Reçensë për monografinë “ KACELI “
TË SKULPTORES ELI XOXE
Të gjithë ata që marrin përsipër të shkruajnë një monografi, hyjnë tek njerëzit që mund të quhen pa frikë antidot për sëmundjen e sklerozës. Janë pikërisht ata që shërojnë një popull të tërë, një komb nga mallkimi i harresës, dhe për më tepër, kur një shqiptar shkruan për një tjetër shqiptar duke e konsideruar pasuri kombëtare, fiton vetë Shqipëria që është shtyrë gjithmonë tej, si një vend sklerotik me mungesë personalitetesh, si një vend që nuk di të mbajë dhe ata që ka e mandej, që as nuk kujtohet për të vdekurit e sajë të mëdhej. Prandaj, kur më bije ne dorë një monografi shqiptare për një shqiptar, kam rastin fatlum, shoqëruar me një ndjesi të veçantë për të depërtuar edhe më thellë në një qelizë të kombit tim.
Ishte gjallë Kaceli, por nuk i isha afruar shumë dhe nuk dija shumë per të, veç faktit të disa gojëdhënave të vockla që shpesh qarkullonin në rrethet artistike dhe veçanërisht për burrat e mirë që rrinë të heshtur në qenien e tyre pa trazuar kënd. Kështu ishte dhe Kaceli, larg dhe afër.
Për mua dhe për brezin tim ishtepa dyshim “ Studenti i shkëlqyer i Akademisë franceze “
Tani që më bije në dorë dorëshkrimi i monografisë së znj.Eli Xoxa, faqe pas faqesh më bëhet më i afert dhe më vjen aq pranë sa thua: – Si nuk e kam njohur më parë! Dhe patjetër që eshtë merita e çmueshme e Elit, artistes, skulptores dhe pedagoges së shkollës së artit. Eli ka rrëmuar shumë dhe thellë. E ka filluar si për një kuriozitet dhe e ka mbyllur monografinë me një nderim të dukshëm për një nga gurët e çmuar të mozaikut të kulturës shqiptare. Është një monografi fillimisht e vërtetë, në përgjim të një shpirti artistik të trazuar, e pasur me ngjarie, komente dhe dëshmi fotografike. Besoj, se një publik sado i thjeshtë apo i kualifikuar qofte, ka mundësine ta njohë figurën e Kacelit me disa valenca: njeri, artist, piktor, fëmijë, burrë, baba, gjysh, mik, shok, student, profesor…Prandaj ky liber është një pasuri që do hyjë në biblotekat tona dhe do të plotësojë vakumin në raft. Është një ndër monografitë e pakta me shumë vlerë. Shpesh monografitë kanë fatkeqesinë të ngelen në kuadrin e një thashethemi për jetën e dikujt që ka qënë Dikush. Kjo që kam në dorë, eshtë informative, e thellë, e dashur, e ndjerë…Është depërtuar në thellësi të qenies Kaceli dhe është e orientuar drejtë, që çdokush mund të udhëtojë pa problem në hartën shpirtërore të tij.
Unë si artist, e falenderoj znj.Eli per këtë vepër të çmuar dhe i shpreh këto konsiderata, që ajo ti përdorë për të tërhequr fonde nga institucionet që jane të ndjeshme ndaj këtij lloji studimi në pasurim të kulturës shqiptare.
Do të dëshiroja që kjo reçense modeste të kontribonte në botimin e Monografisë .