, idiolekt e ideogram që paraqitet në formën artistike, në fakt lot rolin e zëdhënësit, përkatësisht të transmetuesit të krejt asaj që pulson dhe gjallëron në habitusin e brendshëm e përmbajtjesor të veprës së piktorit Gazmend Leka. E kjo përmbajtja është fushë e gjerë artefaktesh të nxjerra, apo më mirë të thuhet, të rrëmbyera nga jeta, historia, miti, mitologjia, e madje edhe nga gjithësia. Përmendem gjithësinë, përkatësisht galaktikën, nga se fitohet përshtypja se ajo, pra yjësia, me të cilën komunikon si me akordet e muzikës së Bahut, e frymëzon mjaft. Mirëpo, në esencë, frymëzimi, përkatësisht qenia dhe qenësia krijuese e Gazmend Lekës, është fare e tokëzuar, e lidhur ngushtë dhe organikisht me tokën shqiptare, me autoktoninë kombëtare, me “Shqipërinë e shenjtë dhe kozmike”, e cila, si një spiritus movens vë në lëvizje tërë qenien e tij krijuese, madje më tepër se sa që jemi të prirur të shohim dhe të pranojmë.
Filozofi dhe esteti i spikatur Hegeli konsideronte se e bukura është perde që mësheh të vërtetën. Këtë çështje që mendimtari gjerman e qëmtoi përmes gnoseologjisë spekulative, piktori ynë Gazmend Leka e trajton në mënyrë praktike, duke e margjinalizuar të bukurën, pikërisht për hire të së vërtetës. Madje as gama koloristike nuk shquhet me çiltëri, e aq më pak me bukuri shqisore, sepse piktorin e intereson e vërteta, qoftë ajo madje strukturë e zezë, atonale dhe e heshtur. Megjithatë, në këtë strukturë të mugët dhe të heshtur koloristike, ka bukuri imanente, ka timbër poetik, që të pushton ngadalë e qetë, që të shpien në “dimensionin e fundmë”, në të cilin nuk dallon dot ku mbaron realiteti e ku fillon shajnia, ëndrra. Kjo me fjalë të tjera, do të thotë se identiteti i veprës së këtij artisti, nuk konsiston në kirearkinë e raporteve formale, sado që edhe ato janë të rëndësishme si njësi konstituive, por në orbitën e të vërtetës; në kalimin nga modeli mimetik, narrativ e dekorativ, në konceptin kreativ, imagjinar e poetik. Në këtë mënyrë, kjo vepër bëhet oazë shpirtrash të veçantë, strehimore ëndërrimtaresh, poetesh dhe filozofesh, ëndërr e shtresuar me kohë në nderdijen e piktorit, të cilën ai e nxjerrë në formë të sensacionit plotësisht të vetëdijshëm kreativ, për ta vendosur në rrafshin kompozicional. Kjo s’do mend është shkalla më e lartë, dhe më e avancuar e komunikimit artistik të Gazmend Lekës, është mbi të gjitha koherencë paradigmatike e krejt asaj që shihet, dhe të tjetrës që nuk shihet por ndihet, mendohet, pra ekziston.
Në imazhet vizatimore, grafike e pikturale të artistit tonë, frekuenton konglomerat i terë numrash, figurash dhe trajtash gjeometrike, plot një arsenal sentencash e kuptimesh semantike, që zgjojnë ndenjen e kalueshmërisë, zbrastësisë, të mistereve okuliste e kabaliste, që gjendet diku midis të Mirës dhe të Keqes, Erosit dhe Tantalosit, Harmonisë dhe Kaosit, Hiçit dhe Diçit, Engjëllit mbrojtës dhe Satanit. Nuk është qëllimi i piktorit të na fus në labirintin e mistereve dhe sekreteve, por që ti dekodojë ato me alkiminë e artit të vetë, me shifrën universale gjithënjerëzore e gjithëkohore – me Kodin e Dashurisë. Komunikimi i Gazmend Lekës me këtë mënyrë, ndonjëherë atë e bën të duket i pakapshëm të mos themi mistik, mirëpo, në fakt ai është mendimtar i thellë, që njeh mirë gjeologjinë e miteve dhe të legjendave, kuptimin simbolik të morfologjisë gjeometrike dhe fuqinë e saj në përcaktimin e qiellit- me anë të trekëndëshit, të tokës – me anë të katrorit, të shpirtit -përmes katërkëndëshit, pastaj të përsosmërisë, apo infinitivit- nëpërmjet të rrethit vicioz.
