I dashur Artur,
A e mban mend atë grekun e shkurtër e topolak që ja mbathi me të katërta nga ateljeja tënde sapo mori vesh që ishe shqiptar?
Po të nesermen, kur kishe vënë “pak mend”, e që i the atij tjetrit në çast dëshpërimi, se je kinez i përzierë nga prindërit? Përsëri nuk të eci. Ai nuk të iku nga sytë këmbët si i pari, por iku. Të mori edhe kartvizitën, por nuk u kthye më.
Po të pasnesërmen, që e gjete formulën, tek ju përgjigje se je puro grek, por kishe jetuar shume kohë jashtë?
Të tradhëtonte theksi. Të tradhëtonte piktura që bëje. E bëje si e deshin, por theksi ishte tjetërkund. Ai nuk u largua, sepse në syte e tij ti ishe tashmë një grek i gjesdisur,i kulturuar dhe që i takoje botës. Shkurt,nderoje Greqinë.
Dhe… ta bleu pikturën. E pas asaj dhe të tjera e të tjera e të tjera.
Më konfidoje tek “Altari”, në oret më të vona të natës, ndërsa shihja fotot e pikturave të renditura me kujdes në albumin gri. Më flisje për familjen që e rigjeje në shtepi gati në mesnatë, për ateljenë tre katëshe të kompletuar me të gjitha ç’të duheshin, për motorrin që të aksidentoi, veturën që ta perplasen në Tiranë, për teknikat, dimensionet, çmimet, tavanet e pikturuara në vila lluksoze në zemër të aristorkracisë athinjote, për kopjimet alla- italiane, sepse herë pas here ti nuk ishe grek për ta, por një pasardhës i denjë i Rafaelit dhe Leonardos. Më flisje për orë të tëra dhe si për refren, kur merrje frymë thellë psherëtije:
-Do të kthehem! Mjaft më!
Unë më shumë dëgjoja se shikoja. Zeri yt fliste më shumë se piktura. Vërtetë ishe shumë i lodhur. Shumë i lodhur.
A e mban mend kur ike nga sytë këmbët si ai greku i vogël nga atelieja tënde? Ike dhe le pas miqtë, filmat, çmimet, pikturën dhe “Para krijimit”. Ishe në udhëkryq. Zgjodhe udhën por të ra kryqi dhe e mbajte. U nise si një udhëtar, por të thanë emigrant. Mbërrite tek vendi ku ndërrohet emri. Dhe e ndërove.
Shkove. Ishe DIKUSHI… Atje tej, u the atyre se je ASKUSHI.
Nuk më besoje vite të shkuara, se Odiseja është gjak blu, është shqiptar. Dhe e provove, u binde. Prandaj vendos të kthehesh dhe të ulërish me të madhe tek grykë e shpellës, pas orgjisë së verbimit:
-Jam DIKUSHI! Emri im është DIKUSHI!