GAZMEND LEKA

ERRËSIRA QË BURON DRITË

 

PETRIKA GROSHI / 16 Maj 2009

 

Personazhi i radhës në suplementin “Albania Weekend ” është piktori i parë që rrëfehet në rubrikën tonë. Nëse do të mundoheshim ta cilësonim, ai përdor ngjyrën e zezë dhe ka një mitologji të vetën, që e shpalos në art, jetë por edhe në bisedat me miqtë, nxënësit e kolegët. Jeta për Gazmend Lekën është një udhëtim në kërkim të vetvetes, emrit të vërtetë të tij, njësoj si Odiesu apo Dantja. Piktori udhëton në hapësirat e ndaluara ku jo çdokush mund të penetrojë. Po cilat janë këto dimensione?  E zeza bëhet e bardhë dhe bardha papritur shndërrohet në të zezë… e pastaj ngjyrat zhduken fare…

“ Po në fund, ç’mbetet? ” – do thoni ju?  “ Dashuria dhe vetëm dashuria! ” – do t’ju gjegjej Gaz Leka.

Prof. Leka, përsa i përket pikturës, a jeni duke u marrë me ndonjë cikël të veçantë për momentin?

Kam disa projekte ku mendoj të fokusoj tema të krijimtarisë sime të viteve të fundit, të cilat i kam pasur në formën e skicave apo ideve të hedhura në letër. Për të mos i çuditur shumë të tjerët, gjithmonë them se jeta e një artisti është shumë e thjeshtë dhe banale në pamje të jashtme. Unë vij çdo ditë në studio dhe rri aty nga mëngjesi deri natën vonë.

Nga mjaft punë që keni bërë dhe simbolika që përdorni, krijohet përshtypja se mitologjia egjiptiane mbetet një ndër burimet tuaja të frymëzimit…

Nuk do ta identifikoja thjesht me Egjiptin. Nuk mund të them që jam kureshtar, sepse kureshtar kam qenë dikur, atëherë kur na vinin vetëm copëza të informacionit dhe mendimit. Jam më tepër i fokusuar për të kuptuar atë çfarë është më e rëndësishme në shpirtin e shqiptarisë, në gjenin shqiptar. Dua të kuptoj më mirë strukturën time personale dhe të jem njësh me vendin tim. Mendoj se nuk është e rastësishme që jam këtu dhe që nuk jam larguar nga ky vend, sikurse nuk paragjykoj asnjeri që mund të jetë larguar për arsye të ndryshme. Këtu ndihem i plotë dhe kam ato lloj frekuencash që në asnjë vend tjetër nuk do t’i gjeja. Por shoh edhe shumë rrafshe krahasuese ndërmjet asaj esence që është mbjellë në gjenin shqiptar dhe në gjenet e popujve të ndryshëm. Dhe mes tyre shoh pika kontakti të jashtëzakonshme.

Po ju citoj afërsisht një thënie të Maks Velos: “…ne shqiptarët nuk bëhemi njerëz për shkak të mentalitetit anadollak – oriental…”. Ju ç’mendim keni?

E thënë kështu, mua më dhemb shumë. Po të analizojmë këtë dhe po ta gërvishtim pak, do të shohim se gjithë ai ndryshk nuk është i vërtetë. Poshtë tij ka ar, pavarësisht se ari nuk ndryshket kurrë, megjithatë ai mund të vishet me një cipë. Po të shkojmë pak më thellë është një strukturë mbretërore, që shkëlqen dhe kjo fshihet nën ndryshkun, në vertikalitet dhe jo në horizontalitet. Mendoj që jeta në Shqipëri ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Edhe mentaliteti ka filluar të ndryshojë, por kjo gjë nuk mund të ndodhë kollaj. Mentaliteti duhet të ndryshojë që në rrënjë. Mjafton që njerëzit të bëhen koshientë për vlerat e tyre dhe pastaj këtu, mund të ndodhin gjëra të mrekullueshme. Zhgënjime, deri në mohim të shqiptarisë, kanë shfaqur dhe Konica, Noli etj., në momente të vështira të tyret.