Sa më tepër që thellohesh në mugëtirën vizuale të piktorit tonë, dilema të behet më e madhe: është kjo poetikë reale e jetës, apo është domosdoshmëri jetike të cilën ai nuk e honeps dot, për të vetmin shkak se nuk i do kushtëzimet, domosdoshmëritë, pra as kufizimet. Madje edhe jetën nuk e konsideron të kufizuar. Ajo shtrihet përtej Vdekjes fizike, përtej “Gurit të sakrificave” për të vazhduar së frymuari në dhe me dialektikën shpirtërore të artit. Këtë dëshiron të na kumtojë piktori i figurës ekspresive e poetike, Gazmend Leka, poeti i përfytyrimeve imagjnative, artisti subtil i formës, vijës, trajtës dhe i strukturaleve pikturale e antipikturale, autori i “Rojës së Sekretit”, “Gjergj Elez Alisë”dhe i “Kalorësit të Shkretirave”, Grabitësi flakës së Vullkanit. Dëshiron të në përkujtojë atë që thoshte Hegeli, se edhe nata e zezë, e zeza është fenomen fizik, estetik e shpirtëror, qenie e gjallë, e jo dukuri e vdekur, apo errësirë e neveritshme ku edhe gjedhet dukën të zeza, siç mendonte Shelingu. Dhe në të gjitha rastet dhe situatat, njeriu mbetet në qendër të vëmendjes së krejt opusit artistik të Gazmend Lekës, duke u bërë Unum, masë e çdogjëje, apo “homo mensura” sikundër që do të thoshte filozofi i lashtë grek, Protagora.
Piktori dhe grafiku Gazmend Leka vjen nga sistemi totalitar, ku çdo gjë pra edhe arti (apo para së gjithash arti) matej, çmohej dhe vlerësohej në bazë të kritereve politike dhe ideologjike. Prandaj kalimet nga klishetë afro gjysmë shekullore soc-realiste, (skajshmërisht të odeologjizuara), në moduset e kohës, në modelet artistike moderne (plotësisht të lira), në Shqipëri, u përcollën me dilema e tundime të mëdha. Për krijuesin shqiptar ky kalim ishte proces përlotë me sfida e gracka, terren fare i pa njohur, përafërsisht si kalimi nga errësira në dritë. Mirëpo, Gazmend Leka këtë proces transitor e kalon me intuitën e një demiurgu vizionar, i cili me kohë kishte parandier se do të vinte çasti kur do ti mundësohej të shprehej krejtësisht i lirë, pa censura e autocenzura, pa kufizime e mbikëqyrje. Ajo kohë erdhi, dhe piktorin G. Leka, nuk e gjeti të befasuar, konfuz, apo gafil, siç e gjeti shumëke nga komuniteti artistik në Shqipëri, por të përgatitur për veprim krijues. Kjo i mundësoi që fare natyrshëm të futej në botën e artit modern, në modernitetin artistik dhe estetik, për të krijuar një bagazh të madh të realizimesh pikturale, grafike, vizatimore, kolazhiste, etj.
Gjatë kohës që merret me art, profesor-piktori Gazmend Leka, krijoi cikle e tërësi tematike të shumta, nga të cilat shquhen “Ditari i Aklimistit, “Nostradmusi”… si dhe cikli i pikturave me dimensione të mëdha. Nuk themi se ai është krijues madh se pikturon imazhe me përmasa të mëdha, se trajtoi dhe trajton tema e përmbajtje, gjithashtu të mëdha, por për faktin se ato i ndien, i mendon, dhe i artikulon me gjuhë artistike të përzgjedhur, fare të rrallë në artin pamor shqiptar. Me artikulime të tilla, Gazmend Leka ndërtoi artin e tij emblematik, domethënës në përmbajtje, sugjestiv për nga forma, dhe njëkohësisht braktisi edhe elementin e fundit të praktikës imitative katër e më tepër dekadeshe, thuajse kurrë nuk ka frekuentuar me te. Pra kemi të bëjmë me një artist (nder ne) arketipor, namin dhe rëndësinë e të cilit me siguri do ta dëshmojë koha.