Zhgënjime të tilla i kam marrë gjithmonë si një dashuri ekstreme. Dashuri kirurgu, i cili të çan me thikë dhe të shëron dhe jo dashuri kasapi, që të pret e të vret. Kështu kemi folur edhe ne, herë pas here, kur na ka plasur shpirti, por kjo jo për të nëmur e për të mohuar, por për të ndryshuar. Po të shohësh, Shqipëria ka një energji jashtëzakonisht të madhe, me fibrilacione të mëdha, e cila ndonjëherë të turbullon. Nëse kombet e tjera kanë ecur, ne na duhet të fluturojmë. Këto përplasje inkoshiente nuk mund të identifikohen që vijnë nga bota anadollake, pasi do të ishte mendim i përciptë. Nuk është rastësi që në Shqipëri ndaloi gjithë Lindja e egër, lidhja barbare-otomane dhe nuk kapërceu më tej. Jemi si një derë as e hapur dhe as e mbyllur. Pastaj të mos harrojmë, se nga Lindja kanë ardhur filozofët dhe mjeshtrit më të mëdhenj.

 Po teksa flasim për fenomene si nepotizmi apo mënyra dembele e jetesës, janë këto trashëgimi e mentalitetit lindor? 


Nepotizmi edhe në Perëndim shfaqet në mënyra të tjera, por është i fshehtë dhe i fuqishëm. Të mos harrojmë se Amerika, sapo kishte një president, Bushin, i cili ishte djali i një ish-presidenti Bush. Sa i përket ligjit, ai bëhet i pazbatueshëm te ne, pasi jemi një vend i vogël. Nëse do të shkojmë në institucion do të gjejmë patjetër një të njohur, komshi apo kushëri. Por, nëse ligji dikur rregullohej nëpërmjet kanuneve dhe ka ecur në mënyrën më perfekte, sot duhet bërë një interpretim dhe zbatim i tij. Këtu të mos harrojmë se ligji nuk ka zemër dhe i llogarit të gjithë si numra. Jemi një asgjë që duhet të vihet para ligjit për t’u gjykuar. Por, kur ndodhemi përballë një miku, nuk mund të jemi më një asgjë dhe këtu nis konflikti. Për vete nuk e shoh si një fatkeqësi të madhe këtë gjë. Gjatë rrugës mund të ndodhin edhe keqkuptime, pasi ky është një udhëtim drejt pjekjes.

Le të flasim pak për fillimet tuaja me pikturën. Kur keni vizatuar për herë të parë?

Kur kam vizatuar për herë të pare, e kam bërë bashkë me ty; me të gjithë fëmijët e botës vizatuam bashkë në një tavolinë… Besoj se Zoti më ka prekur me njëfarë talenti, sepse po të mos qe kështu, do ta kisha lënë këtë rrugë, siç bënë shumë të tjerë. Qëkur isha në Lice, e kuptova se piktura ishte rruga ime. Edhe prindërit kanë ndikuar shumë në këtë drejtim.

Meqë i përmendët, si kanë ndikuar prindërit në profesionin tuaj? 


Kam pasur dy prindër të mrekullueshëm, të cilët më kanë ushqyer një harmoni për të qenë i drejtë, i ndershëm dhe sidomos, për të qenë punëtor. Nëpërmjet punës, atë farën e vogël që mund ta kesh, duhet ta ujitësh, krasitësh, ta ruash nga ngricat, nga vapa e madhe, derisa të bëhet një pemë e madhe, e shëndetshme… Pastaj, fryti është ai që duket dhe nëse sot kam nxjerrë fruta të mira, merita është pa dyshim e prindërve të mi. Babai farmacist dhe nëna edukatore ishin shumë punëtorë dhe të njerëz ndershëm. Secili prej tyre ka influencuar në mënyra të ndryshme mbi mua. Babi ishte i dhënë pas muzikës, kinematografisë dhe librit, duke më nxitur dhe mua që ta doja artin, ndërsa nëna është kujdesur të më rrethojë me dashuri, në mënyrë që të rritesha i qetë. Sot, unë vetë jam në pozicionin e babait, profesorit dhe krijuesit në raport me njerëzit që shohin dhe vlerësojnë punët e mia.

 

 Babai ishte më tepër model tradicional, apo shok i mirë?

Dihet që babai është kolona e shtëpisë, trau kryesor i familjes. Të jesh konservator do të thotë të ruash vlera, dhe jo si e trajtojnë njerëzit sot. Të gjithë njerëzit, në orët e vona të darkës, nuk shkojnë në shtëpinë e tjetrit, por në shtëpinë e tyre. Nganjëherë njerëzit shkelin gabim dhe kujtojnë se duhet të jemi sklerotikë. Shiko një pemë. Kush është pjesa që sakrifikon më shumë? Më konservatorja? Rrënja. Po në një pallat? Themeli. E vetmja gjë që mbaj mend se më thoshte babai ishte “ Gazi, ki kujdes! ” E thoshte këtë kur ne lexonim vepra të ndaluara si Niçja e Dostojevski. Kam qenë shpesh në prag të rrezikut, por shokët nuk më tradhtuan kurrë. Babai e dinte këtë gjë, pra që ne “ flisnim ”, kështu ishte pagëzimi. Shteti pretendonte të ishim memecë. Ua di për nder prindërve që asnjëherë nuk ma ndaluan atë lloj ushqimi.

Çfarë kujtoni nga ajo kohë, leximet dhe muzika e ndaluar? 

Nuk mendoj se kam qenë së jashtmi disident. Veç në dy raste, siç ishin diploma e Liceut dhe e Akademisë, më është përplasur në fytyrë dorashka, duke m’u thënë se isha molepsur nga fryma perëndimore. Megjithatë, profesorët e mi, mishin ma hëngrën, por kockën ma ruajtën. Qenia ime udhëtonte dhe bashkë me shokët, po piqeshim në rrugëtimin tonë. Lexonim librat e ndaluar që gjenim nëpër biblioteka të ndryshme, diskutonim, ziheshim shpesh.

Megjithatë, a ka mbetur një lloj sharmi; prekja e së ndaluarës në atë kohë mjerimi?

Sharmi, sigurisht që ka mbetur, ndërsa mjerimi, në fakt, vjen nga shpirti. Nëse je në shpirt i pasur, atëherë nuk e ndien atë. Nuk i kam bërë karshillëk botës profane prej toke e balte. Kisha problemin tim. E dija se njeriu është dhe prej balte, dhe prej zjarri. Prej balte isha, kërkoja zjarrin.

Le të mbetemi te fillimet tuaja; çdo artist në fillimet e tij tërhiqet, dashur padashur, nga gjërat tabu si nudot etj. Po ju?

Nuk jam piktor i nudove dhe as i peizazheve. Sa për peizazhet, nuk doja të pikturoja jashtë sepse më dukej sikur vrojtohesha nga mijëra sy dhe nuk ndihesha mirë. Ndërsa pjesa e nudove më dhimbset shumë, pasi ka një fazë kur njeriu mund t’i bëjë ato. Në kohën kur isha në Akadem,i nudoja u ndalua dhe modelet na vendoseshin me rroba kombëtare, rroba punëtorësh, uniforma ushtarake etj. Vetëm në vitin ’88 mora studio, ndërkohë që më ishte ndërprerë filli limfatik dhe nuk ushqeva ndonjë dëshirë shumë të madhe për të bërë nudo. Pastaj kisha marrë drejtim tjetër dhe nëse nudoja do të kishte vend në pikturën time, do të ndodhte për të treguar lakuriqësinë e personazhit, feminilitetin etj. Nuk kam pasur asnjë pengesë që të merrja një nudo në studio por kjo ka të bëjë me pjesën time të brendshme; ishte një gjë që nuk u bë në kohën e duhur. Në grafikat e mia ka nudo, por është një nudo që qëndron përballë Minotaurit…

E pra, kapeni gjithmonë te mitikja, shkoni larg, zhyteni thellë gjithmonë në kërkim të rrënjëve. Pse?

E kam adhuruar shumë pjesën mistike, atë gjë që ishte arketipale. Jo më kot kam ilustruar dy libra me legjenda shqiptare, njëri i Mitrush Kutelit. Kjo ndodhte në vitin ’86, por edhe kur nisën të hapeshin gjërat, shpirti im i ushqyer me mitologjinë, alkiminë dhe surrealizmin filloi të nxirrte disa kode personale; zbulova se brenda meje paskësh vdekur një mitologji e madhe, sikundër ndodh në shpirtin e çdo njeriu. Thjesht drejtova vështrimin drejt mitologjisë sime shpirtërore.