Për sendërtimin e ideve dhe të tij vizioneve kreative, autori përdorë laborator të terë mjetesh, duke filluar nga e lapsi, krejoni, tushi, sepia, ngjyra, e deri tek kanavaci, druri, metali, letra dhe materialet tjera; duke hyrë në to edhe vetë, duke u bërë pjesë përbërëse e tyre. Piktori i mirëfilltë identifikohet nëpërmjet të ngjyrës, kurse Gazmend Leka përmes ngjyrës dhe strukturës së saj; përmes ideve dhe shqetësimeve të materializuar me flakadanin e kompresorit, me flakën e shpirtit estetik të artistit, në qenien e të cilët kotet romantiku që ende ka iluzione se bota, njeriu, mund të fisnikërohen me art dhe përmes artit, që ende beson se diku ekziston Gjyqi i Ndërgjegjes, Argmagedoni, ku njeriu do të ringjallet për ti dhenë llogari Zotit.
Në kontekst me krejt që u tha, imponohet pyetja mbase stereotipe por e pa shmangshme: cili është ideali kreativ i Gazmend Lekës dhe çka synon të thotë, të rrëfejë, të aktualizojë ai me alkiminë e tij artistike? Përgjigja mund të supozohet: për këtë nostalgjik kronik, për këtë piktor që aq shumë është i magjepsur me sfumaturën koloristike të Rembrantit, vetë akti krijues është ideal, lutje, uratë, madje edhe relikt e kult, është për më tepër rrëfim i sinqertë e pa ekuivoke, për njeriun, groteskun, absurdin, tjetërsimin apo ikjen, vetminë, për filozofinë e jetës dhe mbijetesës, për udhëtimin e kometave, për shtrëngatën e shpirtit, për të kaluarën dhe të tanishmen, për gërshetimin e tyre spontan dhe të natyrshëm, dhe për dukuritë të tjera fenomenologjike të trajtuara dhe të konkretizuara me vokabularin e pastër dhe të qartë të artit bashkëkohor.
Krijuesi e ka vështirë të trajtojë kohën, historinë, autoktoninë, pra të kaluarën, e te mbetet bashkëkohor përkatësisht modern, siç është Gazmend Leka. Ç’është e vërtetë, Gazi është modern në atë masë sa është tradicional, dhe është real për aq sa është ideal. Mu për këtë, për pikturën e tij mund të thuhet, madje me plotë gojë, se është dikotomi realo-ideale, sintezë e frymës tradicionale dhe të asaj moderne, unitet në larmi, tërësi e të kundërtave që vazhdimisht dhe reciprokisht mohohen dhe plotësohen, është mbi të gjitha dritë që me nurin e vet ndriçon terë artin pamor shqiptar.
Piktori dhe profesori Gazmend Leka, është në dijeni të plotë për lëvizjet e reja që po ndodhin dhe po evidentohen në skenën artistike evropiane e botërore. Madje është sprovuar në shumë mediume artistike, konkretisht në skenografi ilustrime, kopertina, postere, logo, karikatura e madje edhe në përformansa, instilacione e në projektet tjera të artit konceptual. Pra artisti ynë ka shijuar po thuaj se të gjitha vokacionet e artit pamor, prandaj i kupton mirë, siç e kupton edhe konceptualizmin që është imperativ i kohë dhe shprehje e zhvillimit tekniko-teknologjik e industrial. Mirëpo megjithëkëtë, ai i qëndron besnik, madje me kokëfortësi pikturës së kavaletit, të cilën e konsideron si “njohje vertikale të qenies së vetë ”
Dhe në fund të këtij boceli studimor monografik, të shtojmë se nga arti i piktorit tonë Gazmend Leka, nuk kundërmon aromë trëndafili, por aromë shqiptarie, aromë lashtësie e qytetërimeve një herë të humbura e pastaj artistikisht të gjetura dhe të rigjetura.