Në Zot besoni nga sa kuptohet. Po nga motivet biblike sa tërhiqeni? 

Çdo njeri, po ta pyesësh nëse beson në Zot, mund të thotë “ po ”, por po ta pyesësh se si e ka emrin Zoti, askush nuk ta thotë dot. Zoti është si një vrimë e zezë që të thith brenda. Unë besoj në një gjë të cilën nuk mund ta përcaktoj dot. Njerëzit fillojnë ta kuptojnë Zotin nga dashuria që i falin mikut, e në fund fare nga dashuria që i falin armikut. Këtë të fundit personalisht nuk e kam arritur dot… E mira dhe e keqja, e bardha dhe e zeza ekzistojnë veç për ne, që t’i ndajmë gjërat, jo për Zotin. Sigurisht, kam pasur një tërheqje drejt motiveve biblike. Edhe në shkrimet e mia shpesh nxjerrin kokë personazhe arketipale. Në mënyrë fare të pakuptueshme, njëherë në dy-tre muaj më ndodh që të pikturoj pa e kuptuar as vetë qefinin e Krishtit. Është më tepër si një ritual. Po ta shohësh qefinin e Krishtit të pikturuar nga të huajt, kemi të bëjmë me një çarçaf të bardhë të hekurosur, ndërsa ai që bëj unë është i zhubravitur.

Pse?

Sepse ne e kemi mbajtur gjithmonë të fshehur nëpër xhepa. E kam quajtur “ Qefini shqiptar i Krishtit ”. Ka dhe motive të tjera, siç është beteja për ujin, një rikujtim i bredhjes në shkretëtirë dhe i nxjerrjes së ujit nga shkëmbi. Por këto janë të miat; kam një Moisi brenda shpirtit. Nuk ka rëndësi se si janë këto motive nëpër libra të ndryshme pasi nuk bëj ilustrimet e tyre.

Nuk ka mundësi të mos keni medituar ndonjëherë për një kryevepër, siç është “Darka e fundit”, apo jo? 

 Po më bën me turp, sepse gjënë më kryesore nuk e kam bërë. “ Darka e fundit ” është një nga momentet më të mëdha që mund të jetë pikturuar ndonjëherë. Aty kemi 12 apostuj, 12 janë dhe shenjat e horoskopit, 12 janë kalorësit e tavolinës së rrumbullakët të mbretit Artur, 12 janë numrat e orës, 12 për ditën dhe 12 për natën, 12 janë edhe muajt e vitit. Është simbolizmi më i madh. Po ta marrësh në matematikën e shenjtë “ 12 ”- a është 3. Pra është njëshi që bashkohet me dyshin. Te numri 12 shihet energjia mashkullore që është e burgosur brenda, po kështu edhe te treshi. Mendoj që njerëzit çdo ditë duhet ta konsiderojnë “ darkë të fundit ”. Pasi kalojnë 24 orë, mendoj se duhet të bëjmë një lloj konkluzioni; kur deshëm shumë, kur tradhtuam, kur i lamë këmbët njerëzve që janë në një nivel më të ulët sesa ne… Nuk e di pse nuk kam shkuar drejt kësaj teme, por në të ardhmen ndoshta do ta bëj “ darkën time të fundit ”. Edhe Shqipëria ka një darkë të fundit, sepse edhe ajo është tradhtuar.

Momentet më të vështira në jetën tuaj? 

 Për syrin dhe për veshin çdo njeri ka momente të vështira, por nuk pretendoj të bëj kontratë dhe në një intervistë t’i them të gjitha… Gjithsesi, moment i vështirë është edhe kur je para një telajoje të bardhë dhe duhet të nisësh të pikturosh, apo kur je në procesin e punës, kur ke një pafundësi fundesh dhe nuk ndalon dot. Puna ndjek veten e vet; është si një qenie e gjallë dhe të ikën nga dora. Momenti më i lehtë është kur bëj ekspozita dhe pyes të tjerët nëse i pëlqyen punët apo jo?. Moment i vështirë është, kur nuk e dëgjoj tjetrin se çfarë thotë, por i shikoj syrin dhe e kuptoj kur energjia ime nuk është transmetuar, por ka një lloj humbjeje. Këto momente të vështira janë çdo ditë. Momenti më i vështirë është që njeriu të jetë i vërtetë, çdo ditë, çdo sekondë. Gjatë rrugës na bie edhe që të gënjejmë pa e vëmë re, sepse jemi mësuar me këtë; nuk kemi ndonjë kontratë me tjetrin për ta thënë të vërtetën troç.

“Gënjeshtra e bardhë” është pjellë sofizmi, apo jo? 

 Gënjeshtra është gënjeshtër dhe për mua nuk ka ngjyrë të bardhë, e as të zezë. Është një rrugë e drejtë, të cilën ti e deformon, ndërsa e vërteta është rruga mbretërore.

Megjithatë, psikologët kanë vërtetuar se njerëzit adhurojnë të gënjehen apo vetëgënjehen, paçka se mund të përbetohen për të vërtetën. 

Kjo ndodh sepse po të depërtohet më thellë, siç kanë bërë psikologët, do të shohësh se ajo shfaqje e gënjeshtrës është një e vërtetë e hidhur që buron nga brenda. Një ëndërr apo një fjalë e lëshuar pa kujdes, shpesh mund të zbulojë të vërtetën. Fjala është e vërteta, por ne jemi larguar prej saj. Jemi larguar nga drita e vërtetë, shohim ylberin në periferi. Po çfarë është ylberi? Diskreditimi i dritës, drita që ka pjellë. Nuk e shohim dot qendrën e dritës, ndaj drita është e zezë, e përmbysur. Kemi dalë nga qendra, jemi larg dhe tani na duhet të kthehemi te shtëpia e babait, se po hamë me derrat.

Optimizmi me pesimizmin në ç’raporte janë pozicionuar për ju? 


Shpesh, kur njerëzit shohin pikturat e mia, që janë të errëta, e marrin sikur unë duhet të jem një shpirt tragjik. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Ashtu siç ka stinë të nxehta dhe stinë të ftohta, edhe njeriu ka momente kur është i gëzuar dhe i trishtuar. Por trishtimi për mua nuk është trishtim. Ai është meditim, të ulesh në një qoshe dhe të mendosh, përjashto këtu trishtimet e thella që kanë të bëjnë me vdekjet etj. Optimizmi dhe pesimizmi nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me njëra tjetrën. Janë pjesë e brendshme e jona. Nuk ka kuptim që të jesh gjithmonë optimist. Te rruga e qenies nuk ka rëndësi mbërritja, por rruga vetë, aventura. Është ajo që i ka ndodhur Odisesë. Odiseja të njëjtën gjë ka bërë. Kthimi i tij është më i rëndësishmi. E filloi me luftë jetën e vet, bëri një hile në luftë dhe pastaj ai u poq kur u kthye, derisa shkoi në Ferr, ku takoi falltarin, nënën dhe heronjtë e vdekur. Rruga që bëri Dante Aligeri ishte kelimi në Ferr, pastaj në Purgator dhe në Parajsë. Udhëtimi i tij është i mbushur me ngjarje. Dhe në fund, bashkohesh me dritën, por jo të gjithë ia arrijnë kësaj.

E zeza, ç’ju sjell në mendje? 

 Në Perëndim, e zeza ka lidhje me vdekjen dhe ne e kemi konsideruar vdekjen si një portë që mbyllet. Lindja e konsideron ndryshe, si një portë që hapet. E mira dhe e keqja rrinë brenda, të kundërtat nuk ndahen; ato janë bashkë dhe pa njëra-tjetrën nuk mund të ekzistojnë. Në botën e supersticionit njerëzit vishen me të zeza, që vdekja kur të kalojë pranë të mos i shohë dot, pra e bëjnë për t’u mimetizuar. E zeza është e uritura më e madhe, ajo han edhe dritën. Luçiferi, bërësi i dritës, është mbyllur në honin më të zi të Ferrit, ama është drita më e madhe.

A besoni te varianti romantik, që njeriu dashuron vetëm një herë në jetë?

Nuk është romantike, por thelbi i gjërave. Që kur themi një femër, e konceptoj si një energji femërore që më vjen përballë mua. Nuk shoh mishin, por energjinë, pasi ajo më bën përshtypje. Gjatë rrugës (udhëtimi që ne folëm) njeriu me njërën e shtyn gjithë jetën, por ka shumë shoqe rrugës, të cilat transmetojnë po të njëjtën energji femërore në një plan tjetër. Por njeriu ka nevojë edhe për energji mashkullore, për shokë. Dashuria është komplekse, nuk është më ajo dashuria xheloze që konsiderohet si pronë. Duhet të jesh i aftë që energjia jote prej mashkulli të ushqehet me energjinë tjetër prej femre, por duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të dish të ruash disa sinorë.

 Kur e keni ndier “djegien” e parë për një femër?

Sigurisht që kontakti total i imi ka qenë me time shoqe. Atje çdo gjë u formatua në mish dhe në shpirt në gjithë kompleksitetin e vet. Përpara se të bjerë në mish, gjë që vjen në moshë më të madhe, sigurisht që njeriu merr disa modele; fillimisht nga nëna, pastaj nga edukatorja e kopshtit etj. Modeli im është Anna Moffo, një këngëtare lirike që ka vdekur kohët e fundit. Dashur – padashur, pa qenë i sforcuar, ajo doli në sipërfaqe; kur lindi ime bijë. E quajta Ana. Pra, çdo mashkull e ka një Beatriçe? Beatriçe, kam time shoqe.

Dhe për gruan ju do të shkonit edhe në Ferr?

Nuk më pëlqen të flas për këtë, sepse ajo është pjesë e imja, por mund t’ju them qe kam një grua të mrekullueshme.

Si jeni njohur me të?

Ajo ka mbaruar Konservatorin e Muzikës. Ka qenë një vit mbi mua. Ishte shumë e bukur, pa dyshim, ndër femrat më të bukura të shkollës. Pas shkollës ne emëroheshim diku jashtë Tiranës dhe u emëruam në Berat. Ajo kishte shkuar para meje. Kur e pashë thashë me vete: “ Kjo qenka këtu! ” Ndërsa ajo, siç më tregoi më pas, kishte thënë: “ Nga më erdhi ky këtu! ” Që në momentin e parë më bëri për vete. Ajo ka një intuitë të jashtëzakonshme dhe ka lexuar libra dy-tri herë më shumë se mua.

Avantazhet dhe disavantazhet e një mashkulli që ka përkrah një femër shumë të formuar…

Nuk ka pse njeriu t’i trembet shumë formimit, sepse ky është një partneritet; pastaj formimi nuk është spostuar vetëm në zonën e trurit, por edhe në zonën e zemrës dhe në zonën e seksit.

Së fundi, ç’do të thoshit për marrëdhënien tuaj me fëmijët? 

 Po të rri e ta mendoj gjatë ose të futem thellë në botën e nostalgjisë, në botën e kujtimeve, atje ku skleroza nuk funksionon, mendoj se dashurinë që ma falën prindërit, unë ia kam falur fëmijëve. I kam lënë të lirë që ta kuptojnë vetë se ne nuk jemi vetëm prej balte, por edhe prej zjarri. Si prind, jam një diktator shumë i dhunshëm, të paktën kjo është në dukje, sepse pjesa që ka mbetur prapa quhet e gjitha një keqkuptim. Sigurisht, ata, duke qenë pranë meje, sime shoqeje dhe nënës sime, janë rritur mes librash pa fund, filmash dhe muzikës më të zgjedhur. Kanë pasur ato gjëra që unë, dikur në fëmijërinë time, i kam gjetur me shumë vështirësi ose më kanë munguar. Besoj që kanë marrë shumë prej nesh. Gjithmonë kam qenë i kujdesshëm të mbaj rrotull meje një qetësi shumë të madhe, në mënyrë që ta kem veshin të mprehtë për të kapur edhe zhurmat më të holla. Meli, ime shoqe, u ka dhënë fëmijëve një dashuri të pafundme. Nuk jam në nivelin e saj dhe shpesh i them, se ka një dashuri prej Nënë Tereze.